Real “mbretëror”, mund Barçën dhe fiton Kupën

| 13:33
SHPËRNDAJE

Katalanasit në krizë totale, Mesi, Fabregas dhe trajneri Martino nën akuzë  

Reali i Madridit mund Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit, falë golave të Di Marias dhe Bejlit.
Vijon kriza e Barcelonës dhe këtë gjë e konfirmon më së miri edhe finalja e mbrëmshme. Skuadra e Gerardo Martinos vuan shumë si në mbrojtje edhe në sulm, duke mos arritur të dominojë si kurdoherë, për më tepër ndaj rivalit më “të urryer”, Real Madrid. Merengues, të drejtuar nga Karlo Ançeloti, arritën të fitonin në finalen e “Mestajës” edhe pa yllin e tyre, Kristiano Ronaldo, i cili ishte duke e ndjekur ndeshjen në tribunë për shkak të dëmtimit. Që në minutat e para u vërejt një Real dominues dhe shumë herë më i kujdesshëm në veprimet mbrojtëse. Minuta e shtatë dhe është Bejl që vë në vështirësi Pinton, teksa tri minuta më vonë, pas një kundërsulmi të shpejtë, Benzema dha asist final për Di Marian. Argjentinasi nuk fal dhe Reali në avantazh. Nga këtu nis shthurja e Barcelonës, skuadër kjo që, edhe pse ka në përbërje fantazistë të klasit të lartë si Ksavi e Iniesta, e ka shumë të vështirë të shkojë te goli. Mesi është gjithnjë i mbyllur dhe, për më tepër, pa atë vrullin dhe driblimet që e karakterizojnë gjithnjë. Mungon shumë edhe loja nga krahët, teksa Zhordi Alba në të majtë dhe Alvesh në të djathtë bllokohen gjithnjë nga mbrojtësit madrilenë. Sakaq, Reali tenton më shumë me anë të kundërsulmit dhe në të paktën tri raste mund ta kishte ndëshkuar sërish Barcelonën, por Bejl dhe Benzema mendojnë më shumë që të shënojnë vetë, sesa të ndihmojnë ekipin. Gjithsesi, me këtë rezultat përfundon pjesa e parë. Në të dytën, Martino bën menjëherë një lëvizje duke lënë në dhoma të zhveshjes Albën, teksa hedh në fushë Adrianon, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje krahut të majtë. Loja e katalanasve rritet ndjeshëm, teksa Iniesta dhe Mesi provojnë dy herë që të vënë në rrezik portën, por si i pari edhe argjentinasi janë shumë larg qartësisë që i karakterizon. Për të kuptuar se sa dobët është Mesi, mjafton të shikosh një goditje dënimi në minutën e 62-të, ku nga 20 metra sulmuesi gjuajti shumë metra mbi tra, çka nuk është normale zakonisht për katër herë “Topin e Artë”. Gjithsesi, loja e katalanasve do merrte një tjetër rrjedhë në minutën e 68-të, kur pas një goditjeje këndi Batra arrin që me kokë ta çojë topin në rrjetë. Barazim dhe gjithçka nis nga e para për merengues. Shqetësohet Ançeloti, i cili urdhëron të tijtë të dalin më shpesh në sulm dhe në 15 minutat e fundit kemi më shumë Real sesa Barcelonë. Minuta e 85-të dhe vjen goditja fatale: Koentrao pason për Bejl, i cili shmang bukur Batranë dhe shënon golin e fitores, ai që i jep Realit Kupën e 19-të të Mbretit.

Barcelona    1
Real Madrid    2
Shënues: Batra 68’/ Di Maria 10’, Bejl 85’
Kartonë të verdhë: Nejmar, Maskerano/ Isko, Pepe, Ksabi Alonso
Gjyqtar: Mateu Lahoz
Barcelona: Pinto, Dani Alves, Bartra (Sançez 87’), Maskerano, J.Alba (Adriano 46’), Ksavi, Buskets, Fabregas (Pedro 60’), Nejmar, Mesi, Iniesta. Trajner: Gerardo Martino
Real Madrid: Kasijas, Karvajal, Pepe, Serxhio Ramos, Koentrao, Modriç, Ksabi Alonso, Isko (Kasemeiro 88’), Di Maria (Ilaramendi 86’), Benzema (Varane 90’), Bejl. Trajner: Karlo Ançeloti

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.