Raporti sekret/ Feçor Shehu: Drama e Leka Bungos, ka skena me vajza të shthurura

May 11, 2017 | 10:26
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI

Raport-informacionit të zv.ministrit të Arsimit e Kulturës, Mantho Bala (i cili asokohe mbante edhe detyrën e kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve), dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së lidhur me problemet që kishin dalë në Teatrin (BYLIS) dhe Estradën e Fierit, i paraprinte një raport-informacion sekret i zv.ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht drejtor i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, i cili po ashtu i drejtohet Komitetit Qendror të PPSH-së.

Sipas praktikës, raporti i tij i jepej sekretarit përkatës, Hysni Kapos, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit dhe njëkohësisht, Ramiz Alisë, që mbulonte Artin, Kulturën dhe Propagandën. Dhe ky dokument, pasi është parë prej tyre, me shënimet përkatëse, i është dërguar edhe Enver Hoxhës, i cili gjithashtu ka vënë shënime mbi atë dokument. Por ajo që bie në sy, është se nga raport-informacioni i Mantho Balës, është shkëputur një ekstrat prej gati një faqeje (ku bëhet fjalë vetëm për Leka Bungon), e cila i është dërguar Enver Hoxhës, çka duket edhe nga faksimilja përkatëse me firmën e Enverit.

faksimile

Siç do të shohim dhe në dokumentin në fjalë të zv.ministrit Feçor Shehu, aty ai ka bërë një “tablo sinoptike” rreth situatës politike që mbizotëronte asokohe në të gjithë vendin, lidhur me ato që thuheshin e komentoheshin pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur më 15 mars të vitit 1973 në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe gjithashtu në Plenumin III të Komitetit Qendror. Ajo që bie në sy te ky raport, është se me emër përmendet vetëm regjisori Leka Bungo, (bashkë me autorin e dramës, Kleanthi Dusha), duke sjellë më pas dhe survejimin e ndjekjen e tij nga Sigurimi i Shtetit. Kjo konfirmohet edhe nga një dokument i vitit 1989, kur Bungo ka bërë një kërkesë për të shkuar si vizitor në Greqi, te të afërmit e nënës së tij, me origjinë dhe kombësi greke. Bashkë më këto dy dokumente, po japim edhe një karakteristikë të Teatrit Bylis të Fierit, e cila është lëshuar për regjisorin e njohur, Leka Bungo, ku midis të tjerash bie në sy një fjali ku thuhet: “Mendjemadhësia e ka çuar deri atje, sa që në punën e tij (Leka Bungo) duhet t’ia kalojë teatrove të tjera, për këto ka anuar nga modernizmi, konvencionalizmi në regjisurë, në podjumomaninë etj.”.

Për më shumë, na njohin tri dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Arkivin Qendror të Shtetit.

Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Drejtoria e Parë

Lënda: Mbi komentet e elementëve armiq lidhur me problemet e revolucionarizimit të kulturës e të artit

Tiranë, më 29. II. 1973

Lidhur me fjalën e shokut Enver në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe në Plenumin III të Komitetit Qendror, si gjithnjë ka një aprovim unanim nga tërë shtresat e popullit, ato komentohen pozitivisht dhe përkrahet lufta e Partisë kundër ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste në art dhe letërsi dhe në mënyrën e veshjes e të jetesës.

LEKA BUNGO
LEKA BUNGO

Shumë komente bëhen pse këto gjëra nuk kapeshin edhe nga shokët e tjerë që drejtojnë institucione të artit e të kulturës dhe për liberalizmin që shfaqet në mjaft raste nga prindërit, arsimtarët, etj., ndaj disa të rinjve që manifestojnë me veshjen e sjelljet e tyre ndikimin borgjezo-revizionist. Elementë armiq, ashtu si çdo herë, edhe rreth këtij problemi bëjnë komente që në përmbajtjen e tyre i kundërvihen kësaj lufte, si p.sh.: Disa njerëz të sektorit të artit thonë: “Ne shqiptarët jemi të çuditshëm, fryhemi menjëherë.

Por një vajzë që lëshon flokët mbi qafë, shih se çfarë bëhet. Puna që bëjnë këta është për të bërë revolucion në Afrikë dhe jo të edukojnë rininë në Europë. Qëllimi i romaneve nuk është për të bërë vetëm edukimin klasor revolucionar, por për edukimin estetik të rinisë por, përderisa problemet artistike merren nga shija e një personi, nuk mund të bëhet gjë e saktë. Ne jemi ekstremistë të mëdhenj dhe kemi frikë mos përsëritet historia e viteve 1965, që ka qenë kulmi i triumfit të antiarsyes”.

Ata vazhdojnë: “E reja kur hyn ndesh në luftë me të vjetrën, kështu e ka kjo, tërhiq e lësho, deri sa të hyjë e reja në art, kulturë e veshje”. E kanë fjalën për ndikimet e huaja të ideologjisë borgjeze dhe e quajnë këtë si “të re” e jo regresive e reaksionare. Përpiqen të filozofojnë se çdo gjëje të bukur, sipas mendimeve të tyre, siç është festivali, në fillim i pritet rruga, por pastaj ajo do ta çajë medoemos rrugën e re se është e re, përparimtare. Për të argumentuar mendimet e tyre trillojnë anekdota e barcaleta.

Në Fier, gjatë diskutimit rreth dramës “Historia e një vajze” të shkrimtarit Kleanth Dusha, vënë në skenë nga regjisori Leka Bungo, janë bërë kritika se kjo dramë ka mjaft skena shëtitjesh me femra të shthurura dhe vajza studente që kanë dashuruar, por që kanë prishur dashuritë e tyre, nëpërmjet të cilave edukohet keq rinia, mbasi nxitet instinkti i shthurjes, ka frojdizëm, të gjithë heronjtë janë negativë.

Disa elementë armiq thonë se: “Rinia te neve mbahet nën tutelë, prandaj e detyrojnë të bëjnë gjëra të papëlqyera, ndërsa në vendet e tjera, të rinjtë bëjnë çfarë të duan, prandaj nuk po ndodh asgjë. Kina u kthye me Amerikën dhe këta po kthehen. A nuk janë kthesa këto festivale, muzika e arti në vendin tonë?” Një punonjëse e radiotelevizionit komenton me të tjerët se “Festivali i Këngës shënoi sukses dhe u prit me entuziazëm nga të gjithë, mirëpo dalin disa injorantë dhe shkruajnë letra kundër dhe çdo gjë prishet.

FEÇOR SHEHU, DUKE DOREZUAR DEKORATEN NENES SE NJE EFEKTIVI
FEÇOR SHEHU, DUKE DOREZUAR DEKORATEN NENES SE NJE EFEKTIVI

Festivali është modern, por njerëzit nuk e kuptojnë dhe të mëdhenjtë nuk duan modernizmin. Tani të rinjtë nuk dinë si të vishen, si të krihen dhe për çdo gjë duhet pyetur Byroja Politike. Kjo është e padurueshme.

Pa kaluar ky brez udhëheqjeje dhe pa ardhur një brez i ri, me pikëpamje moderne, kështu do të ndodhë, shtrëngime pa logjikë dhe në kundërshtim me dëshirat e të rinjve”. Në këtë sektor dhe disa shokë me përbërje të mirë kanë shprehur pakënaqësi për kritikat e bëra festivalit, flasin që u anuluan disa filma dhe emisione, sepse në të dikush ka baseta, dikush flokë të gjata, etj., kurse tani spikerët duken të shëmtuar se janë qethur, por s’ke ç’i bën se duhet të jemi brenda e të mos na kritikojnë.

Por këto probleme, kohët e fundit ndërmjet diplomatëve të vendeve kapitalisto-revizioniste, po zhvillohet një diskutim i gjerë rreth ndikimit që po ushtron Perëndimi në jetën e vendit tonë.

Për të argumentuar mendimet e tyre armiqësore, ata kanë sjellë mjaft shembuj negativë, që sipas tyre përbëjnë fizionominë e shoqërisë sonë socialiste. Ato që ndodhën në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, po i shikojmë edhe në Shqipëri. Ja, edhe këtu, me gjithë masat e marra, po shohim se rinia e ka kanalizuar jetën e saj me atë të Perëndimit. Ajo dalëngadalë po përpiqet që t’i përshtatet jetesës së Perëndimit, e asnjë masë apo ndërhyrje, qoftë kjo e organeve qendrore, nuk po jep rezultate. Përkundrazi i kanë ndezur edhe më shumë të rinjtë, të cilët janë të vendosur të ndjekin rrugën e Perëndimit. Pikërisht këtu fillon.

Pantallonat, rripat e gjerë me togëza të mëdha, favoritet, dhe fedonat po përgjithësoheshin. Ato po bien në sy nëpër rrugë, lokale, shkolla, qytete, e fshatra. Dalëngadalë po duken edhe të rejat me minifunde e tualete, flokësh të kthyera në favorite.

Edhe në aspekte të tjera thonë diplomatët, masave që po merren po i kundërvihet pjesa tjetër e të rriturve apo e të moshuarve ndonëse thuhet: “Të mos merren bakshishe”, këto janë në lulëzim. Asnjëri nuk refuzon kur jep bakshishin. Edhe muzika që ishte problem për këta, tani është zgjidhur në favor të muzikës moderne. Dikur emisionet e radiove të huaja me muzikë moderne e të lehtë i quanin normale, degjenerim, kurse sot, ne po dëgjojmë në radiot e tyre këngë me melodi të tilla. Duke diskutuar rreth kë- tyre problemeve, disa diplomatë kanë arritur në përfundimin se gjoja influenca e Perëndimit është e pashmangshme edhe në Shqipëri. Asnjë masë disiplinore nuk mund t’ia presë hovin kësaj rruge, e cila po shton forcat e saj dhe po shkon drejt majave të larta.

Çdo shtypje në këtë drejtim, sjell me vete eksplozion. Flokët e gjata, veshja dhe muzika janë karakteristikë e jetës së lirë që bëhet në Perëndim. Komente e diskutime të kësaj natyre kanë bërë veçanërisht diplomatët italianë, turq, francezë, grekë, suedezë etj., të cilët shpeshherë thonë se: “Merita kryesore në këtë drejtim i takon televizionit italian, që, sipas tyre, po ushtron një ndikim shumë të madh veçanërisht në radhët e brezit tonë të ri” .

Zv.ministri i Punëve të Brendshme

Feçor Shehu

Karakteristika e Teatrit të Fierit për regjisorin e njohur

“Mendjemadhësia e ka bërë që Leka Bungo do t’ua kalojë dhe teatrove të tjera”

Karakteristikë

Leka Ferdinand Bungo, lindur më 29. II. 1944 në Tiranë, me origjinë nëpunës i mesëm (i ati ka qenë mjek e ëma është me kombësi greke dhe ka mbajtur qëndrim indiferent). Mbas çlirimit, gjyshi është burgosur për mosshlyerje tatimi, pasi është prekur nga reforma e pushtetit popullor, janë shtetëzuar një palë shtëpi, një dyqan dhe dy bahçe. Është me shkollë të lartë për aktor dhe një vit kurs për regjisor.

Ka ardhur në rrethin tonë nga shkurti i vitit 1971 dhe u emërua regjisor i Teatrit të Fierit. Gjatë kohës që ka punuar në këtë teatër janë konstatuar se karakterizohet me tendencë mendjemadhësie, mospërfillës në shoqëri dhe tek ajo e Vlorës, edhe njeri me tendencë animi nga arti borgjez. Gjatë punës në Fier, shoku Leka ka pasur një pamje pozitive dhe një tjetër negative. Është treguar punëtor, energjik, sidomos kur erdhi në fillim, se më vonë pati rënie, është treguar njeri i aftë nga ana profesionale si regjisor, është treguar kështu dhe kjo është dhe ka qenë përshtypje edhe nga shkolla edhe për kohën që ka qenë në Vlorë. Përveç punës si regjisor, ai ka bërë edhe krijime të ndryshme.

Përveç punës së mirë gjatë kohës, shoku Leka ka pasur edhe një seri të metash të që kanë konstituar me mungesën e studimit të materialeve të Partisë me seriozitetin e duhur, në mosthellimin në to dhe në moszbatimin e tyre në jetë. Gjatë kohës ka shfaqur mendjemadhësi, është treguar mospërfillës ndaj njerëzve të tjerë në marrëdhëniet e punës, nga kjo mendjemadhësi ka kaluar në liberalizëm, duke bërë krahasime pa përgjegjësi për vartësit dhe përgjegjësit.

Mëndjemadhësia e ka çuar deri atje, sa që në punën e tij duhet t’ia kalojë teatrove të tjera, për këto ka anuar nga modernizmi, konvencionalizmi në regjisurë, në podjumomaninë etj. Shfaqje këto të marra nga arti borgjez.

Me këto shfaqje, duke pranuar edhe një përmbajtje josocialiste në dramën “Historia e një vajze”, Leka Bungo luftoi që kjo dramë me të meta ideore, të vihej, të mos pranoheshin kritikat dhe të shkelej vija e masave, duke i quajtur kritikuesit konservatorë, të mbetur prapa etj. Leka Bungo është futur në rrugën e modernizmit dhe të animit nga arti borgjez për tri arsye: së pari se kjo ka qenë prej kohësh tendenca për të, së dyti është i pabrumosur me materialet e Partisë dhe, së treti, është inkurajuar nga përkëdhelitë e sekretarit të Partisë, Ismet Cibaj, që gjithashtu ishte infektuar nga modernizmi, liberalizmi dhe izma të tjera borgjeze.

Të metat në mungesën e formimit të tij ideologjik dhe shfaqjet e tij borgjeze në veprimtari, u diskutuan dhe u kritikuan në kolektiv nën dritën e materialeve të Partisë dhe kolektivi mbajti ndaj tij dhe shfaqjeve të tij qëndrim revolucionar. Në këto mbledhje, shoku Leka diskutoi në frymën e autokritikës, zbuloi origjinën dhe shkaqet e të metave e shfaqjeve të tij ideologjike-borgjeze në jetë dhe në art. Autokritika e tij qe e thellë dhe u konsiderua e plotë.

Ky fakt jep premtime për vënien e tij në rrugën e korrigjimit dhe të kalitjes revolucionare. Për t’i dhënë mundësi reale për të realizuar në fakt edukimin, kalitjen dhe korrigjimin, organizata bazë dhe kolektivi vendosën që shoku Leka Bungo të dërgohet në prodhim për një kohë të pacaktuar. Mendojmë të kalojë në prodhim punëtor në N.Sh. N. Ballsh.

SHEFI I SEKSIONIT TE KUADRIT SEKRETARE

(Arqilini Prifti) (Meropi Trebicka)

Fier, më 20. IV. 1970 ………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Raporti i Sigurimit: Në 1973 Leka Bungo është marrë në përpunim paraprak 2A, për agjitacion e propagandë

DREJTORIA E SIGURIMIT TE SHTETIT

DEGA I, Sektori i Vizave

Leka Ferdinand Bungo, i vitlindjes 1944, lindur dhe me banim në Tiranë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, regjisor teatri, i padënuar, i paorganizuar, i martuar dhe me dy fëmijë, kërkon të shkojë vizitor në Greqi te daja i tij, i quajtur Musledin Ibrahim Koka, si dhe për të zgjidhur një problem pasuror.

Dega e Brendshme e Tiranës është dakord që Leka të shkojë vizitor jashtë shtetit dhe thekson se ai është me origjinë nga Elbasani, gjyshi i tij, Gani Bungo, ka qenë shtresë e pasur dhe ka shfrytëzuar punën e të tjerëve. Pas çlirimit janë prekur nga reformat e Pushtetit Popullor, por Ganiu ka ndihmuar partizanët me 20 napolona në muaj.

Babai i Lekës, Ferdinandi, para çlirimit ka qenë me studime në Itali për Mjekësi, pas kthimit ka punuar në rrethe të ndryshme. Pas çlirimit ka mbajtur qëndrim të mirë, xhaxhallarët i ka me qëndrim të mirë. Nëna e lekës, Eniseja, ka lindur në Veria të Greqisë, ka kryer studimet e mesme në Selanik dhe në vitin 1942 martohet me Ferdinand Bungon dhe vjen në Shqipëri.

Pasi i vdes burri, Ferdinandi, Eniseja martohet përsëri me Dhimitër Liton, familje me qëndrim të keq politik, pasi ky (Dhimitri) së bashku me të vëllanë e tij kanë qenë pjesëmarrës në sabotimin e kënetës së Maliqit dhe që të dy janë dënuar me 5 vjet heqje lirie. Pas daljes nga burgu, është ndjekur në përpunim aktiv 2A si agjent i mundshëm i zbulimeve të huaja. Eniseja ka qenë dy herë vizitore në Greqi.

Dy halla dhe një xhaxha i Lekës, që banojnë në Shkodër, janë me qëndrim të mirë. Vetë Leka, pasi ka mbaruar arsimin e lartë, fillon punë si regjisor në teatrin e Fierit. Këtu Leka është martuar me Luljeta Pirro Koçin, babai i së cilës, Pirroja, ka qenë ambasador në Romë, më vonë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si drejtor kuadri, aktualisht në pension e AP (anëtar partie, shënimi ynë). Leka, nga viti 1964 e në vazhdim, ka pasur korrespodencë me xhaxhain e nënës dhe djalin e tij, nga të cilët ka marrë edhe sende të dërguara prej tyre. Në vitin 1970, kur Leka punonte në Teatrin e Fierit, është kritikuar për shfaqje moderniste në art, duke vënë në skenë dramën “Histori e një vajze”.

Ka qenë dakord që të shfaqej drama “Njollat e murrme”, për të cilën dërgohet si punëtor në Uzinën Mekanike në Patos. Pas kësaj, caktohet regjisor në Estradën e Lushnjës e kohët e fundit në atë të Tiranës, ku është aktualisht. Leka më datë 10.V.1973 është marrë në përpunim paraprak për agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës nga Dega e Punëve të Brendshme Fier dhe, po këtë vit, është ngritur në përpunim aktiv 2A po për këtë tendencë. Meqë gjatë përpunimit nuk u vërtetua veprimi armiqësor, në vitin 1975 është ulur në kontroll-operativ 2B.

(Arkivi i Ministrisë së Brendshme, dosja 598, viti 1989. fl. 22,23)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura