Raporti i TI/ Reagon Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Shqipëria nuk po i jep sinjale pozitive investitorëve, por as po zhvillon potencialet e saj

Jan 25, 2022 | 15:56
SHPËRNDAJE

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ka reaguar në lidhje me raportin e Transparency International për vitin 2021 për Shqipërinë.

ENIO JACO

Përmes një postimi në rrjete sociale, Jaço shprehet se ky raport është tregues dhe i përgjigjet qartë pyetjes mbi klimën e biznesit në vend.

Jaço thekson gjithashtu se zbatimi i pabarabartë i ligjit dhe qasja autoritare e qeverive ka bërë që Shqipëria të ngecë në progresin me antikorrupsionin, duke mos i dhënë në këtë mënyrë sinjale pozitive investitorëve të huaj.

Njoftimi i plotë:

Pyetjes së përsëritur mbi klimën e biznesit në Shqipëri i jep përgjigjen sot raporti i Transparency International për 2021.

Lexova intervistën e Lidija Prokic, Këshilltare për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International në Zërin e Amerikës.

Është për të ardhur keq, që në një hark prej 10 vitesh, mungesa e Transparencës me Prokurimet Publike, zbatimi i pabarabartë i ligjit dhe qasja autoritare e qeverive ka bërë që Shqipëria të ngecë në progresin me antikorrupsionin. Me një mungesë të thelluar përparimi, Shqipëria nuk po i lëshon sinjale pozitive investitorëve por as po zhvillon potencialet e saj.

Dhoma Amerikane prej një viti ka parashtruar rëndësinë e ngritjes së një mekanizmi anti-korrupsion me masa ndëshkimore legjislative për zyrtarët e korruptuar, si dhe për krijimin e hapësirës për përfshirjen e medias dhe shoqërisë civile në denoncimin e rasteve korruptive.

Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur dhe korrupsioni është humbja më e madhe për vendin. Duhet një vullnet i gjithanshëm politik, institucional dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve që praktikat anti-korrupsion të bëhen realitet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura