Raporti/ Kreditë me probleme vijojnë rënien edhe në mars

May 10, 2022 | 16:58
SHPËRNDAJE

krediRaporti i kredive me probleme ka vijuar rënien edhe në muajin mars. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti lehtë në rreth 5.24%, nga 5.39% që kishte qenë për muajin shkurt.

Ky tregues ka shënuar rënie për 14 muaj radhazi.

Raporti i kredive me probleme është rreth 2.72 përqindje më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aktualisht, raporti i kredive me probleme është në nivelet më të ulëta që prej fundit të vitit 2008, kur edhe nisi cikli i gjatë i rritjes së tyre.

Treguesi i kredive me probleme po shënon një ulje të qëndrueshme që prej vitit 2016, kur pati arritur pikun pranë nivelet të 25%. Pandemia e ngadalësoi disi uljen kredive me probleme, por ndikimi i saj ishte afatshkurtër dhe ky raport iu kthye rënies vitin e kaluar.

Rimëkëmbja e dukshme e ekonomisë krahasuar me vitin 2020, e dëshmuar nga ecuria më e mirë e treguesve të prodhimit dhe punësimit, ndikoi pozitivisht aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve. Nga ana tjetër, vijueshmëria e ofertës së lartë për kredi nga sektori bankar solli edhe zgjerim të portofolit total, duke ndikuar pozitivisht edhe raportin e kredive të këqija. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të muajit mars arriti vlerën rekord të 683 miliardë lekëve ose 5.6 miliardë eurove, në rritje me 11.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, që prej fundit të vitit të kaluar ekonomia po përballet me rritje të çmimeve të produkteve energjetike dhe atyre ushqimore, çka po reflektohet në nivele në rritje të inflacionit. Për muajin prill, INSTAT raportoi një normë vjetore inflacioni prej 6.2%, nga 5.7%, muajin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të lartë në 20 vjet.

Rritja e shpejtë e inflacionit pritet të gërryejë fuqinë blerëse dhe të ndikojë negativisht aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse, por deri tani kjo situatë ende nuk po shfaq efekte të dukshme në raportin e kredive me probleme. Pasi cilësia e kredisë e kaloi me sukses provën e pandemisë, edhe falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ndodhet përballë një sfide më serioze.

Nëse pasojat e pandemisë u lanë pas për një kohë relativisht të shkurtër, pasojat e inflacionit mund të jenë më të thella dhe më afatgjata. Inflacioni i lartë nga njëra anë dhe rritja e normave të interesit nga ana tjetër mund ta bëjnë këtë cikël delikat, sidomos për ato subjekte që kanë një ngarkesë të lartë me borxh. Situata e re e krijuar pritet të reflektohet në një ngadalësim të kredidhënies krahasuar me vitet e mëparshme.

 


Burimi: Banka e Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura