RAPORTI SEKRET I CIA-s: Ahmet Zogu i kërkoi Titos 8000 kosovarë të rrëzonte Enver Hoxhën! Si u realizuan bisedimet nga UDB-ja

Jan 15, 2022 | 22:10
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha Tito-Ahmet-zogu-CiaAURON TARE/ Dokumenti i siguruar në arkivat e deklasifikuara amerikane, sjell informacion mbi bashkëpunimin e ish-Mbretit Zog me liderin e njohur komunist jugosllav, Tito, duke zbuluar detaje të reja mbi bisedimet që bëheshin në pranverën e 1952-it. Memorandumi i 28 majit 1952 është një raport ditor i hartuar për drejtuesit e lartë të OPC, drejtoria e famshme që merrej me operacionet klandestine, një organizatë e cila operonte në zonat gri të spiunazhit amerikan.

Fatkeqësisht, ashtu si edhe në dokumente të tjera të dala nga ky arkiv, emrat e personazheve amerikane të OPC janë të fshira dhe në këtë mënyrë është pak e pamundur për të kuptuar rolin e saktë të oficerëve amerikanë të Zbulimit. Gjithsesi, ky dokument hedh dritë në disa detaje mjaft interesante për të kuptuar prapaskenat e përpjekjeve të ish- Mbretit shqiptar për t’u rikthyer në fron. Megjithatë, nga dokumenti i botuar sot kuptojmë se amerikanët kanë pasur mjaft interes për të vëzhguar negociatat e ish-Mbretit shqiptar me liderin komunist të Jugosllavisë, Tito.

Nga burime agjenturore të rrjetit amerikan në Turqi, OPC, informohet mbi përbërjen e delegacionit të Zogut, i cili përbëhet nga një turk me emrin Tozani, Irfan bej Ohri, një pasues i njohur i Zogut si dhe ish-konsulli i Mbretërisë në Stamboll, Avni Dërhalla. Nga shqyrtimi i dokumentacioni të Shërbimit Sekret Britanik del se diplomati Dërhalla ka qenë i rekrutuar nga anglezët gjatë Luftës së Dytë Botërore, me mision informimin e britanikëve mbi mërgatën shqiptare të Turqisë. Duhet theksuar se për një periudhë trevjeçare britanikët e SOE operonin nga Stambolli dhe kishin mundur të rekrutonin një numër shqiptarësh me njohje apo influencë në Shqipëri, për t’i përdorur në lojërat politike ballkanike.

Nëse Avni Dërhalla ka pasur akoma lidhje me Shërbimin Britanik edhe pas Lufte, atëherë duhet të supozojmë se edhe britanikët duhet të kenë qenë në dijeni të bisedimeve sekrete Tito-Zog. Megjithatë, surpriza me  interesante e këtij dokumenti është fakti se sipas burimit të amerikanëve, delegacioni turko-shqiptar i Zogut ka qenë i autorizuar për t’i kërkuar Titos armatosjen dhe përgatitjen ushtarake të 8000 kosovarëve, me të cilët Zogu shpresonte të hynte në Shqipëri. Ideja e Zogut për krijimin e një ushtrie private me kosovarë nuk ishte e re.

Dihet se Zogu kishte ardhur në fuqi me ndihmën e Jugosllavisë edhe në të kaluarën, duke përdorur edhe elementë kosovarë. Megjithatë, edhe pse faktorët politikë të kësaj periudhe ishin shumë të ndryshëm, përsëri Zogu shpresonte në një aleancë me komunistët jugosllavë për t’u rikthyer edhe një herë në fronin shqiptar. Megjithëse Jugosllavia e viteve 1950 nuk ishte më ajo që dikur kishte ndihmuar Zogun për të rrëzuar nga pushteti peshkopin Noli, duket qartë se Zogu nuk kishte asnjë problem të bashkëpunonte me komunistët jugosllavë. Mbreti duket se nuk ka pasur asnjë pengesë ideologjike për këtë bashkëpunim, edhe pse dihej se represioni ndaj Kosovës nuk kishte të ndalur.

Dokumenti i botuar sot tregon qartë idenë dhe kërkesat që ish- Mbreti shqiptar kishte ndaj Titos, por fatkeqësisht nuk kemi një dokument i cili të sillte mendimin e Titos mbi këto kërkesa. Sidoqoftë, një analizë e kujdesshme mund të na bëjë të besojmë se Tito nuk mund të ketë qenë shumë i gatshëm për të përmbushur dëshirat e ish-Mbretit shqiptar. Një forcë paraushtarake kosovare e rekrutuar nga shërbimet inteligjente të Titos do të ishte një garanci e madhe për një qëndrim pro-Jugosllav të Mbretit shqiptar, nëse ai vinte në pushtet. Ndërsa një forcë kosovarësh e financuar dhe trajnuar nga amerikanët jashtë Jugosllavisë, do të sillte komplikime të rrezikshme për Titon.

Në përgjithësi, elementi kosovar, i njohur për problemet e shumta që i sillte faktorit serb, do të ishte një problem akoma më i madh për Titon nëse ai do të dërgohej me mision nga amerikanët për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Përfshirja e amerikanëve në këtë mision i komplikonte edhe më shumë gjërat, pasi Tito do ta kishte të vështirë për të kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri, nëse ky mision do të kishte sukses. Për këtë arsye, vetëm një forcë kosovare e armatosur dhe e përgatitur prej jugosllavëve mund të ishte zgjidhja e pranueshme për Titon.

Nëse Tito e pranoi apo jo këtë kërkesë, deri më tani nuk kemi një dokument ku të jetë shkruar mendimi i tij për këtë çështje. Lidhja e Zogut me amerikanët si sponsorizuesit kryesorë të kësaj aventure, do ta bënte atë më të paqëndrueshëm në marrëdhëniet me komunistët jugosllavë. Përvoja historike e marrëdhënieve të Zogut me jugosllavët për ndihmën që ata i kishin dhënë për të ardhur në pushtet nuk ishte shumë pozitive dhe me sa duket për të garantuar besnikërinë e Zogut ndaj jugosllavëve, Tito i kërkon Zogut përfshirjen në qeverinë e ardhshme të një numri personash të njohur si besnikë të çështjes jugosllave. Se kush ishin ata dhe se çfarë kërkoi Tito në shkëmbim të kërkesës së Zogut, do ta lexojmë në numrin e ardhshëm i cili do të sjellë surpriza të reja në botimin e dokumentacionit të deklasifikuar nga arkivat amerikane.

Dokumentet e CIAS

Raport i CIA-s: Bisedimet Zogu-Tito i realizon UDB-ja

Zogu u raportonte amerikanëve mbi ecurinë e bisedimeve me Titon. Dokumenti i mëposhtëm i hartuar nga një prej oficerëve të lartë të OPC (Drejtoria e Operacioneve Klandestine), udhëhequr nga Frank Wisner, është një dëshmi autentike e këtij komunikimi të fshehtë. Ai është pjesë e dosjes sekrete që amerikanët kishin për ish- Mbretin, dosje e cila është mjaft voluminoze dhe hedh dritë mbi rolin e vërtetë të Zogut në emigracion. Amerikanët, i kushtonin mjaft rëndësi marrëdhënieve me të, duke e mbajtur në korrent mbi përgatitjet që bëheshin në Perëndim për përmbysjen e regjimit komunist shqiptar. Në kontrast me Shërbimin e Fshehtë Britanik, i cili operonte në distancë nga Zogu dhe grupi i tij që e shoqëronte në Egjipt, amerikanët mendonin se ish- Mbreti ishte akoma një personazh i rëndësishëm në mërgatën shqiptare.

Për këtë arsye, oficerë të lartë të OPC e vizitonin shpesh, duke hapur kështu një rrugë komunikimi me ish-Mbretin shqiptar. Kuptohet qartë se për Zogun interesimi i amerikanëve ishte mjaft i mirëpritur, duke e bërë atë që të hartonte plane mjaft ambicioze për një rikthim të mundshëm në Shqipëri. Në këtë kontekst duhet parë edhe fillimi i marrëdhënieve të tij me liderin komunist jugosllav, Tito. Zogu, duke dashur të jetë jo vetëm i rëndësishëm në sytë e aleatëve amerikanë, të cilët nuk kishin treguar asnjë interes për të gjatë viteve të Luftës, por edhe praktik në klimën e ndryshimeve politike në kampin socialist, pa humbur kohe kishte filluar bisedimet me jugosllavët.

Dokumenti flet mbi misionin e të dërguarit personal të Zogut dhe takimin e tij me oficerë të lartë të UDB-së, që drejtohej nga gjenerali Aleksandër Rankoviç, i njohur ndryshe si “Kasapi i shqiptarëve”. Në të duket qartë se Zogu kërkonte jo vetëm bashkëpunim me Titon për rikthimin e tij në fron, por edhe miratimin e jugosllavëve për këtë plan. Sakaq, në dokument të bie në sy se oficerët e UDB-së, të cilët përfaqësonin jo vetëm Titon në këto kontakte, por edhe gjeneralin Rankoviç, kërkonin një fshehtësi të madhe për këto bisedime, duke larguar nga tryeza edhe personin e kontaktit, turkun Tozan, i cili ishte edhe personi që kishte bërë lidhjen midis Zogut dhe Titos. Po kështu, dokumenti vërteton se bisedimet midis Titos dhe Zogut udhëhiqeshin nga Shërbimi i Fshehtë Jugosllav, i cili nuk lejonte që në këto plane të fshehta të përfshiheshin diplomatë të Ministrisë së Jashtme Jugosllave, si ambasadori në Kajro. Pra, nga analiza e këtij dokumenti që po e botojmë të plotë mund të thuhet me bindje se ish-Mbreti Zog po hartonte një plan të fshehtë për rikthimin e tij në Shqipëri, me ndihmën e UDB-së dhe me bekimin e plotë të Titos.

Memorandumi i OPC (CIA-s), i hartuar në vitin 1952 nga oficeri përgjegjës për operacionet shqiptare, Mc Carger, nuk lë asnjë mundësi hamendësimi se këto dokumente janë hartuar nga Kim Filbi, një alibi e sjellë në shtypin shqiptar nga familjarë të ish- Mbretit Zog, të cilët me sa duket nuk kanë asnjë ide mbi rrjedhjen e ngjarjeve të asaj kohe. Është e kuptueshme që persona që kanë jetuar pranë ishMbretit të mos kenë pasur dijeni mbi këto bisedime sekrete, të cilat nuk kishin përse të bëheshin të njohura edhe për ta. Është e kuptueshme edhe nxitimi për t’i shpallur bisedimet Zog-Tito si non existence, pasi askush nuk do të dëshironte që figura e ish-Mbretit të përzihej në një bashkëpunim të mundshëm me UDB-në dhe liderin komunist Tito. Por, duhet thënë se një njohës normal i ngjarjeve të asaj periudhe duhet të dijë se ish-oficeri i Shërbimit Sekret Britanik, Kim Filbi, ishte larguar me kohë nga roli i tij që i jepte akses në planet operacionale kundër Shqipërisë.

I akuzuar si një spiun i mundshëm sovjetik nga shefi i famshëm i FBI, Edgar Hoover, që në vitin 1950- 51 Kim Filbi e kishte të pamundur të manipulonte dokumente të CIA-s, pasi ai nuk ka pasur asnjë lidhje jo vetëm me dosjet e CIA-s, por nuk ka pasur asnjë dijeni mbi bisedimet e Zogut me jugosllavët. Të përdorësh një alibi të tillë për të shfajësuar Zogun është një veprim mjaft naiv. Mendoj se ish-Mbreti shqiptar nuk ka nevojë nga askush për t’u shfajësuar mbi lëvizjet e tij politike, pasi Zogu, si një figure tipike ballkanike, ka shfrytëzuar koniunkturat e kohës për t’u rikthyer në pushtet. E nëse mbështetja vinte nga Perëndimi apo nga Shërbimi i Fshehte Jugosllav, pak rëndësi kishte. A nuk vepruan kështu edhe ata që e zëvendësuan atë në skenën e politikës shqiptare?!

MEMORANDUM 9 tetor, 1952

Biseda me Mbretin Zog, më 8 tetor, 1952 1. Unë shkova në vilen e Mbretit Zog në Aleksandri më 8 tetor 1952, për të marrë një raportim mbi aktivitetin e emisarëve të tij të dërguar në Jugosllavi, të cilët kishin ardhur në Egjipt po atë mëngjes. Emisarët ishin Irfan bej Ohri dhe kolonel Dërhalla, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga Lutfi Tozani, turku i cili ka qenë kontakti i parë i Zogut midis tij dhe marshallit Tito. Bisedimet midis këtij delegacioni prej 3 vetash dhe jugosllavëve ndodhën në ditët e fundit të gushtit. 2. Zogu deklaroi se delegacioni i tij udhëtoi prej Turqisë për në Shkup, Jugosllavi, nëpërmjet Greqisë dhe se Irfan Beu ishte zëdhënësi i tij. Tozani e shoqëroi misionin vetëm sepse ishte i rëndësishëm në kontaktet fillestare të takimeve me jugosllavët. Delegata ishte pritur përzemërsisht nga jugosllavët dhe ata u vendosën në një fermë në periferi të Shkupit. Delegacioni qëndroi në këtë vend deri sa mbaruan bisedimet, që zgjatën dy ditë e gjysmë. Përfaqësuesit jugosllavë referoheshin si kolonel Branko dhe kolonel Cedo.

Si rezultat i interesimit të Irfan Beut te disa jugosllavë të tjerë që ai takoi, Irfan Beu beson se ata ishin Branko Stankoviç dhe Cedomir Mijoviç. I pari duket se është një përfaqësues i lartë, ndoshta më i lartë se i dyti dhe ka shumë mundësi të jetë një anëtar i lartë i Qendrës së UDB-së ose i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ishte shumë i informuar dhe fliste me një autoritet të lartë për çështjet e politikave. Aksenti i tij të linte të kuptoje se ai duhej të ishte kroat. Personi i dytë i cili u prezantua si kolonel Cedo fliste me aksent të Malit të Zi. Ai kishte një shenjë në krah, ndoshta plagosje dhe dukej se ishte një oficer i një niveli jo shumë të lartë i UDB-së, i specializuar në çështjet shqiptare, pasi ishte shumë i familjarizuar me çështjet dhe personalitete shqiptare.

3. Zogu tha se pas disa diskutimeve të përgjithshme mbi arsyet e vizitës së dërgatës, koloneli Cedo i shprehu mendimin Irfan Beut se jugosllavët ishin nën përshtypjen, bazuar në kontaktet e mëparshme të Tozanit në Beograd, se Mbreti Zog ishte i interesuar për armë dhe fondet. Irfan Beu u përgjigj se kjo përshtypje ishte një përshtypje e gabuar nga ana e tyre e mesazhit që Zogu kishte dërguar nëpërmjet Tozanit. Mbreti është i interesuar për hartimin e një plani për çlirimin e vendit të tij, plan i cili mund të zhvillohet me pëlqimin e plotë te jugosllavëve dhe nëse ndihma e jashtme ishte e nevojshme, jugosllavët mund të vepronin në emër të Zogut për të siguruar këtë ndihmë nga amerikanët.

Shqetësimi kryesor në mendjen e Mbretit Zog ishte ruajtja e pavarësisë se Shqipërisë, si dhe ruajtja e kufijve aktualë. Kolonel Branko në këtë moment deklaroi me një entuziazëm të dukshëm se jugosllavët i janë mirënjohës Mbretit Zogu për vendosjen e kontakteve, si dhe tashmë ata janë të bindur se kanë të bëjnë me njerëz seriozë dhe jo aventurierë. Në këtë kontekst, jugosllavët i morën mënjanë Irfan Beun dhe kolonel Dërhallën në një moment të mëvonshëm dhe u kërkuan që, nëse ishte e mundshme, në bisedimet e mëtejshme z.Tozan të mos ishte i përfshirë. 4. Irfan Beu u shpjegoi jugosllavëve se as ai dhe as kolonel Dërhalla nuk ishin njerëz të politikës dhe qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte fakti që nëse ishte e mundur për jugosllavët të dërgonin një person për të folur direkt me Mbretin Zog.

Koloneli Branko u përgjigj se jugosllavët do të dërgonin një person të përshtatshëm për të biseduar me Zogun në të ardhmen. Kur Irfan Beu sugjeroi mundësinë e hapjes së bisedimeve me ambasadorin jugosllav në Kajro, kolonel Branko u shpreh vendosmërisht se kjo nuk do të ndodhë. Nga këndvështrimi i Irfan Beut për mënyrën se si ky sugjerim nuk u pranua, ka shumë mundësi që Jugosllavët nuk kanë besim te ambasadori i tyre në Kajro, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë arsye të tjera për të menduar se ambasadori nuk është personi i duhur për të folur me Zogun.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura