Raporti për cilësinë e ujërave, plazhet që duhet të shmangni

Jun 9, 2016 | 8:19
SHPËRNDAJE

Nga 99 zona bregdetare që ofron natyra shqiptare, në 90% të tyre mund të laheni pa frikën e infeksioneve apo baktereve, ndërsa në vetëm tri zona duhet të bëni kujdes.

plazh2

Këto janë rezultatet e fazës së parë të monitorimit të ujërave larës për vitin 2016 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM). Krahasuar me të dhënat e një viti më parë, vihet re një rritje e ndjeshme e plazheve të cilësisë shumë të mirë, ndërsa problematikë mbeten po ato të vjetshmit: stacioni i plazhit të Marinës në plazhin e Vlorës, kanali i Cukë- Dodonës në Sarandë dhe ai i kompleksit “Xhardino” në Durrës.

Duke prezantuar këto të dhëna në një konferencë për mediat, kreu i AKM-së, Julian Beqiri, theksoi se cilësia e plazheve është rritur së paku me 50%. “Mbi 90% e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A, pra cilësi shumë e mirë këtë vit. Nga 99 pika monitorimi, 90 prej tyre me cilësi shumë të mirë.

Gjithashtu plazhet shqiptare vazhdojnë të kenë të njëjtin trend rritjeje të cilësisë krahasuar me një vit më parë”. Këto janë vetëm të dhënat paraprake, ndërsa raporti përfundimtar mbi cilësinë e ujërave shqiptare pritet të publikohet në fund të sezonit veror, në muajin shtator.

ANALIZA E PLAZHEVE

Në një raport të hollësishëm, kreu i AKM-së, Beqiri, detajon rezultatet e monitorimit për të gjitha pikat. Kështu, konsiderohen të një cilësie shumë të mirë plazhet e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjirit të Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Zvërnecit, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit dhe Semanit.

Ndërsa gjashtë plazhe të tjera: kompleksi “Orikumi” dhe bar-restorant “Aleksandër” në Orikum, si dhe plazhi i vjetër i Pionierit, Plazhi i Ri, Radhimë, “Grand Hotel” dhe bar-restorant “Freskia”, që ndodhen në Vlorë, në raport konsiderohen si zona të pranueshme për të bërë plazh, ose ndryshe të një cilësie të mirë. Tri pikat e nxehta ku nuk sugjerohet të laheni, pasi analizat bakteriologjike rezultojnë me ndotje shumë të lartë, vijojnë të mbeten në tri qytetet bregdetare: Vlorë, Sarandë e Durrës.

Referuar këtyre të fundit, kreu i AKM-së i bëri thirrje pushtetit vendor të marrë masa në përmirësimin e infrastrukturës me qëllim rritjen e cilësisë. Nga ana tjetër, duke u ndalur te risitë së sjell monitorimi i parë i këtij viti, Beqiri vuri në dukje një rritje të dukshme të treguesve që matin cilësinë e ujërave të plazhit të Durrësit.

raporti

“Kemi përmirësim shumë të mirë të ujit në 20 pika në plazhin e Durrësit, kjo falë vënies së funksion të impiantit të ujërave të zeza”. Për herë të parë këtë vit, monitorimi i ujërave larës është bërë në 99 pika. Në rrjetin e monitorimit janë analizuar 21 stacione të reja kampionimi, nga 78 stacione në vitin 2015.

Po ashtu, gjashtë plazhe të reja i janë shtuar listës së monitorimeve: Plazhi i Divjakës, Tale– Shëngjin, plazhi i Semanit, plazhi i Zvërnecit, Orikumi dhe plazhi i Spillesë. Faza e parë është kryer në dyjavëshin e fundit të majit.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura