Raporti, një i burgosur kosto shtetit 12-46 euro në ditë

Dec 27, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Mbipopullimi në burgje, përveç problematikës që sjell në trajtimin e personave të izoluar, shoqërohet edhe me një kosto të konsiderueshme për shtetin. Çdo vit, qeveria shpenzon qindra miliona lekë për të mbështetur administrimin normal të sistemit penitenciar.

burgu-peqinNjë raport për mbipopullimin në burgje dhe paraburgime, i realizuar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardh kostot reale ditore të kategorive të ndryshme të personave që u privohet liria.

KOSTOT

Referuar përfundimeve të këtij raporti, personat e izoluar në qelitë e burgjeve apo të paraburgimit i kushtojnë shtetit një shifër nga 369 deri në 1380 euro për person në muaj. Kështu, në shifra ditore, një i paraburgosur ka një kosto 14.63 euro. Një i dënuar me burg, që vuan dënimin në një nga IEVP-të e vendit, i kushton shtetit 12.3 euro në ditë. Koston më të lartë nga të gjitha kategoritë e të dënuarve e kanë të dënuarit e sëmurë. Sipas raportit, ata i kushtojnë shtetit 46.23 euro në ditë.

Referuar shifrave në fjalë, rritja e popullsisë në burgje përbën një barrë të rëndë për financat publike. E kjo do të thotë që një pjesë gjithnjë e më e madhe e fondeve publike do të përdoren për administrimin e burgjeve, dhe jo për financimin e projekteve që shërbejnë për plotësimin e nevojave të ndryshme të jetesës në komunitet.

“Fondet që shkojnë për plotësimin e nevojave në rritje të sistemit penitenciar, si pasojë e mbipopullimit, mund të përdoreshin për zgjerimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve humane të angazhuar në zbatimin e alternativave të dënimit me burg”, theksohej në raport.

Nga ana tjetër, mbipopullimi shkakton rrjedhimisht edhe një degradim më të shpejtë të ndërtesave, duke ulur ndjeshëm vlerën e investimeve të kryera rishtazi në përmirësimin e hapësirave të IEVP-ve, dhe duke sjellë nevojën për shpenzime të tjera që shtojnë kostot e mbajtjes dhe administrimit të këtyre institucioneve.

Sipas raportit, mbipopullimi në sistemin e burgjeve deri në gusht të vitit 2015 kapte shifrën prej 22 për qind mbi kapacitetin. Mbipopullimi ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit. Niveli më kritik është vënë re në gusht të vitit 2015 në institucionet e paraburgimit, ku niveli i mbipopullimit është regjistruar në 75 për qind mbi kapacitetin normal.

NEVOJAT

Mbipopullimi në burgje zvogëlon mundësitë e administratës së burgut për përmbushjen e nevojave bazike jetësore të të burgosurve.

Ky fenomen sjell pasoja në drejtim të reduktimit të hapësirave fizike personale, të kohës së ajrimit, trajtimit mjekësor, plotësimit të kushteve të nevojshme higjienike etj.,duke çuar në mënyrë të pashmangshme në shkelje të rregullave dhe standardeve për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Po sipas raportit, mbipopullimi luan një rol jo të vogël në rritjen e tensionit dhe presioneve psikologjike te të burgosurit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura