Raporti/ DASH: Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni, problem në Shqipëri

Apr 13, 2016 | 22:17
SHPËRNDAJE

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut. Sa i përket Shqipërisë, raporti shkruan për zgjedhjet e fundit vendore, të cilat i vlerëson në përgjithësi, por ndalet në disa probleme.

DASH-800x600Për këtë dash i referohet raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet. “Edhe pse dita e votimit ishte e qetë, pati disa incidente të izoluara.

Partitë politike përdorën fuqinë e tyre për të përfshirë administratën në zgjedhje duke e cenuar disi procesin”, shkruan raporti.

Problem madhor për DASH është korrupsioni, ku jo çdo individ ka qasjen e duhur ndaj ligjit.

“Problem madhor me të drejtat e njeriut mbetet korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, sidomos në atë gjyqësor dhe shëndetësor. Gjithashtu problem mbetet edhe dhuna në familje dhe diskriminimi i gruas”, shkruan raporti.

Probleme të tjera sipas DASH-it janë dhuna dhe metodat e trajtimit të personave të shoqëruar, arrestuar apo marrë në pyetje.

Sipas raportit, autoritetet shkelin në disa raste të drejtat e njeriut kur marrin në pyetje të akuzuar apo të dyshuar për krime të ndryshme.

Gjithashtu, janë vënë re raste të mbajtjes nën arrest të personave pa asnjë bazë akuze. Problem mbeten edhe kushtet në burgje.

Qeveria, shkruan DASH, ka bërë pak sa i përket çështjes së pronave të bllokuara nga diktatura komuniste. Ka ende zvarritje dhe shkelje në këtë drejtim.

Gjithashtu, numërohen raste të shumta të martesave me detyrim; ka shumë fëmijë që detyrohen të lypin në rrugë, sidomos nga komuniteti rom.

Shqipëria vazhdon të jetë një burim dhe destinacion për trafikimin e fëmijëve dhe grave, për qëllime seksi dhe pune.

“Margjinalizimi dhe abuzimi me romët dhe egjiptianët është problem serioz. Përmendim këtu edhe shembjen e vendbanimeve të tyre pa asnjë bazë ligjore”, shkruan DASH.

Gjithashtu, raporti vëren edhe punë të pakët në garantimin e të drejtave të komuniteteve LGBT.

Sa i përket punës, ka ende shumë për të bërë në garantimin e kushteve të saj. Ka fëmijë që shfrytëzohen për punë, siguracionet nuk paguhen dhe puna në të zezë ndëshkohet rrallë.

Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Procedimi i personave që kanë kryer vepra penale vazhdon të mbetet arbitrar.

Zyrtarë, politikanë, gjykatës dhe biznesmenë u shpëtojnë procedimeve dhe nuk marrin dënimet që u takojnë për krimet që kryejnë.

“Deri më tani janë vërejtur raste të dënimit të zyrtarëve të vegjël, ndërsa të mëdhenjtë u kanë shpëtuar gjykimit dhe dënimit për shkelje të ndryshme”, përfundon raporti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura