Raporti i KE, Ahmetaj: Konfirmoi ecurinë pozitive të ekonomisë

Apr 21, 2018 | 14:35
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha dje se progres-raporti i Komisionit Europian konfirmon ecurinë pozitive të ekonomisë, uljen e deficitit dhe borxhit publik.

ahmetaj

Kreu i Financave, Ahmetaj, deklaroi për mediat se edhe raporti ekonomik i Bankës Botërore për Shqipërinë vlerëson uljen e varfërisë në vend. Ministri Ahmetaj u shpreh: “Raport-progresi thotë: Kombinim i duhur i politikave makroekonomike. Në themel të politikave makroekonomike ka qëndruar modeli i ri ekonomik dhe ja ku na e konfirmon raportprogresi. Rekomandohet vazhdimi i konsolidimit fiskal; reduktimi i mëtejshëm i kredive me probleme; formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë. Specifikisht thuhet: Ekonomia shqiptare ka vazhduar rritjen falë kërkesës së brendshme dhe tregtisë së jashtme.

Në grafikun e dytë kemi konsumin dhe unë do t’i referohem me besnikëri progresraportit të Bashkimit Europian, që thotë: Të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kontribuuan pozitivisht në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ekonomia u rrit falë kërkesës së brendshme dhe tregtisë së jashtme. Konsumi privat rikuperoi në dy vitet e fundit; shikoni dy vitet e fundit, konsumi është më i larti në shtatë vitet e fundit. Jo pa qëllim, e ka sjellë që nga viti 2010, për të krahasuar çfarë ka ndodhur dhe çfarë është duke ndodhur me konsumin. Kur dëgjoni bolorinë politike, që thonë se u varfëruan shqiptarët, sigurisht që shqiptarët janë larg asaj që meritojnë që jenë, por janë larg skenarit grek të 2013-ës”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se progres-raporti vlerëson edhe uljen e borxhit. “Borxhi publik, në rënie. Kur dëgjoni boloritë e Parlamentit, borxhi u rrit, borxhi u rrit, nuk e di për çfarë e kanë fjalën, por progres-raporti konstaton: Borxhi, në trajektore rënëse. Politika fiskale, e kujdesshme, edhe pse një vit elektoral reduktoi deficitin buxhetor dhe bëri borxhin publik më të qëndrueshëm, thotë progres-raporti i Bashkimit Europian. Maturiteti i borxhit është zgjatur dhe stoku është orientuar drejt tregut të jashtëm”, u shpreh Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se edhe raporti i Bankës Botërore konfirmon uljen e papunësisë dhe varfërisë. “Banka Botërore, me një raport shumë prestigjioz të vetin, nxjerr se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku punësimi u rrit në mbi 50 %, në raport me pjesëmarrjen në forcat e punës. Raporti thotë: Papunësia e të rinjve në Shqipëri, më e ulëta në rajon, në nivelin 26 %, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Serbia me 30 %. Këtë e thotë Banka Botërore, jo Kryeministri Rama, jo anëtarët e kabinetit, asnjëri nga ne, kushdo qoftë, ministri i Financave dhe Ekonomisë apo ministrat e tjerë, por Banka Botërore. Banka Botërore thotë: Varfëria ka rënë dhe vazhdon projeksioni rënës. Boloria politike vazhdon të hedhë baltë”, u shpreh Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura