Raporti/ Në 10 vitet e para komunistët pushkatuan 4 mijë vetë, s’ju gjenden as varret

Mar 2, 2015 | 8:06
SHPËRNDAJE

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, do të nisë verifikimin në terren në çdo qytet të Shqipërisë për të hartuar një regjistër të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955.

Nga protestat e ish-të përndjekurve

Mësohet se janë rreth 4 mijë persona të pushkatuar gjatë regjimit komunist, të cilët janë identifikuar, por që kanë mbetur pa varre.

Në raportin vjetor të Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit, theksohet se në arkivat e shtetit ka shumë emra të personave të pushkatuar që nuk gjenden. Në raportin e ISKK-së thuhet se numri i qytetarëve të pushkatuar nuk përputhet me të dhënat e deritanishme zyrtare.

“Në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, me shoqatat e të përndjekurve politikë që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt i regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e Institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, thuhet në raportin që është dorëzuar në Kuvend.

VERIFIKIMI

Nga viti 1991 deri në vitin 1998, për verifikimin e të pushkatuarve me dhe pa gjyq, u ngrit një komision trepalësh i përbërë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Shoqata e të Dënuarve Politikë. Sipas kërkimeve rezulton se një pjesë e të pushkatuarve pa gjyq nuk janë raportuar.

Ka prej tyre që nuk kanë pasur të afërt për të marrë dëmshpërblimin ose që nuk e kanë pasuar familjen në Shqipëri, apo që familja nuk mund të provonte të dhënat. Bëhet fjalë për më shumë se një mijë të pushkatuar pa gjyq që nuk janë regjistruar. Rreth 180 janë vetëm në masakrën e Shipkës, ngjarje për të cilën ende asnjë prej tyre nuk është identifikuar. Të pushkatuarit pa gjyq, që identifikoheshin në komisionin trepalësh, u përfshinë në listat e dëmshpërblimit deri në vitin 1998.

HARTA
Po ashtu, Instituti i drejtuar nga Agron Tufa ka nisur hulumtimet në terren për të evidentuar burgjet dhe kampet e punës në të gjithë territorin për të hartuar një hartë të saktë, në të cilin të përcaktohet topografia e krimeve të komunizmit.

“Ka nisur një hulumtim në terren për të evidentuar burgjet dhe kampet e punës së detyruar nëpër gjithë territorin e Shqipërisë, për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet “topografia e terrorit komunist”. Pas hartimit të të dhënave, Instituti do kërkojë rrugë e mundësi, të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memoriale e pllaka përkujtimore”, thekson raporti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura