“Raporti i OBSH tepër shqetësues”, ish-deputetja: Shtimi i buxhetit të shtetit ndihmon mjekët dhe…

Aug 10, 2020 | 16:50
SHPËRNDAJE

Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka reaguar pas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke theksuar se për Shqipërinë ai është tepër shqetësues dhe duhen marrë masa të menjëhershme për t’i dhënë zgjidhje kujdesit të shëndetit publik në vend.

klajda-gjoshaj-761x450

Gjosha shkruan se qeveria duhet të kuptoj se menaxhimi i situatës me pandeminë po dështon sektorin e shëndetësisë, edhe atë ekonomik, ndërsa shton se “fjala ‘hero’ nuk mjafton për t’i ndihmuar mjekët në punën e tyre, ndaj shtimi i buxhetit duke i dhënë sektorit të shëndetësisë rëndësinë që meriton, ndihmon mjekët dhe përmirëson jetën e qytetarëve!”

Reagimi i plotë:

Raporti i OBSH për Shqipërinë është tepër shqetësues dhe kërkon një veprim imediat për t’i dhënë zgjidhje kujdesit të shëndetit publik në vend, sidomos me situatën e Pandemisë. Raporti nënvizon se:

“Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”.

Përtej kësaj është e rëndësishme që qeveria të kuptoj se menaxhimi i situatës me Pandeminë po dështon sektorin e shëndetësisë, edhe atë ekonomik. Gjatë gjithë kësaj kohe jam munduar të bëj disa konstatime që kërkojnë një ndërhyrje urgjente:

  1. Nuk ka asnjë protokoll se si pranohen pacientët që kanë nevojë për shtrim në spital. Në të shumtën e rasteve duket sikur veprohet me hamendësime!
  2. Të gjitha spitalet, përtej Infektivit dhe Senatoriumit, duhet të plotësohen me Epidemiolog. Kjo është mjaft e rëndësishme edhe për maternitetet ku vijnë në jetë me dhjetra fëmijë, që janë të rrezikuar që ditën e parë të jetës, nga mungesa e protokolleve strikte dhe kontrollove nga njerëzit e specializuar.
  3. Ne shpesh herë përqëndrohemi te mungesa e mjekëve, ndërkohë që mungesa e sanitareve është shumë e theksuar dhe në këto momente të vështira dhe shtimi i këtij personeli është absolutisht parësor.
  4. Ne kemi nevojë për një testim të popullatës në masë për të kuptuar se sa të prekur jemi dhe më pas të kemi strategjinë e parandalimit.

Përtej të quajturit të mjekëve heronj, ata më shumë kanë nevojë për infrastrukturë, respekt, shpërblim financiar dhe protokolle të mirë përcaktuara për të kryer sa më mirë detyrën e tyre.

Fjala ‘Hero’ nuk mjafton për t’i ndihmuar mjekët në punën e tyre, ndaj shtimi i buxhetit duke i dhënë sektorit të shëndetësisë rëndësinë që meriton, ndihmon mjekët dhe përmirëson jetën e qytetarëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura