Raporti sekret, Rauning: S’e verifikuam informacionin e përdorur

Sep 12, 2015 | 13:08
SHPËRNDAJE

Kryetari i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, ka komentuar sot një raport të OSBE-së të publikuar një ditë më parë në media i cili tregonte lidhjet kriminale të politikanëve shqiptarë, mes tyre edhe kryeministri Rama, Meta apo edhe Berisha. Ai ka theksuar se ai raport “nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera”.

“Lidhur me informacionin e paautorizuar dhe çorientues të marrë nga një material informues i brendshëm i Prezencës së OSBE-së, dëshiroj të shpreh keqardhjen tonë që ky informacion u bë publik – pa autorizim – dhe objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike.

Raporti i publikuar dje
Raporti i publikuar dje
Lejomëni ta shpjegoj qartë: informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera.

Dëshiroj të përsëris se përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës.

Prezenca shpreh keqardhjen për shqetësimin që ky informacion mund t’u ketë shkaktuar personave të përmendur në materialin informues.

Së fundi, dëshiroj të theksoj marrëdhëniet e shkëlqyera të Prezencës me institucionet shqiptare, veçanërisht me Kuvendin, Qeverinë dhe partitë politike, si dhe të hedh poshtë me forcë çdo përpjekje për të minuar këto marrëdhënie. Ne do të vijojmë të punojmë ngushtësisht me të gjithë aktorët për të përmirësuar standardet e jetës publike”- tha Ambasadori Florian Rauning.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura