Raporti i KQZ/ Partitë shpenzuan 2.9 miliardë lekë në zgjedhje. PS me diferencë katërfish më të lartë se PD, ja buxheti i LSI

Sep 22, 2021 | 11:13
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste arrti të fitojë zgjedhjet e 25 prillit duke marrë mandatin e tretë radhazi, por përpos rezultatit të certifikuar nga KQZ, PS rezulton edhe partia e cila ka pasur buxhetin më të madh dhe ka bërë shpenzimet më të mëdha në zgjedhjet parlamentare.

25 prill

Gazeta “Panorama” ka analizuar të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së të raporteve të subjekteve politike dhe kandidatëve për fushatën zgjedhore të vitit 2021. Sipas dokumentit financiar të deklaruar nga vetë subjektet dhe individët që morën pjesë në procesin e 25 prillit, të gjitha partitë shpenzuan 2.9 miliardë lekë të rinj. Partia Socialiste e Shqipërisë udhëheq në të gjitha sektorët, duke pasur në dispozicion të ardhura më të larta për fushatën zgjedhore se çdo parti tjetër, madje me një diferencë të madhe nga kundërshtarët e saj opozitarë.

Socialistët kishin në dispozicion 176 milionë e 538 mijë lekë të rinj, ose mbi 1.7 miliardë lekë, ndërsa kanë shpenzuar 172 milionë e 45 mijë lekë të rinj. PS ka pasur një diferencë thuajse 4-fish më të madhe në të ardhura dhe shpenzime nga rivali i saj direkt, Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila renditet partia e dytë për sa u përket të ardhurave dhe shpenzimeve financiare për fushatë zgjedhore. Demokratët kanë pasur në dispozicion një buxhet total prej 47 milionë e 625 mijë lekësh të rinj dhe i ka shpenzuar të gjitha.

Partia e tretë që pati të ardhurat dhe shpenzimet më të larta ishte Lëvizja Socialiste për Integrim, me pak para më pak se PD. LSI, e cila mori vetëm 4 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, pati në dispozicion 43 milionë e 501 mijë lekë të rinj, që sipas deklarimit në KQZ, i shpenzoi të gjitha. Për sa u përket shifrave të partive të tjera, ato janë të papërfillshme në raport me socialistët dhe demokratët. PS udhëheq edhe në sektorët e tjerë. Kështu, fituesit e zgjedhjeve rezultojnë me të ardhurave nga fondet publike në shumë e 55 milionë e 826 mijë lekëve të rinj. PD nga ana e saj arriti të sigurojë 33 milionë e 318 mijë lekë të rinj të ardhura nga fondet publike, ndërsa LSI 18 milionë e 975 mijë lekë të rinj. Edhe në këtë kategori PS ka një diferencë të theksuar me rivalët opozitarë edhe nëse i bashkojmë ato.

Socialistët janë të parët edhe për sa u përket të ardhurave të krijuara nga vetë partia me 76 milionë e 980 mijë lekë të rinj, ndërsa LSI renditet e dyta me 15 milionë e 757 mijë lekë të rinj, kurse PD arriti të grumbullojë 10 milionë e 722 mijë lekë të rinj. Për sa u përket të ardhurave nga kandidatët, emrat në lista kontribuuan në PS me 38 milionë e 628 mijë lekë të rinj, ndërsa kandidatët e PD me 2 milionë e 103 mijë lekë të rinj, kurse nga LSI me 7 milionë e 546 mijë lekë. Në PS, totali shpenzimeve të bëra nga partia ishte në shumën 133 milionë e 780 mijë lekë të rinj, ndërsa totali i shpenzimeve të bëra nga kandidatët 34 milionë e 163 mijë lekë të rinj.

Në PD, totali i shpenzimeve të bëra nga partia ishte në shifrën e 43 milionë e 950 mijë lekëve të rinj, ndërsa totali i shpenzimeve të bëra nga kandidatët në shumë e 2 milionë e 103 mijë lekë të rinj. Kjo tregon se kandidatët e PS investuan më shumë se demokratët, kjo nisur edhe nga fakti që një pjesë e madhe e tyre ishte në pushtet për 8 vite, ndryshe nga kandidatët e PD-së që ishin në opozitë. Një detaj tjetër është se asnjë prej partive nuk ka marrë kredi për fushatën.

Lista e partive të ashtuquajtura të vogla udhëhiqet nga PDIU me mbi 16 milionë lekë të rinj shpenzime, ndërsa ka edhe parti të tjera që nuk kanë pasur asnjë të ardhur dhe shpenzime për fushatën zgjedhore. 5 parti nuk kanë pasur asnjë të ardhur dhe shpenzim gjatë fushatës ndërsa një nuk ka asnjë të dhënë për financat. Për sa u përket kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, asnjë prej tyre nuk ka shpenzuar më shumë se 500 mijë lekë.

SHPENZIMET E PARTIVE

Emri Totali i shpenzimeve

Partia Socialiste e Shqipërisë 172.046.612.01

Partia Demokratike e Shqipërisë 47.625.660.14

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 43.501.573.15

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 145.018.50

Partia Lëvizja për Ndryshim S’ka të dhëna

Partia Lëvizja e Re 431.342.00

Partia Demokristiane e Shqipërisë 1.479.742.00

Partia Kristian Demokrate S’ka të dhëna

Partia Agrare Ambientaliste 1.085.407.00

Partia Fryma e Re Demokratike 1.703.500.00

Partia Republikane 4.217.058.00

Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet 16.385.116.50

Partia Bashkimi Demokrat S’ka të dhëna

Partia Lëvizja e Legalitetit S’ka të dhëna

Partia Bindja Demokratike 2.780.463.00

Partia Kombëtare Konservatore S’ka të dhëna

Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptare S’ka të dhëna

Kandidati Kreshnik Merxhani 234.90200

Kandidati Boiken Abazi 384.880.00

Kandidati Iljaz Shehu 342.150.00

Kandidati Pal Shkambi 265.000.00

Kandidati Elton Debreshi 498.006.16

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura