REAGIMET/ Hysaj: Ja çfarë na tha Rama pas humbjes. Cana: Unë fajtori

Oct 9, 2015 | 8:21
SHPËRNDAJE

Pas përfundimit të takimit me Serbinë, mbrojtësi i kuqezinjëve, Elseid Hysaj shprehet i mërzitur për humbjen e pësuar në “Elbasan Arena”. Ai tha pas ndeshjes se në dhomat e zhveshjes shkoi menjëherë kryeministri Rama, i cili u dha zemër lojtarëve dhe trajnerit, duke i përgëzuar për lojën. 

Elseid Hysaj
Elseid Hysaj

“Pas ndeshjes erdhi kryeministri te dhomat e zhveshjes. Ai na dha zemër dhe na përgëzoi për lojën. Gjathashtu na tha ta mbanim kokën lart, pavarësisht rezultatit”, tha Hysaj. 

“Sigurisht që jam i mërzitur për humbjen, pasi ishim duke dominuar ne. Po bëjmë gabime të cilat duhet të mos i përsërisim më. Gjithsesi ne po rritemi në çdo ndeshje. Kemi bërë ndeshje shumë të mirë. Janë disa raste që Serbia i shfrytëzoi. Kemi dhe një ndeshje me Armeninë që mund të na japë kualifikimin për Francën. Kemi humbur në minutat e fundit, edhe mund të fitonim, por ky është futbolli”, vijoi ai më tej. 

“Forcat i kemi, nuk do të dorëzohemi, do të japim maksimumin për të arritur objektivin. Edhe falë tifozëve të cilët duhet të na mbështesim akoma, dhe do tja dalim. Tani nuk duhet të mbajmë mendjen tek humbja me Serbinë, por duhet të mëndojmë për ndeshjen e ardhshme. Është një mundësi e artë që duhet ta marrim shumë seriozisht”, përfundoi Hysaj. 

Cana123
Cana: Unë fajtori për humbjen

Kapiteni Lorik Cana u shfaq krejt i dëshpëruar pas humbjes 2-0 të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”.

Kapiteni tha pas ndeshjes se përgjegjësinë për humbjen mund ta marrë edhe ai, pasi duhet t’u kishte bërë thirrje lojtarëve që të ktheheshin në mbrojtje minutat e fundit.

“Dëshira për të fituar ishte e madhe dhe djemtë lanë shpirtin në fushën e lojës. Është e njëjta situatë që u krijua me Portugalinë.

Kur morëm vesh që Portugalia po fitonte ndaj Danimarkës, trajneri na bëri me shenjë përmes Agollit që të tërhiqeshim, mirëpo unë nuk insistova shumë që të ktheheshim në mbrojtje.

Minutat e fundit po sulmonim se donim shumë ta fitonim ndeshjen, por më shumë na duhej një barazim. Duhet të ishim kthyer në mbrojtje dhe unë duhet të kisha insistuar më shumë. Ndaj fajin për humbjen mund ta marrë edhe unë”, tha Cana.

Cikalleshi optimist: Nuk e meritonim humbjen. Në Armeni shënoj unë

Sulmuesi i kombëtares, Sokol Cikalleshi shprehu zhgënjimin e tij për humbjen e ndeshjes së sotme me Serbinë, ku ai goditi shtyllën, duke mos shënuar.

Cikalleshi tha se skuadra Kombëtare luajti mjaft mirë dhe nuk e meritonte humbjen. Megjithatë, ai u shfaq optimist për ndeshjen në Armeni, duke premtuar se do të shënojë edhe golin që do ta çojë Shqipërinë në Europian.

Luajtëm mjaft mirë dhe kjo mund të quhet një humbje aksidentale. Ne dhamë maksimumin dhe luajtëm mjaft mirë. Megjithatë, kemi edhe ndeshjen me Armeninë ku unë shpresoj që të shënoj golin që do ta çojë Shqipërinë në Europian”, tha Cikalleshi.

Balaj: Rezultati nuk përputhet me lojën. Jemi të zhgënjyer

Rezultati nuk korenspodon asaj që bëmë në fushën e lojës. Ne provuam deri në fund, por pikërisht në momentin tonë më të mirë u ndëshkuam dhe e pësuam.

Lojtarët serbe janë të një niveli të lartë, por ne luajtëm lojën tonë dhe mendoj se ishim më lart se ata. Ne kemi luajtur si grup pasi kjo është loja jonë.

Më vjen keq që humbëm, por i tillë është futbolli. Përsa i përket aspektit personal, unë jam gjithmonë i gatshëm për ekipin në cdo kohë, por zgjedhjet i merr trajneri dhe unë i rrespektoj. Një barazim do na shërbente shumë, por për fat të keq nuk e arritëm dhe jemi shumë të zhgënjyer.

Shpresojmë që ky rezultat mos ndikojë në ndeshjen e fundit me Armeninë. Ne do të japim maksimumin në atë ndeshje dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura