RAPORTI/ Komunistët që bënë aheng në ditët e zisë për Stalinin

May 3, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Jehona që pati shkaktuar në Shqipëri vdekja e Stalinit në vitin e largët 1953, është fashitur tërësisht nga kujtesa e bashkëkohësve. Të vetmit që e kujtojnë me dhimbje janë 127 ish-anëtarë të Partisë së Punës, që ai moment dramatik u ka shënjuar fatin e keq të jetës.

Faksimile të raporteve të Komitetit të Partisë së Tiranës e Durrësit
Faksimile të raporteve të Komitetit të Partisë së Tiranës e Durrësit

Një dokument sekret i Komitetit Qendror, i fundmarsit të atij viti, ku listohen emrat e tyre, bën me dije motivin për të cilin janë “pushkatuar” politikisht viktimat e radhës të Partisë-shtet. 

“Të gjithë këta, shkruan e zeza në të bardhë Sadik Bocaj, asokohe Drejtor i Drejtorisë së Organizimit të KQ, kanë thyer zinë kombëtare për vdekjen e Stalinit të madh”. “Mëkati” i jashtëzakonshëm i 127 komunistëve, i zbuluar rishtazi nga “syri vigjilent” i Partisë, ishte sa absurd, aq dhe banal.

“Kur populli ynë nën udhëheqjen e Partisë dhe mbarë bota paqedashëse qante për humbjen e madhe, ata morën pjesë në gosti me këngë e pije”, sqaron në vijim dokumenti në fjalë, që, me sa duket, përmbyll procedurat zyrtare të fushatës së spastrimeve në Parti për “aktet e turpshme dhe armiqësore të demonstruara nga komunistë të veçantë në ditët e zisë të Stalinit të madh”.

Paradoksi i aksionit famëkeq shfaqet akoma më qartë në grupin e relacioneve që merrte ato ditë Komiteti Qendror nga strukturat e vartësisë nëpër rrethe e institucione. Nga dosja përkatëse publikojmë sot dy të tilla: një informacion “për disa qëndrime të shëmtuara të disa komunistëve të rrethit Tiranë e Durrës në ditën e zisë të shokut Stalin” dhe një raport të Sekretarit të Parë të rrethit të Gjirokastrës, Mustafa Pajenga, “për sjelljen poshtronjëse të disa anëtarëve të Partisë që e kthyen ditën e zisë të shokut Stalin në ditë gëzimi dhe qejfi”.

 

Populli, i mbledhur para sheshit te Kuvendit Popullor ne Tirane, degjon lajmin e vdekjes se J.V.Stalinit.
Populli, i mbledhur para sheshit te Kuvendit Popullor ne Tirane, degjon lajmin e vdekjes se J.V.Stalinit.

Pjesa më e madhe e atyre që kanë shkelur vijën e kuqe, sipas këtyre materialeve zyrtare, ditën e funeralit të “Babait të revolucionit” kanë marrë pjesë në dasma familjarësh e miqsh dhe kanë kënduar e janë dehur me pije (!) Nuk kanë shpëtuar nga ky “mëkat” as zyrtarë të lartë të Partisë, siç ka qenë rasti i Reiz Maliles, i cili ditën e mortit ka marrë nusen me orkestër, apo rasti i Sali Verdhës, drejtor i shfrytëzimit të hekurudhave, i cili ditën e zisë pi e dehet me shokë të Ministrisë së Kontrollit dhe i dehur shkoi në mbledhjen e kolektivit ku bëri një figurë të ulët.

Njëherazi me dasmorët që kanë harruar për një moment “humbjen e madhe”, vigjilencës së Partisë s’i kanë shpëtuar as komunistë të tillë si Kasëm Bylyku dhe Pandeli Prifti, që ditën e betimit para bustit të Stalinit zgërdhiheshin duke qeshur(!)…

***

DOKUMENTI I

Informacion

Mbi disa qëndrime të shëmtuara të disa komunistëve në ditën e zisë të shokut Stalin

Në Durrës:

1-Kandidati i Komitetit të Partisë së rrethit, Qimo Kushuta, mori pjesë në një dasmë, ku këndon dhe dehet në ditën e funeralit të shokut Stalin.

2-Anëtari i Partisë Sali Verdha, drejtor i shfrytëzimit të hekurudhave, pi e dehet me disa shokë të tjerë të Ministrisë së Kontrollit dhe kështu i dehur shkoi në mbledhjen e kolektivit ku bëri një figurë të ulët. Ky shok ato ditë ka dashtë me festu edhe ditëlindjen e fëmijës së tij, por i këshilluar nga shokët nuk e bëri.

3-Anëtari i Partisë Xhevdet Laze mori pjesë në një dasmë ditën e funeralit të shokut Stalin ku këndon dhe dehet.

4-Anëtari i Partisë Kadri Peku martohet duke marrë dhe orkestër në ato ditë të zisë të shokut Stalin dhe megjithëse u këshillua për një gjë të tillë nga shokët e Degës së Punëve të Brendshme që ta ndërpriste ahengun, ai refuzoi dhe vazhdoi ta çonte deri në fund ceremoninë.

5-Anëtarët e Partisë Kasëm Bylyku dhe Pandeli Prifti që të dy vazhdonin kursin pesëmujor të Partisë, nuk u ka bërë përshtypje vdekja e shokut Stalin. Që të dy këta në kohën e betimit kanë qeshur.

Në Tiranë:

1-Anëtari i Partisë Reiz Malile në ditën e funeralit të shokut Stalin, më 8.3.1953, është martuar. Çështja e shokëve të sipërpërmendur është shtruar respektivisht në organizatat bazë të Partisë dhe në byro të komiteteve të partisë përkatëse dhe është mbajtur qëndrim.

Në Durrës për kandidatin e Komitetit të Partisë së rrethit, Qimo Kushuta, u vendos përjashtimi nga radhët e Plenumit të Partisë dhe vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Për anëtarin e Partisë Sali Verdha u mor vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Për anëtarin e Partisë Xhevdet Laze u mor vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit.

Për ish-anëtarin e Partisë Kadri Paku përjashtim nga Partia. Për ish-anëtarët e Partisë Kasëm Bylyku dhe Pandeli Prifti përjashtim nga Partia. Në Tiranë për anëtarin e Partisë Reiz Malile u vendos vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit.

Drejtori i Drejtorisë së Organizimit të KQ të Partisë, Sadik Bocaj. Tiranë, më 31.3.1953

DOKUMENTI II

Informacion Komitetit Qendror të PPSH

Gjatë ditëve të zisë që mbajti Partia dhe gjithë populli shqiptar për humbjen e parakohshme të shokut të madh Stalin, Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit Gjirokastër ka mësuar se disa shokë komunistë dhe anëtarë të Komitetit të Partisë së rrethit, e kanë kthyer ditën e zisë dhe pikërisht ditën e varrimit, më datë 8.3.1953, ditën që populli ynë bëri betimin solemn para shokut të madh Stalin, në ditë gëzimi dhe qejfi.

Faksimile e raportit të Komitetit të Partisë së Gjirokastrës
Faksimile e raportit të Komitetit të Partisë së Gjirokastrës

Konkretisht:

-Më datë 8.3.1953, familja e anëtarit të Partisë dhe kandidates së Plenumit të Komitetit të Partisë dhe përgjegjëses së organizatës së gruas për rrethin, shoqes Niqi Bashari, bëri dasmën e vëllait – anëtar partie – Risto Bashari.

Në këto momente dhimbjeje të papërshkruara që gjendej e gjithë Partia dhe populli e mbarë popujt paqedashës të botës për humbjen e shokut të madh Stalin, shoqja Niqi Bashari pa as më të voglin preokupacion vjen dhe kërkon mendimin e Sekretares së Dytë të Komitetit të Partisë, shoqes Parashqevi Shehu, se si të veprojë, mbasi më datë 8.3.1953 kishte prerë ditën për të marrë nusen.

Shoqja Parashqevi Shehu pa e zgjatur i thotë: “Mund të merrni nusen dhe i porosit që të mos bëjnë dasmë!”. Me këtë porosi, shoqja Niqi Bashari nga njëra anë merr nusen dhe nga ana tjetër gjendet dhe në mitingun e zisë e në rojen e nderit para bustit të shokut Stalin.

Ky akt, sipas mendimit tim, është shumë i rëndë jo vetëm për shoqen Niqi Bashari, të vëllanë etj., por, në radhë të parë, për Sekretaren e Dytë të KP, shoqen Parashqevi Shehu, e cila në vend që të alarmohej dhe ta dënonte shumë rëndë konceptin thellësisht borgjez të shoqes Niqi Bashari, kur i kërkoi asaj si të bëjë, e përkrahë pikpamjen e saj.

Për sa sipër, unë dhe Byroja mundëm ta mësojmë këtë gjë vetëm kur i kërkuam aparatit mbi qëndrimin e disa shokëve komunistë për të cilët do të mësoni më poshtë. Tue qenë kështu mendova se kam të bëj me qëndrime të huaja shumë serioze, dhe prandaj i kërkova Byrosë – me qëllim që të konsultohem me ju – ta shtynim dhe e shtymë shqyrtimin e gjykimin mbi qëndrimin e këtyre shokëve.

-Siç e thashë, po më datë 8.3.1953, raste të tilla identike që kanë marrë nusen, kanë fejuar motrat, ose janë martuar janë vërtetuar edhe: Në katundin Zervat. Anëtari i Partisë dhe propagandisti i shkollës politike atje, shoku Jani Gjika, bën fejesën e motrës (me dasmë) te kandidati i Partisë Dhimitraq Rafti. Në këtë dasmë marrin pjesë gjithashtu A.P. dhe sekretari i organizatës bazë të Partisë së kooperativës, shoku Mihal Guzhupa, kandidati i Partisë Maqo Guzhupa, KP Panajot Barka, AP Nikollaq Gjika, KP Sokrat Rafti, AP LLambi Qiqi, AP Llambi Rafti, AP Theodhori Jovani, efektiv i organizatës së Partisë së Jorgucatit.

Dasma ka qenë e përgatitur, të gjithë komunistët e lartpërmendur kanë bërë këngë, saze, valle etj. Kështu, dita e zisë në këtë qendër është kthyer në ditë qejfi e gëzimi. Kjo situatë u verifikua në vend dhe rezultoi plotësisht kështu.

Duhet përmendur se protagonist i përgatitjes së dasmës, shoku Jani Gjika, është pikërisht një komunist që thirret dhe këshillohet në lidhje me thëniet e tij: “Pse Komandanti s’vajti të luftojë në Spanjë si shoku Mehmet”. Sipas mendimit tim, këtu kemi të bëjmë me një njeri të rafinuar, shumë të poshtër, i cili me marifet i futi në grackë gjithë të tjerët dhe bëri të implikojë në këtë poshtërsi gjithë komunistët e tjerë të kooperativës së Zervatit.

-Po në këtë datë, kandidati i Partisë Petro Paskali, arsimtar nga katundi Selckë i Poliçanit, ka martuar motrën dhe ka bërë dasmë me orkestër. Në këtë dasmë kanë marrë pjesë komunisti Koço Bishaka dhe Qiro Lite të organizatës së Poliçanit.

-Po kështu kandidatja e Partisë Sofie Gushi, efektive e organizatës së spitalit, po në këtë datë në qytet ka fejuar vajzën e saj. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë dhe komunisti Vaso Konomi bashkë me vëllezërit e tij, Theodhor Konomi dhe Sokrat Konomi. Edhe këtu ishte i njëjti justifikim se kishim prerë ditën.

-Anëtari i Partisë Zabit Hida nga Plesati po në këtë datë u martua vetë me dasmë.

-Gjithashtu është për t’u vënë në dijeni se komunisti dhe nëndrejtori i Ndërmarrjes së Grumbullimit, Pandeli Garo, të cilin Konferenca e Partisë për qëndrime oportuniste dhe mungesë të theksuar vigjilence e përjashtoi nga Plenumi i rrethit, ditën e nesërme të vdekjes së shokut Klement Godvald i ka thënë në bisedë instruktorit të seksionit të Agjit-Profit të Komitetit të Partisë, Vangjel Pullës: “Çudi si ngjasin këto gjëra njëra pas tjetrës. Mos vallë u kanë dhënë të dyve ndonjë hapë?!”.

Tani në fund kam mësuar që Pandeli Garos i kanë parë një letërnjoftim për qëndrim të përkohshëm në Greqi, të cilën e ka marrë kur ka qenë andej dhe e ruan akoma për raste “eventuale”. Kam bindjen e plotë se ky është shovinist i tërbuar, armik dhe i poshtër.

Të gjitha rastet e fejesave dhe martesave janë pothuaj të një kategorie. Mendoj se sado e fortë të jetë te këta shokë forca e zakonit, në asnjë mënyrë, për mendimin tim, nuk mund të arrihej deri këtu. Për mendimin tim, këto akte janë poshtronjëse, armiqësore fund dhe krye. Akoma edhe sot qajnë fëmijët për Stalinin e madh. Është shumë e rëndë që në momentet e pikëllimit dhe hidhërimit të thellë Sekretarja e Dytë shfaq mendimin të bëhet martesa.

U bë me dasmë apo pa dasmë, në fakt vetë martesa është një gëzim, një gosti.

Unë mendoj:

-Qëndrimi i shoqes Niqi Bashari dhe Parashqevi Shehu të dënohet shumë rëndë.

-Jani Gjika në Zervat, pasi të bëjmë analizën, ta përjashtojmë nga Partia dhe kooperativa.

-Koço Qiqin, kryetar i kooperativës së Nepravishtës, ta shkarkojmë nga përgjegjësia.

-Pandeli Garon ta hedhim jashtë Partisë, ta shkarkojmë nga detyra që mban dhe sipas rrezikshmërisë t’u jepet organeve të ndjekjes; ai është i vjetër si partizan, por është i poshtër dhe unë gjykoj se ai me kohë do të jetë rekrutuar nga agjentura greke.

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, Mustafa Pajenga.

***

Kronika e kohës: 730 mijë shqiptarë betohen para Stalinit

Është 9 marsi i vitit 1953, dita e funeralit të Stalinit. Mijëra shqiptarë, të prirë nga Enver Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë të Partisë dhe të shtetit, bien në gjunjë përpara përmendores së bronztë në qendër të Tiranës. Në ekranet e vendosura rreth e qark sheshit “Skënderbej”, shfaqet Kremlini, shpërthime artilerie në shenjë zije, flamuj të ulur gjysmështizë. Enver Hoxha i ulur në gjunjë para monumentit, bën betimin e popullit shqiptar para Stalinit.

“Për ne, kumton ai, Stalini nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë kurrë. Betohem se do ta mbaj lart flamurin e internacionalizmit proletar”. “Betohem!”, thërrasin sakaq anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror. “Betohem!”, brohoret turma e madhe e paparë ndonjëherë në shesh.

Pas vendosjes së kurorave me lule para monumentit, fillojnë të nënëshkruajnë teksin e betimit udhëheqësit e Partisë dhe të pranishmit e tjerë. Nënshkruan i pari Enveri, i pasuar nga udhëheqëit e tjerë. Në vijim afrohen për të nëshkruar punonjësit e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, ata të fabrikes së çimentos në Shkodër, të SMT-së Korçë, fshatarë të Ndroqit, të Gllaboçishit të Maqellarës, të Shishtavecit të Kukësit.

Më pas gratë, studentët e Instituteve të Larta, nxënësit e shkollave të ulëta dhe në fund recitohen vargje kushtuar Stalinit nga shkrimtari Llazar Siliqi. Nga ky moment, bën të ditur një tjetër kronikë, 730 mijë shqiptarë, kur popullsia e vendit shënon 1. 3 milionë banorë, firmosën “Betimin e popullit shqiptar para Stalinit të Madh”, dokument i cili më 2 korrik iu përcoll Moskës.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura