Re atomike ruse drejt Europës

Nov 20, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI/ demi-leonardTRAKTATI

Më 8 dhjetor 1987, në Uashington (WDC), Presidenti Reagan dhe Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov nënshkruan Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (Traktati INF). Ky Traktat është themeli i regjimit të armëkontrollit. Ai parandaloi përhapjen e pakontrolluar të raketave bërthamore në Europë, eliminoi dy kategori të armëve bërthamore, që konsideroheshin si destabilizuese: raketat bërthamore dhe konvencionale, si dhe lëshuesit e tyre me rreze 500 – 1000 km dhe 1000 – 5500 km. Duke filluar nga maji 1991, u shkatërruan 2692 raketa dhe për 10 vjet rresht u bënë verifikime në vendndodhjet e tyre. Ende ka shumë armatime bërthamore të afta të shkatërrojnë çdo gjë mbi dhe, por armatimet e sotme bërthamore amerikane dhe ruse janë një thyesë e sasisë të Luftës së Ftohtë.

Në Konferencën për Rishikimin e Mospërhapjes të Armëve Atomike (OKB, maj 2015) SHBA dhe Rusia i raportuan komunitetit ndërkombëtar se 85 për qind e këtyre arsenaleve ishin nxjerrë jashtë luftimit dhe pjesa më e madhe e tyre janë shkatërruar.

NOVATORI

Dhjetë vjet më parë, Inteligjenca amerikane dyshoi se Moska po zhvillonte një raketë atomike krujzë (që drejtohet) në shkelje të Traktatit INF. Ky zbulim provokoi një konfrontim me rusët, i cili zgjati gjatë gjithë administratës të Presidentit Obama dhe gjeneroi alarm në rritje në NATO. Raketa e re rrezikon drejtpërdrejt Europën. Vetëm më 2017, amerikanët i vunë emrin kësaj rakete: Novator 9M729 (NATO e ka quajtur SSC8), për të cilën agjencitë Perëndimore të inteligjencës këmbëngulnin se shkelte Traktatin INF. Këto raketa me mbushje bërthamore janë të lëvizshme dhe shumë të vështira për t’u zbuluar; mund të arrijnë qytetet europiane; kanë ulur kohën e paralajmërimit në dy minuta, si dhe pragun e një konflikti bërthamor.

REAGIMI I NATO-S DHE I SHTETEVE TË BASHKUARA

Traktati INF është një marrëveshje themelore, por asnjë marrëveshje nuk mund të jetë efektive dhe nuk mund të japë rezultate, në qoftë se respektohet vetëm nga një palë. NATO dhe SHBA, që në 2014, informuan aleatët se Rusia kishte zhvilluar, prodhuar, provuar dhe vendosur në pozicion luftimi një sistem të ri raketash: SSC-8, i cili kërcënon Europën. Po kështu, më 14 shkurt 2017, “Nju Jork Tajms” (M. Gordon) shkruan: “Rusët tani kanë dy batalione me raketat e ndaluara. Një është ende i vendosur në Rusi, në poligonin e lëshimit të raketave në Kapustin Jar, Astrakhan Oblast, në juglindje të vendit. Kurse tjetri e la këtë poligon dhe u vendos në një bazë operacionale diku në Rusi. Çdo batalion raketash mendohet të ketë katër lëshues të lëvizshëm dhe një numër të madh raketash”.

Në samitin e NATO-s (korrik 2018), kryetarët e shteteve dhe të qeverive shprehën shqetësim ndaj sjelljes të Rusisë dhe mbajtën një qëndrim serioz ndaj Traktatit INF, ndërsa takimi i ministrave të Mbrojtjes, tetorin e kaluar, e trajtoi këtë shkelje si çështje kryesore. Më 25 tetor, ambasadorët në Këshillin e Atlantikut të Veriut, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Uashingtoni, diskutuan mbi Traktatin INF. Aleatët shprehën shqetësimin rreth sistemit të ri të raketave ruse dhe ndanë pikëpamjet dhe vlerësuan implikimet e veprimtarisë destabilizuese të Rusisë në sigurinë tonë. Sidoqoftë, Aleanca do t’i vazhdojë konsultimet, duke mos reshtur përpjekjet për të ftuar Rusinë të zgjidhin këtë çështje.

ojnë të angazhuara ndaj përpjekjeve të tyre për të eliminuar armët bërthamore, biologjike dhe kimike. Shtetet e Bashkuara e respektojnë plotësisht Traktatin INF dhe detyrimet që rrjedhin prej tij. Amerikanët, për më shumë se dy dekada, nuk kanë përqendruar kapacitete të reja bërthamore në Europë. Dhe tani që nuk ka më raketa të reja amerikane, ka raketa të reja ruse, të cilat janë një rrezik serioz për stabilitetin strategjik të rajonit euroatlantik.

NATO, në mënyrë të përsëritur, i bën thirrje Rusisë të respektojë plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme marrëveshjet, si dhe t’i kthehet një dialogu konstruktiv me Shtetet e Bashkuara. Pos Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka deklaruar se kjo situatë është e palejueshme dhe nuk duhet të vazhdojë më.

QËNDRIMI I RUSISË

Më 9 mars 2017, si përgjigje ndaj deklarimit në Kongres të zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-ve, Paul Selva, se Rusia ka shkelur “frymën dhe qëllimin” e Traktatit INF, duke vendosur në formacion luftimi një sistem raketash të ndaluara; zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, tha se Rusia është e angazhuar të respektojë Traktatin INF.

Pas vitesh mohimi dhe qëndrimesh konfuze, Rusia rishtazi pranoi ekzistencën e sistemit të raketave pa dhënë shpjegimet e nevojshme dhe pa bërë transparencë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, tha se akuzat e SHBA-ve, se sistemi 9M729 tejkalon kufijtë e vendosur nga Traktati INF, nuk janë të provuara.

Moska i ka hedhur poshtë thirrjet e përsëritura të NATO-s dhe Uashington-it, duke kundërakuzuar SHBA-të se po zhvillojnë raketa që tejkalojnë limitet e ndaluar nga Traktati INF dhe se elementë të sistemit raketor i kanë vendosur në formacion luftimi, që mund të përdoren për të lëshuar raketa me rreze të shkurtër ose të mesme veprimi.

ARMËKONTROLLI

Për dekada me radhë, marrëveshja e armëkontrollit krijoi besim dhe pakësoi armët bërthamore. Vendosja e raketave të reja ruse minon besimin dhe e ka vënë këtë traktat historik në rrezik.

NATO mbështet armëkontrollin, por që ai të jetë efektiv, marrëveshja duhet të respektohet nga të gjitha palët. Kështu, më 20 tetor 2018, Presidenti Trump bëri të njohur vendimin për të lëshuar këtë marrëveshje për shkak se Rusia e ka shkelur për vite më radhë. Në këto kushte, regjimi i armëkontrollit, që ky traktat ngriti, ka arritur pikën e shkatërrimit të plotë.

IMPLIKIMET

Në qoftë se Traktati INF, guri i themelit për sigurinë europiane, bie, do të jetë hera e parë, që nga viti 1972, që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia “nuk mbajnë përgjegjësinë e ndonjë marrëveshje për armëkontrollin” dhe do të gjenden në pragun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë ose të një përshkallëzimi bërthamor. Po kështu, traktati “New START” i nënshkruar nga Presidenti rus Dimitri Medvedev dhe Presidenti Barack Obama në vitin 2010 nuk do të mundet të mbijetojë. Rënia e kësaj marrëveshjeje, që reduktoi numrin e armëve bërthamore strategjike në 700 lëshues dhe 1550 mbushje bërthamore dhe që përfundon më 5 shkurt 2021, do ta kthente sistemin ndërkombëtar në kaos.

NATO nuk do një Luftë të re të Ftohtë, nuk do një garë armatimesh, prandaj nuk ka ndërmend të vendosë raketa të reja bërthamore në Europë. Anëtarët europianë të NATO-s nuk dëshirojnë të kthehen në epokën para Traktatit INF, kur ranë dakord të vendosnin lëshues raketash dhe raketa balistike në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Holandë, Itali dhe në Gjermani. Por, Aleanca është e angazhuar për sigurinë e të gjithë aleatëve dhe ka nevojë për një frenim të besueshëm për të përballuar një spektër të plotë: nga armët konvencionale deri tek armët bërthamore. Vendosja e raketave të reja ruse e detyron NATO-n të vlerësojë implikimet që ato ngërthejnë në sigurinë e aleatëve.

Sot, SHBA po i japin rëndësi mbrojtjes raketore, kibernetikës, operacioneve hapësinore, mbrojtjes detare dhe nënujore. Buxheti për mbrojtjen i këtij viti ka arritur një rekord prej $716 miliardësh, tri herë më i madh se buxheti i Kinës dhe dhjetë herë më i madh se ai i Rusisë. Amerika, me një ushtri prej 1.3 milionë ushtarësh e oficerësh dhe 850 000 rezervistëshm i tejkalon të dyja këto vende.

NATO tani i trembet një gare të re armatimesh bërthamore, prandaj, për momentin, tri janë çështjet kryesore: ruajtja e Traktatit INF, zgjatja e “New START” dhe parandalimi i aksidenteve ushtarake të rrezikshme.

TEORI KONSPIRATIVE

Dokumenti i Strategjisë të Sigurisë Kombëtare të Rusisë konsideron NATO-n dhe Amerikën si rrezikun kryesor të sigurisë kombëtare të Federatës Ruse. Të dhënat e reja tregojnë se Rusia është përpjekur të pengojë edhe stërvitjen e fundit të NATO-s (Trident Juncture 18) dhe dyshohet se ka shkaktuar pështjellim në sistemin e navigimit që bazohet në të dhënat satelitore. Kryeministri finlandez, Juha Sipila, ka thënë se pas këtij pështjellimi ka mundësi të qëndrojë Rusia dhe kjo ndërhyrje, vazhdoi ai, nuk është një lodër, ajo kërcënoi sigurinë ajrore të njerëzve të zakonshëm. Kremlini nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave.

Studiues të njohur mendojnë se politika e jashtme dhe e brendshme e Rusisë është e kompleksuar me teori konspiracioni, karakteristika e përbashkët e të cilave është se të gjithë kritikat dhe pengesat janë rezultat i vullnetit të jashtëm dashakeq. Kështu, autori Ilia Jablokov, në librin e vet, “Kështjella Rusi: Teoritë e Konspiracionit në Botën Post-Sovjetike” (botuar më 27 gusht 2018), nxjerr në pah një tablo të hollësishme dhe shqetësuese të zhvillimit të teorive konspirative në Rusinë postsovjetike, të cilat thonë se çdo gjë e keqe që ndodh në Rusi është pjesë e një komploti antirus të ngjizur në Perëndim. Edhe shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ishte planifikuar dhe u realizua nga armiqtë e Rusisë në Perëndim për të vjedhur pasuritë e saj natyrore. Nga ana tjetër, këta studiues vënë në dukje se imazhi ‘i rrezikshëm i Perëndimit që konspiron’ forcon unitetin kombëtar dhe ndihmon në legjitimizimin e shpejtë të autoritarizmit të Vladimir Putin-it.

Rëndom propagandohet se NATO dhe BE komplotojnë kundër Rusisë, provokojnë pështjellime në shtete ‘kukulla’ si Ukraina për t’i kthyer në shërbim të Perëndimit, bile, brenda Rusisë, përdorin tradhtarë lokalë, spiunë, karnavale, që shtiren si aktivistë opozitarë, akademikë ose veprimtarë të të drejtave të njeriut, etj. Termi “Rusofobia” i trumbetuar para sulmimit rus kundër Ukrainës, më 2014, tani është i kudodëgjuar dhe i kudogjendur.

LUFTA ATOMIKE

Sot, lufta atomike po bëhet një rrezik i ditës dhe mbase është ende kërcënimi më i madh i jetës sonë dhe na bën të sjellim ndër mend një teori të mbështetur në paradoksin e Fermit, që thotë se qytetërimi teknologjik bëhet i paqëndrueshëm dhe tenton të shkatërrojë vetveten (Carl Segan dhe Josif Shklocskij). Shqetësimin e thellë mbi shkatërrimin potencial të qytetërimit njerëzor nga holokausti atomik, Sagan-i e ka shprehur në serinë e fundit të serialit televiziv “Kozmos”, të cilën e ka titulluar “Kush flet për Tokën?”.

Qytetërimi i sotëm ka arritur një zhvillim teknologjik të aftë të shkatërrojë çdo gjallesë dhe e ardhmja jonë është një garë midis pushtetit të teknologjisë dhe mençurisë, me të cilën e përdorim atë. Le të sigurohemi që, siç thotë Stephen Hawking, mençuria do të fitojë.

Çdo 11 nëntor dhe 2 shtator, ne përkujtojmë mbarimin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Të dy përvjetorët na kujtojnë vuajtjet dhe tmerret që kanë kaluar njerëzit dhe vendet tona në shekullin e njëzetë: vrasje, vdekje, zhdukje në masë, kaos, shkatërrim dhe shtypje. Këta përvjetorë na kujtojnë, po kështu, rëndësinë e lidhjes transatlantike dhe se si Europa bashkë me Amerikën i fituan të dy luftërat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura