Reali hap “thesin”, 140 milionë euro për Agueron dhe De Gean

Nov 20, 2017 | 11:37
SHPËRNDAJE

Porta dhe sulmi janë shndërruar në një problem te Reali i Madridit. Nëse Keilor Navas po shqetësohet nga disa dëmtime të njëpasnjëshme, në repartin ofensiv Kristiano Ronaldo me shokë po vuajnë jo vetëm një krizë goli, por ndoshta ky moment i portugezit, mbi gjithë të tjerët, konfirmon prapaskenat mediatike se “CR7” ka kërkuar realisht që të largohet në fund të këtij sezoni.

aguero-470x305

Për këtë arsye, në kryeqytetin spanjoll nuk duan që të kapen të papërgatitur në pritje të verës së ardhshme. Drejtuesit e Realit, të paktën duke iu referuar revistës “Don Balon”, do të nisin një tur takimesh në Mançester, të udhëhequr nga presidenti Florentino Perez. Ai do të ketë takime te Siti dhe Junajtid. Sulmuesi argjentinas po lihet së fundmi në hije nga Gabriel Zhezus dhe pankina po nis të bëhet e bezdisshme për të.

Prandaj, “galaktikët” do t’i propozojnë një çek prej 60 milionë eurosh Pep Guardiolës, për të sjellë në “Santiago Bernabeu” Agueron. Një tratativë e tillë mund t’i interesonte edhe Sitit, të cilën duan ta blejnë që në janar, Aleksis Sançezin nga Arsenali. Ndërkohë, për sa i përket portës, tashmë objektivi është i njohur prej vitesh.

Ai është David De Gea, titullari i skuadrës së Zhoze Murinjos, i cili gjithashtu kërkon të kthehet në Spanjë. Në vitet e kaluara, ai e ka pranuar ofertën e Realit, por në një mënyrë apo një tjetër, ka mbetur gjithmonë në “Old Trafford”. Gjithsesi, sivjet sulmi i madrilenëve pritet të jetë më serioz se kurrë, sepse vetë fakti që presidenti Florentino Perez ka zbritur në terren, do të bëjë që ai të tentojë gjithçka për portierin De Gea, për të cilin janë gati 80 milionë euro.

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura