Reagoi pas vrasjes së gjeneralit iranian, arrestohet një grua nga policia e Kosovës

Jan 7, 2020 | 19:05
SHPËRNDAJE

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një grua e cila në rrjetet sociale kishte shprehur pikëllimin pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani.

A5922307-26FB-4653-860C-72D34C071F7B_cx45_cy2_cw55_w1023_r1_s

Policia tha shkurt se drejtoria kundër terrorizimit në bashkëpunim me prokurorinë e posaçme të Kosovës, ka kryer bastisje dhe e dyshuara është intervistuar para se t’i caktohej masa e ndalimit prej 48 orësh. Por ajo nuk dha më shumë hollësi dhe as e bëri të ditur identitetin e saj.

Mediet lokale thanë se e arrestuara është Ikballe Berisha – Huduti, drejtoreshë e Institutit Kërkimor Ndërkombëtar ‘Naim Frashëri’ në Prishtinë.

Pas vrasjes së gjeneralit iranian ajo kishte shkruar në rrjetet sociale se “njerëzit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajnë gjak krimineli, ata janë te vdekur por vetëm frymojnë për tu turpëruar vet dhe kombin e vet kriminel. Kriminelët ta deshën vdekjen e cila nuk është vdekje por shehidllek me i bukur qe ka mund ta ketë dikush ne shekullin 21”, kishte shkruar ajo në rrjetin facebook.

ikballe

Më pas ajo e kishte fshirë postimin e saj dhe kishte paralajmëruar padi ndaj medieve që e kishin cituar atë.

Operacioni amerikan për vrasjen e gjeneralit iranian ishte mbështetur nga autoritetet në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi shprehu mbështetjen për “veprimet amerikane ndaj veprimtarive të Iranit në Lindjen e Mesme që kanë shkaktuar terror, paqëndrueshmëri dhe shqetësim global. Qëndrojmë së bashku në mbrojtjen e vlerave tona dhe mënyrës sinë të jetesës në kërkim të paqes e sigurisë”, shkroi ai.

/VOA/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura