Raporti i konsullit amerikan për gjendjen e Shqipërisë në qershor 1922! Përse Blake i rekomandoi Sekretarit të Shtetit njohjen e shtetit shqiptar

Jul 21, 2022 | 16:09
SHPËRNDAJE

shqiperia 1992 4

ROMEO GURAKUQi

MBROJTËSI KRYESOR I SHQIPËRISË NË LIDHJEN E KOMBEVE KA QENË LORD CECIL-I.

Apeli i tij për drejtësi në të mirë të këtij vendi fitoi në Asamble. Po pse Robert Cecil u bë mbrojtës i çështjes shqiptare në Lidhjen e Kombeve?

(Vijon nga numri i kaluar) Lordi Robert Cecil ka qenë ndër politikanët më të parë të kontinentit të vjetër, që përqafoi të paktën disa nga parimet e Diplomacisë së Re, të Diplomacisë së Hapur, asaj të promovuar me 14 Pikat e Presidentit Wilson, në sistemin dhe në bazat e Diplomacisë së Vjetër.

Robert Cecil-i dhe Lloyd George njëlloj, kishin ide të ngjashme për Lidhjen, si një bashkësi e shteteve të vetëqeverisura dhe sovrane, të cilat duhet të drejtoheshin prej pesë Fuqive të Mëdha të Parisit. Brenda kësaj kornize duhet kuptuar edhe qëndrimi i Lordit Robert Cecil ndaj Shqipërisë.

Liria, vetëvendosja dhe integriteti i shtetit shqiptar, ishin pjesë e koncepteve të tij mbi Diplomacinë e Re, që gradualisht po hapte me vështirësi rrugën në periudhën pas LPB. Delegati i Perandorisë Britanike, Herbert Fisher-i, deklaroi se delegacioni britanik kishte ndërmarrë një studim të ri dhe tërësor të situatës shqiptare, ishte tani i përgatitur të pranonte mocionin e Lordit Robert Cecil dhe të votonte për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Kështu, me 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në mënyrë të njëzëshme, me 35 vota pro, asnjë kundër dhe 6 abstenime dhe formalisht u bë anëtar i Lidhjes së Kombeve. Shqipëria u njoh de jure si një shtet sovran dhe i pavarur, megjithëse kufijtë e saj me Jugosllavinë dhe Greqinë ende ishin të pavendosur.

Pas kufizave të qarta të vendosura nga Presidenti Wilson në lidhje me kufijtë e Shqipërisë, pas çlirimin prej vargonjve të ndikimeve të huaja fqinje dhe pas këtij akti të pranimit në Lidhjen e Kombeve, Shqipërisë i hapej rruga e parë e vendosjes së marrëdhënieve normale diplomatike me të gjitha Fuqitë e Mëdha fituese në Luftë dhe shtete të tilla si Italia, Greqia dhe Jugosllavia, të cilat deri në këtë kohë kishin pas planifikuar copëtimin e saj.

Mirëpo, pavarësisht se Shqipëria ishte pranuar në Lidhjen e Kombeve dhe ishte bërë anëtare e saj, Fuqitë e Mëdha ende nuk kishin marrë një vendim përfundimtar mbi statusin e këtij shteti dhe kufijtë politikë të tij në Konferencën e Ambasadorëve që mblidhej për të plotësuar vendimet e paarritura prej Konferencës së Paqes.

Për fat të keq, Aleatët e Antantës gjendeshin ende të varur nga klauzolat e Traktatit ë Fshehtë të Londrës së vitit 1913 dhe nga ndërhyrjet e paqëndrueshme të Italisë. Inkoherente në qëndrimet e veta, politika e jashtme italiane endej mes pamundësisë për aplikimin praktik të këtyre klauzolave, nganjëherë dorëheqjes ndaj aplikimit të këtyre klauzolave, dhe më së shumti drejt dëshirës për një rol të rëndësishëm edhe më tutje, mbi pjesën lindore të Kanalit të Otrantos, Shqipërinë e porsaformuar.

Qeveria italiane, megjithëse kishte hequr dorë nga pretendimi për një protektorat mbi Shqipërinë Qendrore, të njohur prej Traktatit të Fshehtë të Londrës, e konsideronte Shqipërinë të lidhur ngushtësisht me politikën italiane në Detin Adriatik. Nga ana tjetër, zyrtarët më të lartë italianë, shpreheshin se shpresonin që një shtet shqiptar që do të përfshinte të gjithë Shqipërinë brenda kufijve të vitit 1913, do të vendosej mbi baza pak a shumë të qëndrueshme.

shqiperia 1992

Por qeveria italiane e kishte të qartë se trazirat në Shqipëri mund të vinin nga veriu, për shkak të ambicieve jugosllave dhe nga jugu, për shkak të elementeve grekomane në Epirin e Veriut. Krahas fuqive e reja ballkanike, Mbretërisë SKS dhe Greqisë, Italia kishte pjesën e tretë të fajit në destabilizimin e jashtëm të përpjekjeve për krijimin e një shteti shqiptar.

Gjatë vitit 1921, çështjet e lidhura me Shqipërinë, të mbetura të pazgjidhura në arenën ndërkombëtare, do të jenë edhe më tutje objekt diskutimesh edhe në Lidhjen e Kombeve, para së gjithash me nxitjen e qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesit të saj Fan Stilian Noli.

Problemi i krijuar nga njohja më 17 dhjetor 1920 e Lidhjes së Kombeve, përveçse një problem politik, kishte krijuar dhe një problem të ndërlikuar ligjor, që kërkonte një shpjegim nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Një prej çështjeve, mbi të cilat komiteti dhe vetë asambleja ishte ndarë, ka qenë e lidhur me faktin nëse pranimi në Lidhjen e Kombeve ishte i barabartë me njohjen e shtetit?

Në fakt, në qoftë se një shtet pranon aderimin e një shteti të ri në Lidhje, ai do të duhet ta trajtojë atë si një shtet ekzistues, që zotëron të gjitha atributet e një qenieje normale të një entiteti politik shtetëror.

Duhet të kemi parasysh se periudha e trajtimit të statusit të Shqipërisë, pas Luftës së Parë Botërore, ka qenë e tillë që sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare të tërësi, vinte nga një periudhë decentralizimi dhe vetëm në këtë kohë po bëheshin përpjekje për të krijuar disa struktura bazë përqendrimi (pas Konferencës së Paqes së Parisit dhe krijimit të Lidhjes së Kombeve).

Në atë kohë, teoria konstituive e njohjes së shteteve bazohej në traktatet e Oppenheim-it. Pas Luftës së Parë Botërore, institucioni i njohjes kolektive nuk ishte i mirënjohur, ndaj dhe problemi i njohjes së Shqipërisë paraqitej shumë më i ndërlikuar. Pas qëndrimit të prerë amerikan në lidhje me Shqipërinë, pranimit të shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, edhe politika britanike ndaj Shqipërisë, gjatë vitit 1921 ndryshoi.

Pranimi i Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve si dhe presioni i opinionit publik britanik, që e shikonte mbrojtjen e kombit shqiptar dhe shtetit të pavarur të Shqipërisë si një “rast moral”, ishin sinjale të fuqishme që politika britanike ndaj këtij vendi duhej të merrte tashmë një përmasë të re dhe një shtysë më të qartë.

Sekretari i jashtëm britanik do t’i kushtojë një vëmendje të posaçme Shqipërisë, sidomos në muajt në vijim dhe falë kësaj vendosmërie dhe sensit pozitiv me të cilin ai e trajtoi këtë çështje, u arrit në zgjidhjen e problemit të statusit ndërkombëtar dhe përcaktimit teorik të kufijve më 9 nëntor 1921.

Në fakt, që më 11 maj 1921, qeveria franceze dhe më 27 maj edhe ajo italiane, kishin rënë në një mendje që të pranonin propozimin e FO mbi zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë. Sipas këtij propozimi, kjo çështje duhej t’i nënshtrohej shqyrtimit të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, dhe forma e njohjes të caktohej nga aleatët kryesorë dhe Fuqitë e Asociuara.

Diskutimet kanë vijuar intensive në vjeshtën e vitit 1921 derisa në mëngjesin e datës 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, nën kryesinë e M. Jules Cambon-it, procedoi me firmosjen e vendimit për njohjes e shtetit shqiptar dhe kufijve të tij. Si parim i përgjithshëm u përcaktua vendosja e kufijve të vitit 1913 dhe iu la ekspertëve që të propozojnë modifikime në Lindje dhe në Veri, në mënyrë që ta bënin më të logjikshme ndarjen e kufirit.

Mirëpo, rekomandimet e ekspertëve nuk qenë shumë rezultative në lidhje me Shqipërinë, për sa kohë që ato u shoqëruan me cungime të mëtejshme territoriale në Lindje dhe nuk bënë asgjë në lidhje me përfshirjen e fiseve të rëndësishme të Malësisë, Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojës në Shqipëri.

Rimbajtja jashtë Shqipërisë e këtyre fiseve me famë kombëtariste, i hoqi Shkodrës dhe katolicizmit shqiptar dy krahë të rëndësishëm të energjisë dhe peshës së saj tradicionale politike në Shqipëri. Memorandumi i ekspertit britanik, J.S. Barnes i datës 28 tetor 1921, përcjellë në Paris, Lordit Hardinge në lidhje me këto krahina, nuk u mbajt parasysh.

(Për fat të keq, problemi i Triepshit dhe Kojës u la krejt në heshtje konsiderohej i kapërcyer nga diplomacia britanike, për shkak të një aneksimi më të hershëm të këtyre dy fiseve të Malësisë prej Malit të Zi, d.m.th. pas Krizës Ballkanike 1875-1878).

Ndërsa në lindje, nevoja për të krijuar një basen praktik komunikimi dhe njëkohësisht marrëdhëniesh ekonomike për qytetet dhe rrethinat e Dibrës dhe Prizrenit, i hoqi Shqipërisë rreth 400 km2, të banuar nga popullsi e pastër shqiptare. Ky qe epilogu teorik i zgjidhjes së problemit të kufijve të shtetit shqiptar në tavolinën e bisedimeve të Konferencës së Ambasadorëve.

Zgjidhja teknike do të jetë një odise e vërtetë, që do të zgjasë edhe për disa vite të tjera. Duke filluar nga viti 1922, të gjitha trupat jugosllave dhe greke u larguan nga territori i Shqipërisë. Por Shqipërisë do t’i duhej të priste deri më 30 korrik 1926, kur Greqia, Mbretëria SKS, së bashku me Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë, të nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare që njihte kufijtë e Shqipërisë.

Gjithashtu, problemeve të papjekurisë së brendshme të institucioneve kushtetuese në Shqipëri, vazhduan t’i bashkëngjiten me intensitete të ndryshme intrigat italiane dhe jugosllave, të cilat bënë që procesi i stabilizimit shtetëror të jetë shumë i vështirë. Një ngjarje e rëndësishme për vendin në vitin 1922 ka qenë njohja shtetërore vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, shumë herët e drejtoi vëmendjen përtej Atlantikut. Në prill të vitit 1920 qeveria shqiptare i kërkoi Sekretarit të Shtetit, që të dërgonte në Shqipëri, një Komision të përbërë nga inxhinierë dhe ekspertë për hekurudhat, energjinë, minierat, financat, shëndetësinë dhe për të organizuar vendin. Pas njohjes së shtetit nga anëtarët e Lidhjes së Kombeve, më 13 dhjetor 1921, anëtarët e një delegacioni qeveritar shqiptar zhvilluan në Romë një takim me përfaqësues të Ambasadës së SHBA atje, dhe i shprehën zyrtarisht gatishmërinë e qeverisë së Tiranës për të pranuar çdo lloj njohjeje prej qeverisë amerikane.

Në lidhje me njohjen nga afër të situatës shqiptare në rrjedhën e vitit 1922, USG janë bazuar në raportet e Kolonelit Donnelly dhe përfaqësuesit të qeverisë shqiptare në SHBA gjatë vitit 1921, Mr. C. Telford Erickson.

Misionari Erickson ishte amerikani më i informuar mbi gjendjen në Shqipëri, për shkak se ai kishte qenë i përfshirë në çështjet e Sinclair Oil Company e angazhuar për koncesionet e naftës në vendin ballkanik. Kështu, interesave politike, arsyes së shëndoshë, parimeve të reja diplomatike u shtoheshin si faktorë pozitivë në dobi të Shqipërisë, interesat ekonomike dhe tregtare amerikane.

Më 26 prill 1922, zëvendëspresidenti i Sinclair Oil Exploration Company, A. C. Veatch, iu adresua Sekretarit të Shtetit me një letër, në të cilën shpjegonte se opinioni publik në Shqipëri ishte në të mirë të dhënies së koncesionit të naftës një kompanie jo europiane dhe se pas kapërcimit të vështirësive të njohjes së qeverisë dhe shtetit shqiptar në muajin nëntor 1921, çështja e koncesioneve të naftës pritej të trajtohej në mbledhjen e parë të Parlamentit të ri në muajin maj të vitit 1921.

shqiperia 1992 a

Ai tërhoqi vëmendjen DASH se interesat amerikane, jo vetëm në lidhje me koncesionet e naftës, por edhe me aspekte të tjera, në vitin 1922 ishin deri më tani në disavantazh, mbasi SHBA nuk kishin ndjekur shembullin e shteteve të mëdha europiane për njohjen e Shqipërisë pas nëntorit të vitit 1921.

Prandaj ai rekomandonte me forcë, që SHBA duhej të dërgonte një përfaqësues të vetin në këtë vend, që nuk mund të lihej jashtë trajtimit sinkron me fuqitë e tjera. Reagimi i Sekretarit të Shtetit Hughes ka qenë i menjëhershëm.

Ai emëroi Konsullin e Përgjithshëm në Tangier, Denning si të Dërguar të Posaçëm në Shqipëri me Statusin e Konsullit të Përgjithshëm mbi bazën e caktimit të përkohshëm. Në mesazhin e caktimit të Misionit, të nisur më datë 27 prill 1922, Sekretari i Shtetit, i bën me dije se DASH është duke konsideruar njohjen e Shqipërisë, por ma përpara ky institucion kishte nevojë për një raportim të hollësishëm mbi gjendjen në vend, qëndrueshmërinë e qeverisë së atëhershme të Shqipërisë, interesat ekzistuese dhe projektimet e ardhshme të SHBA në atë vend.

Është koha kur Fuqitë e Këshillit të Epërm të Antantës e kishin njohur Shqipërinë de jure. Nga ato vende, Anglia dhe Italia kishin dërguar Ministrat e vet, të cilët ishin shumë aktivë; Franca përfaqësohej nga Konsulli në Shkodër, Japonia nuk kishte ende një përfaqësues pavarësisht njohjes, ndërkohë që njohje kishin akorduar Finlanda, Zvicra, Belgjika dhe Jugosllavia, kjo e fundit e përfaqësuar nga një i ngarkuar me punë.

Më 18 maj 1912, Këshilli i Lidhjes së Kombeve vendosi që Lidhja vetë të merrte protektoratin mbi Shqipërinë dhe se do të emëronte disa ekspertë financiarë ekonomikë, financiarë dhe ligjore për t’i asistuar vendit të ri. Këshilltarët ishin udhëzuar të mos punonin në mënyre preferenciale, por të paanshme, me synimin për ta bërë pavarësinë e Shqipërisë, sa më efektive.

Italia protestoi në lidhje me këto tagre të marra nga Lidhja, me pretendimin se Shqipëria ishte një interes i veçantë i Italisë. Duhet të kujtoj edhe një zhvillim tjetër të brendshëm ndërqeveritar amerikan që vulosi përfundimisht nisjen e misionit në Shqipëri. Me 26 prill 1922, Sekretari i Tregtisë (Hoower) në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Hughes, tërhoqi vëmendjen mbi faktin e negociatave që po zhvilloheshin nga Sinclair Oil Corporation për koncesionin e vajgurit në Shqipërisë.

Për këtë arsye, ai mendonte se do të duhej merrej në konsideratë serioze çështja e njohjes së Shqipërisë dhe dërgimi sa më shpejt i një përfaqësuesi atje. Gati një muaj më vonë, më 22 maj 1922, Sekretari i Shteti iu përgjigj kolegut të tij duke e sqaruar, se Konsulli i Përgjithshëm Maxwell Blake, ish-agjent diplomatik dhe Konsulli Përgjithshëm në Tanger ishte urdhëruar për të udhëtuar në Shqipëri për të realizuar vlerësimet e përgjithshme mbi këtë vend, përfshirë çështjen e kompanisë amerikane të naftës.

Siç duket, meqenëse Joseph M. Denning mori detyrën e Konsullit të Përgjithshëm në Tangier në vitin 1922, Komisioner Amerikan në Shqipëri në fund është caktuar Maxwell Blake, konsul i deriatëhershëm në Tangier. Me 28 qershor 1922, pas udhëtimit anekënd Shqipërisë, Blake dorëzoi raportin.

Mbasi përshkruan me profesionalizëm gjendjen reale të vendit në pikëpamje të autoritetit shtetëror, përfaqësisë politike, administratës, gjendjes ekonomike dhe financiare, Blake njofton se qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe e popullit karshi interesave amerikane është veçanërisht favorizues.

Atij i ishte bërë e qartë, se qeveria shqiptare mezi priste për të krijuar çdo lehtësi për tregtinë amerikane dhe ndërmarrjet; se qeveritarët e rinj shqiptarë ishin të gatshëm për të ftuar kapitalin amerikan të asistonte në zhvillimin e vendit dhe t’u jepnin SHBA garanci për sigurimin formal të trajtimit si kombi më i favorizuar etj.

Konsulli Blake, pas konsiderimit të kujdesshëm të të gjitha aspekteve të situatës në shumë pjesë të vendit, rekomandoi njohjen e menjëhershme të Shqipërisë nga ana e qeverisë amerikane:

Arsyetimi: 1. Si një akt të vetvetishëm moral ndaj popullit shqiptar në një faze kritike të luftës së tij për pavarësi, ku pavarësisht vështirësive të mëdha, ky vend kishte dhënë prova të mjaftueshme të qendrueshmërisë politike, duke ngjallur admirimin e Lidhjes së Kombeve si shtet sovran, i njohur prej 20 vendeve të Europës.

2. Si arsye të dytë Blake cakton faktorët materialë, të cilët ishin në mënyrë të barabartë të rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë. Vendi kishte mundësi të mëdha tregtare dhe zotëronte rezerva të pasura natyrore, që prisnin të zhvilloheshin. Çdo zgjatje kohore e njohjes, do të vononte mbështetjen e qeverisë amerikane për kompanitë tregtare të këtij vendi dhe ishte në dëm të prestigjit të lartë që kishte Amerika në Shqipëri.

Në fund, Blake saktësonte se në qoftë se njohja do të aprovohej, Legata duhet të vendosej dhe një Ministër i Plotfuqishëm duhej të caktohej menjëherë, me seli ose në Tiranë, ose përkohësisht në Durrës ose Shkodër.

Interesat amerikane e kërkonin që përfaqësuesi i SHBA nuk do të duhej të ishte në ndonjë rank më të ulët se përfaqësuesit e fuqive të tjera në Shqipëri. Pas këtij raporti të Blake, Sekretari i Shtetit, Hughes udhëzoi Konsullin Blake, që me datën 28 korrik 1922, të njoftonte Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, me anën e një njoftimi të shkruar, se Qeveria e SHBA njihte de jure Shqipërinë.

Në dhënien e kësaj njohjeje, Qeveria e SHBA-ve ishte nisur nga fakti se Shqipëria ia kishte dalë të ruante me sukses kohezionin e një qeverie kombëtare. Deri sa Kongresi do të vendoste mbi çështjen e përfaqësisë së rregullt diplomatike në Shqipëri, Blake do të vepronte si Komisioner i SHBA në rangun e Ministrit në Shqipëri, detyrë të cilën e kreu deri me 4 dhjetor 1922 kur Ulysses Grant-Smith u caktua i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Shqipëri.

shqiperia 1992 r

Jemi në muajin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë dhe SHBA.

Gjatë këtyre 100 viteve, pushtime të jashtme dhe uzurpime sundimtarësh të brendshëm, në dukje të pavarun, ka ndodhur ndërprerja e mirëfilltë, ose formale, e aleancës strategjike me Amerikën, miqësi që e projektuan themeluesit e shtetit tonë; ka ndodhur edhe cenimi i andrrës për shpresë mbështetjeje atlantike të prindërve tanë nën diktaturë; ka ndodhur edhe ndërsimi i paarsyeshëm i grupeve shoqnore, prej kastave të korrupsionit kundër vlerave të lirisë, ligjit dhe barazisë në trajtim të shtetasve që promovon Amerika.

Mirëpo, për arsye të mbizotërimit të një vullneti mbarëkombëtar të bazuar mbi arsyen e shëndoshë, dy vendet tona, edhe Kosova, ndodhen sot fatmirësisht në të njëjtën udhë të historisë.

Shqiptarët e sodit urojnë vijimin, përforcimin dhe mbrojtjen e këtyre marrëdhënieve me rëndësi jetike për kombin shqiptar, të ardhmen e tij me qeverisje të bashkuar, pa diskriminime të heshtuna, me shpresën për më më shumë ekspertizë dhe saktësi në vlerësimin e situatës reale në vend, të njohjes më të mirë të standardeve të respektimit të të drejtave njerëzore, të trajtimit të barabartë të komuniteteve shtetformuese, njëlloj sikurse në agimin e këtyre marrëdhënieve, Sekretari i Shteti Hughes i vendoste ndër prioritetet vlerësuese të një shteti ekzistues dhe serioz.

*Autor i “Shqipëria dhe Çështja Shqiptare, 1918-1921”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura