Raporti për lirinë ekonomike/ Shqipëria humb nëntë vende! Ja shkaqet e përkeqësimit të gjendjes

Mar 11, 2021 | 8:37
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me raportin e fundit të fondacionit botëror “Heritage”, ku thekson se zbritjen e Shqipërisë me nëntë vende për lirinë ekonomike.

liria ekonomike

Përmes një reagimi në “Facebook”, Meta shkruan se kjo rënie nga një vit më parë është një pikiatë e lirisë ekonomike për shqiptarët, ndërsa i fton ata që më 25 prill të votojnë jo vetëm për të nxjerrë nga “intubimi” ekonominë, por edhe çkapjen e shtetit. “Shqipëria, sipas raportit të fondacionit prestigjioz botëror ‘Heritage’, ka rënë nëntë vende më poshtë në renditjen për lirinë ekonomike, krahasuar me një vit më parë. Kjo rrëshqitje e frikshme në pikiatë e lirisë ekonomike, është pasojë e drejtpërdrejtë e cenimit brutal të të drejtave të pronësisë dhe mosfunksionimit të sistemit gjyqësor.

Ky raport thellësisht negativ konfirmon qëndrimet e vazhdueshme publike, që kam shprehur edhe me dekrete, në mbrojtje të konkurrencës së lirë. Ndaj është urgjente çkapja e shtetit, Kuvendit, qeverisë dhe e pushtetit gjyqësor nga oligarkët dhe interesat okulte. Referendumi i 25 prillit është një mundësi historike për të nxjerrë nga ‘intubimi’ edhe lirinë ekonomike, krahas të gjitha lirive të tjera, që gëzojnë qytetarët në një vend plotësisht europian”, shkruan Presidenti Meta.

Indeksi i lirisë ekonomike i fondacionit “Heritage” është një udhëzues vjetor i botuar për të matur përparimin e bërë në avancimin e lirisë ekonomike për të cilën pretendon se sjell prosperitet më të madh. Fondacioni gjithashtu beson se “idealet e lirisë ekonomike janë të lidhura fuqimisht me shoqëri më të shëndetshme, mjedise më të pastra, pasuri më të madhe për frymë, zhvillim njerëzor, demokraci dhe eliminim të varfërisë”. Indeksi rendit 12 tregues nga të drejtat e pronës deri te liria financiare në katër kategori: sundimi i ligjit, madhësia e qeverisë, efikasiteti rregullator dhe tregjet e hapura.

Shqipëria klasifikohet si një vend kryesisht i lirë, duke lënë pas vende të tilla si Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Greqia ose Kroacia. Shqipëria renditet e 66-ta në botë, me një rezultat prej 65.2 pikë, që përkthehet në një rënie prej 1.7 pikësh krahasuar me një vit më parë, kur vendi renditej i 57-ti në botë. Ndërkohë, dy vjet më parë, Shqipëria u rendit e 52-ta në të gjithë botën.

Ndërkohë, Kosova renditet në vendin e 58- të në të gjithë botën. Fondacioni “Heritage” shpjegon këtë rënie në renditje dhe rezultate me përkeqësimin e të drejtave të pronës dhe efektivitetin e gjyqësorit. Ndër vendet europiane, Shqipëria renditet e 35- ta midis 45 vendeve, ndërsa rezultati i përgjithshëm rezulton të jetë nën mesataren globale, sipas të dhënave të botuara në raport. Përkeqësimi i vitit të kaluar ka ngadalësuar progresin drejt mesatares europiane. “Me gjithë rezultatin e ulët, qeveria ka arritur të mbajë kontrollin mbi deficitin buxhetor dhe borxhin publik”, tha raporti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura