Raporti i KSHH: Shkarkimet nga vetingu boshatisin prokuroritë, ja ku është gjendja më e rënduar

Nov 14, 2019 | 19:02
SHPËRNDAJE

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke përllogaritur disa të dhëna të marra zyrtarisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shkruan se shkarkimet nga vetingu kanë krijuar vakanca të shumta në prokuroritë e vendit.

veting

Rasti më i rënduar paraqitet në Durrës, që në organikë parashikon 4 prokurorë, ndërsa aktualisht ka vetëm 1 në detyrë dhe mungesat janë plotësuar me delegime.

“17.8% e vendeve në Prokuroritë e Shkallës së Parë dhe të Apelit rezultojnë me vakanca të përkohshme ose të përhershme. Referuar të dhënave të fundit të marra në rrugë zyrtare nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, rezulton se nga 320 prokurorë që duhet të kishin prokuroritë e dy niveleve (të Shkallës së Parë dhe të Apelit), 58 vende ose 17.8% e totalit rezultojnë me vakanca. Situata për sa i takon organikës dhe vakancave të krijuara si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar dhe daljes në pensionin së prokurorëve nuk paraqitet e njëjtë në gjitha prokuroritë në rang vendi.

Konkretisht: Numri i prokurorëve pranë Prokurorive të Gjykatave të Shkallës së Parë në rang vendi është 291 prokurorë, prej të cilëve 22 prokurorë janë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Sot, në të gjitha këto prokurori, numri i vakancave është 47 dhe janë vakanca të përhershme ose të përkohshme. Rezulton se 14 vende vakante janë krijuar si pasojë e prokurorëve që nuk kanë kaluar vetingun në KPK ose në KPA. Numri më i madh i vakancave vihet re në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka 22 prokurorë në organikë, por sot numëron 7 vende vakante.

Mungesat më të mëdha vihen re në prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit. Numri i prokurorëve në prokuroritë pranë gjykatave të Apelit në rang vendi është 28 prokurorë, prej të cilëve 2 janë pranë Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, por në këto prokurori, sot, më shumë se 1/ 3 e vendeve, përkatësisht 10, rezultojnë me vakanca të përhershme ose të përkohshme. Gjysma e tyre, 5 vakanca, janë krijuar si pasojë e procesit të vetingut.

Më problematike situata paraqitet në Prokurorinë e Durrësit, ku organika parashikon 4 prokurorë, por sot numërohen 3 vakanca, të tria për shkak të vetingut; në Gjirokastër e në Korçë duhet të ishin nga 2 prokurorë, por në secilën prokurori ka nga një vend vakant, sërish si pasojë e vetingut; Prokuroria e Apelit Tiranë duhet të kishte 9 prokurorë, por sot numëron 3 vende vakante”, shkruan KSHH.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura