Reali hakmerret me Interin, shënjestron Ikardi-Shkrinjar

Aug 18, 2018 | 10:07
SHPËRNDAJE

Kanë mbetur vetëm 2 javë nga fundi i merkatos në Spanjë. Më 31 gusht është data përfundimtare nëse ekipet po mendojnë të bëjnë ndonjë lëvizje, mbi të gjitha Reali i Madridit. Humbjen në Talin, drejtuesit duket se e kanë marrë me qetësi, por në fakt një alarm i vogël ka rënë. Sepse nga skuadra janë larguar lojtarë si Teo Hernandez, Kovaçiç dhe Kristiano Ronaldo dhe nuk janë zëvendësuar siç duhet.

ikardi

Në këto ditë të fundit, gazeta “Marca” shkruan se Reali ka në dispozicion 300 milionë euro për t’i shpenzuar dhe drejtuesit kanë në duar një listë me emrat që mund të përmirësojnë ndjeshëm skuadrën. Lopetegui kërkon një sulmues, një mbrojtës dhe një mesfushor. Vetëm në këtë mënyrë, skuadra e tij mund të jetë kompetitive. Dhe nga emrat që përmenden për repartin e avancuar, listën e kryeson Mauro Ikardi, i cili shihet si një hakmarrje e Realit për çështjen “Modriç”. Por, mediat katalanase bëjnë me dije se këto 300 milionë euro, Perezi mund t’i përdorë edhe për të transferuar vetëm një lojtar dhe ai është Nejmar.

milan shkrinjiar

Por, sulmuesit e tjerë që mund të bëjnë mirë janë Verner, Levandovski, Rodrigo dhe Mariano. Në mesfushë gjithashtu duhet një blerje dhe emrat e përmendur nga gazeta “Marca” janë Tiago Alkantara, Eriksen, Milinkoviç-Saviç, Rabio dhe De Jong. Të gjithë të mësipërmit do të përshtateshin mjaft mirë me skemat e Lopeteguit. Por, një tjetër repart që ka treguar probleme në fazën përgatitore, por edhe në finalen e Superkupës ishte ai i mbrojtjes. Krahu i majtë dhe qendra duhet të përmirësohen, prandaj edhe aty ka një listë dëshirash. Ajo kryesohet nga dy mbrojtësit e Milanos, Romanjoli dhe Shkrinjar, për të vazhduar me Manolasin, De Ligtin dhe Aleks Telesin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura