Raporti për Shqipërinë, AI: Strehimi, fare pak progres, qeveria dështoi me jetimët

Feb 25, 2015 | 7:08
SHPËRNDAJE

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, thekson në raportin vjetor se dhuna familjare në Shqipëri mbetet e përhapur dhe të mbijetuarit e saj rrallë përfitojnë nga drejtësia.

Raporti i AI

Sipas raportit ne vendin tone, vazhdon mosndëshkimi në rastet e torturës dhe keqtrajtimit. Qasja në strehim të përshtatshëm për njerëzit që jetojnë në varfëri, përfshirë romët, mbetet shumë e kufizuar përkundër zotimeve të qeverisë. Ish kazermat e parapara për t’u shndërruar në strehim të përkohshëm për të dëbuarit, nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare.

Në qershor, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, i miratoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar atë me reformat e mëtejshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e romëve, politikat kundër diskriminimit dhe zbatimin e të drejtave në pronë. Parakalimi i parë i krenarisë në Shqipëri ndodhi në muajin mars.

Zhdukja e Remzi Hoxhes, kryeministri s’mbajti premtimin

Amnesty vëren se vendndodhja e trupit të Remzi Hoxhës, një shqiptar etnik nga Maqedonia i cili u zhduk me forcë në vitin 1995 nga agjentët e sigurimit shtetëror, nuk iu tregua të birit, pavarësisht nga deklaratat e kryeministrit në vitin 2013 se vendndodhja e varrit të tij do të  identifikohet.

Vrasja e Aleks Nikes 

Prokurorët shqyrtuan rastin e Aleks Nikës, një demonstrues i cili vdiq pasi u qëllua gjatë demonstratave kundër qeverisë në janar të vitit 2011 në Tiranë. Në muajin maj, oficerët e policisë të cilët dyshoheshin për keqtrajtimin e disa demonstruesve gjatë dhe pas protestave, u morën në pyetje. Në korrik, prokurori shtetëror ngriti akuza kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së dhe zëvendësit të tij për dështimin e arrestimit të gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës të dyshuar së kanë shtënë kundër demonstruesve.

Strehimi, qeveria dështoi me jetimët  

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Autoriteti Kombëtar i Strehimit, propozuan shtimin e numrit të banesave sociale dhe qasjes për ata me strehim të papërshtatshëm. Në muajin shkurt, ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptasit, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm  dhe kanalizime. Megjithatë, një përparim i paktë është shënuar. Në muajin mars të vitit 2014, ish kazermat në Shishtufinë afër Tiranës, formalisht u parapanë si Qendër kalimtare për viktimat e dëbimeve. Mbi 50 familje Rome, të dëbuara nga Rruga e Kavajës në Tiranë, u vendosën në Shishtufinë në tetor të vitit 2013. Kushtet në qendër, që ndodhet larg burimeve të punësimit dhe shërbimeve elementare, ishin të papërshtatshme dhe nuk ishin në pajtim me standardet ndërkombëtare të strehimit. Në ditën ndërkombëtare të Romëve në muajin prill, rreth 100 familje Rome të rrezikuara për t’u dëbuar nga Selita në Tiranë, protestuan duke kërkuar strehim alternative.

Qeveria hodhi poshtë një amendament të propozuar në ligjin për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme në muajin maj, e kërkuar në një peticion të nënshkruar nga 6 mijë romë dhe egjiptas, që bënte thirrje për mbrojtje procedurale kundër dëbimit të detyruar dhe strehim të përshtatshëm alternativ. Në korrik, Komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut lëshoi një masë të përkohshme të mbrojtjes për pezullimin e prishjes së shtëpive të shtatë familjeve rome në Elbasan, në pritje të dëgjimit të ankesave dhe kërkesës për kompensim.

Qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Në muajin maj në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti.

Akuzat per keqtrajtime nga policia 
Mosndëshkimi përgjithësisht ka përshkuar edhe akuzat për keqtrajtime nga ana e oficerëve përgjegjës për zbatimin e ligjit. Në maj, parlamenti prezantoi një shërbim të ri për çështjet e brendshme dhe ankesa për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Në gusht, shefi i sektorit të Rendit Publik e Policisë së Shtetit në Kukës, u akuzua për shpërdorim të detyrës, privim të paligjshëm nga liria dhe për keqtrajtimin e një të burgosuri.

Ish të burgosurit politik organizuan një grevë urie për shkak të dështimit të qeverisë për kompensimin e drejtë për burgosjen e tyre nga qeveria komuniste ndërmjet viteve 1944 – 1991, kur mijëra veta ishin burgosur apo dërguar në kampe të punës ku u ishin nënshtruar torturave dhe keqtrajtimeve.

Dhunimi i grave

Në qershor Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikoi një përmbledhje të rasteve të dhunës në familje nga 38 gjykata dhe ndryshimet e rekomanduara në ligjin dhe praktikën gjyqësore. Ai gjeti se procedurat penale ishin të ngadalshme dhe gjykatat shkelnin afatet procedurale shqyrtimin e urdhrave të mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve. Deri në fund të muajit shtator, 3 mijë e 94 incidente të dhunës familjare janë raportuar në polici, ku gratë ishin viktima në shumicën dërmuese. Vetëm një e treta e rasteve (rreth 1 mije e 200) iu nënshtruan procedurave penale.

Deri në fund të shtatorit, një mijë e 882 gra kishin kërkuar masa mbrojtëse në procedura civile, por në Gjykatën e Qarkut në Tiranë, për shembull, më shumë e dy të tretat e kërkesave janë tërhequr apo ndërprerë. Ndërsa në rastet kur janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes, shpesh nuk janë zbatuar.

Menaxhimi i kufijve 

Nën trysninë e Bashkimit Evropian, Shqipëria zhvilloi një strategji të re të menaxhimit të kufirit. Mbi 500 migrues të paligjshëm dhe refugjatë, përfshirë sirianët, janë arrestuar në periudhën ndërmjet janarit dhe qershorit. Të tjerë janë kthyer në Greqi pa qasje në procesin e strehimit. Deri në fund të muajit shtator, mbi 12 mijë shqiptarë kanë paraqitur kërkesa për strehim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke paraqitur si shkak dhunën familjare dhe diskriminimin ndaj komunitetit LGBT dhe romëve, thuhet në pjesën për Shqipërinë në raportin e Amnesty International.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura