Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian: Energjia e ripërtërishme, jetike për Evropën dhe Ballkanin

May 31, 2022 | 18:27
SHPËRNDAJE

raportuesjaRaportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha se tranzicioni energjetik në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor tashmë është jetik, pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ajo i bëri këto komente gjatë një debati në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që po mbahet në Prishtinë, ku temë e diskutimeve ishin energjia e pastër, dekarbonizimi i Ballkanit Perëndimor dhe burimet e ripërtërishme.

“Në kohën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, që është shumë e qartë se është një luftë kundër energjisë së ripërtërishme dhe për energjinë fosile, Evropa e ka kuptuar që përfundimisht duhet të bëhet e pavarur në energji dhe të mbështetet tek vetvetja. Këtë duhet ta shohim edhe këtu në Kosovë si dhe në tërë rajonin”, tha zonja von Cramon e cila një ditë më parë ishte në Beograd ku tha se ka diskutuar për çështjen e pavarësisë energjetike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Në të vërtetë pa integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në planet tona të tranzicionit energjetik gjithçka do të jetë e kotë. Ndotja nuk njeh kufi dhe termocentralet e qymyrit vrasin po ashtu edhe qytetarët e Bashkimit Evropian prandaj është në interesin tonë të përbashkët për të parë Ballkanin të gjelbër dhe të qëndrueshëm”, tha ajo.

Zonja von Cramon i bëri thirrje qeverisë që të dal sa më shpejt me strategjinë energjetike që sipas saj duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gjelbër evropiane.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha zbatimi i agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor është përparësi e punës së qeverisë.

“Konkretisht, viti që lamë pas ishte i suksesshëm në funksionimin e bashkimit të tregut energjetik me Shqipërinë prandaj shembuj të tillë të bashkëpunimit duhet në vazhdimësi të zgjerohen. Për ne zgjerimi i bashkëpunimit rajonal ka rëndësi të veçantë në avancimin e vendeve tona në procesin e integrimit evropian, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Bislimi.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të komunitetit për energji, Dirk Buschle, bëri thirrje që Kosova të hartojë ligje për energjinë e ripërtërishme që u përshtatet kushteve të saj dhe të mos marr ligje të gatshme të Bashkimit Evropian.

“Duhet një ligj që pasqyron realitetin dhe që e ndihmon Kosovën, jo vetëm si standard i vendeve evropiane, por të rrisë pjesën e saj të burimeve të ripërtërishme në mënyrën më efikase”, tha ai.

Zyrtarë të Rregullatorit të energjisë thanë se viteve të fundit janë shtuar investimet në energjinë e ripërtërishme por sipas tyre kjo ende nuk është e mjaftueshme për vendin.

Kosova përmbush shumicën e nevojave të saja me energji elektrike nga dy termocentrale që prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura