Raundi tjetër i bisedimeve/ Çfarë do të kërkojë Serbia për komunat serbe në Kosovë

Aug 7, 2020 | 22:18
SHPËRNDAJE

Serbia do të kërkojë nga Kosova që të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Unionit të Komunave Serbe (ASM) në raundin tjetër të bisedimeve.

vucici-a1-600x360

Më 7 shtator, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të takohen në Bruksel për herë të dytë, pas rifillimit të dialogut, në korrik, me ndërmjetësimin e BE-së.

“Pala serbe do të kërkojë përmbushjen e marrëveshjes së vitit 2013 – formimin e Unionit të Komunave Serbe.” tha Vuçiç, sipas televizionit B92, të premten.

Ky Union ishte pjesë e Marrëveshjes së Brukselit në 2013 midis Kosovës dhe Serbisë.  Ai përcaktonte që komunat me shumicë serbe në Kosovë do të jenë në gjendje të krijojnë një shoqatë vetëqeverisëse me pushtet të plotë drejtues në shumë fusha, përfshirë arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, planifikimin urban.

Marrëveshja u kundërshtua ashpër nga opozita e Kosovës për krijimin e kushteve për “boshnjakëzimin” e Kosovës, pra, krijimin e një shteti brenda një shteti. Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se pjesë të marrëveshjes së vitit 2013 ishin jokushtetuese, dhe krijimi i shoqatës ngeci.

Ekipi negociues i Kosovës ende nuk ka sqaruar qëndrimin e tij në lidhje me krijimin e këtij Unioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura