RAPORTI/ The Economist Intelligence Unit skanon Ramën, Metën dhe Bashën

Feb 12, 2016 | 20:13
SHPËRNDAJE

Njësia Ekonomike e Inteligjencës pranë prestigjozes “The Economist” ka publikuar sot raportin e parë për 2016-n, duke analizuar zhvillimet më të fundit politike dhe ekonomike në Shqipëri. Në skanerin britanik kalojnë marrëdhëniet e tensionuara mes Ramës dhe Metës, përfshirë lidershipin e deritanishëm në PD të Lulzim Bashës. “The Economist” është pesimist që negociatat për integrimin europian do të mund të hapen para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.

rama-basha-dhe-meta-620x350
The Economist Intelligence Unit është një grup analitik në Londër që përpilon raporte të rregullta për zhvillimet politiko-ekonomike të Shqipërisë. Raporti, i fundit i siguruar nga Top-Channel, jep pritshmëri pesimiste për integrimin europian të vendit.

“Duke marrë në konsideratë vendosmërinë e qeverisë për integrimin europian, The Economist Intelligence Unit pret që Shqipëria të bëjë një progres gradual në përmbushjen e kushteve të vëna nga Komisioni Europian. Progresi mund të ngadalësohet si rezultat i rikthimit të sherrit, nisur në tetor 2015, nëpërmjet një serie të re akuzash për korrupsion dhe paaftësi mes partive qeverisëse dhe PD”, thotë raporti.

Por nga kush mund të rrezikohet integrimi? Për herë të parë, sipas EIU, faji mund të jetë edhe vetë brenda maxhorancës.

“Meta, së fundmi, ka treguar muskujt dhe në nëntor 2015 ai zëvendësoi ministrin e Drejtësisë Naço, si një mospërfillje ndaj Ramës, i cili e kishte bërë të qartë kundërshtinë për rifreskim të kabinetit. Që prej 2009-s, Meta ka marrë rolin e “kingmaker-it” në politikën shqiptare e kështu, pa 16 deputetët e LSI, Partia Socialiste nuk mund të jete një shumicë parlamentare”, vë në dukje raporti.

Britanikët e The Economist Intelligence Unit skanojnë edhe performancën e Lulzim Bashës si kryetar i opozitës dhe arrin në këtë përfundim.

“Basha, që mori drejtimin e PD nga Berisha pas humbjes në zgjedhje, është në vështirësi për të mbrojtur lidershipin e tij në një parti, e cila ngadalë po mësohet të ketë një kryetar tjetër nga Berisha”.

Analistët e The Economist japin një shpresë që këto kundërshti mes palëve do të tejkalohen, për të bërë të mundur për Shqipërinë pasjen e një date për çeljen e negociatave për antarësim deri në fund të 2016-s. Por optimizmi i tyre për këtë vit është i pakët.

“Pritshmëritë janë që negociatat të mos fillojnë deri në zgjedhjen e Parlamentit të ri, pas zgjedhjeve të parashikuara në qershor 2017”, nënvizon më tej raporti.

Top Channel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura