Reali i lë targën Barcelonës, +10 Ançeloti: Pashë ekipin më të bukur

Nov 8, 2021 | 11:15
SHPËRNDAJE

Reali ka mundur Vajekanon 2-1 të shtunën në mbrëmje në një derbi që nisi mjaft i lehtë, por që përfundoi mes vuajtjesh. Dy golat e Krosit dhe Benzemasë në pjesën e parë të takimit dhanë përshtypjen e një fundjave të këndshme për madrilenët.

anceloti

Por Balliu me shokë nuk ia bënë dhe aq të lehtë. Goli i Radamel Falkaos 13 minuta nga fundi e ktheu derbin në një “thriller” dhe në fundin e ndeshjes në kohën shtesë fillimisht Kros mbi vijën e portës dhe më pas Kurtua shmangën barazimin e Vajekanos. Gjithsesi, Reali ka marrë pikët e plota duke e thelluar në 10 pikë diferencën me Barcelonën.

KUOTA MAGJIKE – Suksesi ndaj Rajo Vajekanos ishte i veçantë dhe domethënës për trajnerin e Realit të Madridit. Me fitoren 2-1, tekniku italian ka arritur suksesin numër 100 të tij në krye të stolit të Realit të Madridit. Ançeloti e ka arritur këtë shifër magjike në vetëm 135 takime në drejtimin e “Los Blancos”.

Kjo e bën Ançelotin trajnerin e shtatë në historinë e Realit të Madridit që arrin këtë kuotë dhe objektivi i tij i ardhshëm është Molovni, i cili numëron 107 suksese në stolin e Madridit. Trajnerët e tjerë të cilët kanë arritur dhe kaluar shifrën e 100 fitoreve janë Leo Benhaker (121), Zhoze Murinjo (128), Visente del Boske (133), Zinedin Zidan (172) dhe Migel Munjoz i paarritshëm me 357 fitore.

Njëqind fitoret e Ançelotit si trajner i Realit janë të ndara: 65 në La Liga, 22 në Champions, 10 në Kupën e Mbretit, 2 në Botërorin e Klubeve dhe një në Superkupën e Europës.

DEKLARATA – Trajneri i Realit të Madridit ka folur pas suksesit ndaj Vajekanos, duke pranuar vështirësitë në fundin e takimit. Por, ai ka mbrojtur ekipin e vet, duke deklaruar se ndaj Vajekanos ai ka parë 80 minutat më të mira të Realit në këtë sezon.

“Asnjë fitore nuk është e thjeshtë. Di të them se kam parë një skuadër që ka luajtur shumë mirë për 80 minuta. Kemi krijuar shumë mundësi për shënim. Mendoja se për ta mbyllur takimin duhej edhe një gol i tretë që nuk erdhi dhe më pas jemi frikësuar për 10 minuta.

Kemi vuajtur shumë, ndaj duhet të ndalemi këtu për të analizuar më me hollësi çdo gjë. Gjithsesi, jam i kënaqur për fitoren, sepse për 80 minuta kemi bërë ndeshjen më të mirë të sezonit”,ka thënë Ançeloti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura