“Rashomon”, një dramë mbi brishtësinë e së vërtetës, vjen në Metropol

Mar 10, 2016 | 14:51
SHPËRNDAJE

Ndoshta raporti më i vështirë i njeriut është ai me të vërtetën. Ndoshta sepse ajo është relative. E vërteta e dikujt, nuk është asnjëherë e vërteta e dikujt tjetër.

“Rashomon”, një histori që zbret që nga Japonia, 1 mijë vjet më parë, na tregon pikërisht për këtë raport të ndërlikuar. Nën portën Rashomon, që zakonisht “popullohet” nga hajdutë e kufoma, një prift, një druvar dhe një berber diskutojnë mbi ngjarjen e krimit të ndodhur një ditë më parë. Nëpërmjet bashkëbisedimit të këtyre tri personazheve jepen rrethanat dhe prezantohen tri personazhet e tjerë: një bandit, një samuraj dhe gruaja e tij.

rashomon prova

Ngjarja rrëfehet nga këndvështrimi i këtyre tre të fundit, ku secili, sipas qëllimit dhe interesit të vet, i portretizon rrethanat dhe personat në favor të vetes. Dhe e vërteta, kush mund ta njohë atë?! “Rashomon”, një dramë e shkruar në vitin 1959 nga autorët Fay dhe Michael Kanin, është premiera që hap sot sezonin artistik në Qendrën Kulturore Tirana, në sallën “Shekspir”.

I njohur fillimisht si filmi i Akira Kurosavës, fitues i shumë çmimeve, e më pas i adaptuar nga Fay dhe Michael Kanin, “Rashomon” është një vepër që ka njohur shumë vënie në skena të ndryshme të botës. Ajo vjen në Tiranë nën regjinë e Jonida Beqos, e cila në detyrën e drejtores së Qendrës “Tirana”, ka dashur për së pari të ofrojë eksperiencën e saj 15-vjeçare, të fituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo ka jetuar deri një vit më parë. Arsyet që e shtynë drejt “Rashomon” lidhen me atë çka ajo si drejtuese e institucionit e sheh si të nevojshme që t’i ofrohet publikut, por edhe me rezonimin që kjo vepër ka me aktualitetin, me raportin e brishtë që njerëzit kanë me të vërtetën dhe si e transformojnë atë në favor të interesave të tyre.

rashomon 2

“Duke pasur parasysh klimën shpeshherë të ashpër të komunikimit dhe marrëdhënies me të vërtetën, apo përcaktimin se kush është burimi i saktë i saj, me të cilën përballemi çdo ditë, ‘Rashomon’ duket se ofron një mundësi të mirë për të eksploruar artistikisht këto probleme të përditshmërisë sonë”, shprehet regjisorja Jonida Beqo.

Për aktorin Redjan Mullai, i cili interpreton rolin e samurajit, fjala në këtë vepër është shumë e rëndësishme, dhe pak rëndësi ka se kur ka ndodhur apo kur është shkruar ajo, ndërsa i shkon shumë mirë aktualitetit.

Sipas regjisores, “koncepti regjisorial i përket zhanrit të realizmit magjik” dhe i jepet shumë rëndësi plastikës së trupit. Për regjisoren dhe vetë aktorët, këta të fundit janë përzgjedhur me audicion. Përtej skepticizmit që shfaqën të gjithë në lidhje me audicionet, duke qenë se në shumicën e herëve ato janë vetëm farsë, Beqo arriti të ngrinte një kast aktorësh, pikërisht me audicion.

“Edhe pse jam pjesë e teatrit, unë mora pjesë në audicion. Për herë të parë të gjithëve iu thanë arsyet se përse fituan ose jo audicionin”, thotë njëri prej aktorëve, Kastriot Ramollari.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura