Raporti i DASH, eksperti i Ekonomisë: Qeveria të lërë arrogancën, të heqë dorë nga financimi i PPP-ve, ndërhyrja shtetërore për interesa elektorale dhe pasurimi i politikës

Aug 9, 2022 | 16:04
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, ka ftuar qeverinë shqiptare të lërë arrogancën në politikat e saj, por të hartojë një plan veprimi për gjetjet e raportit të DASH-it për klimën e biznesit që e rendit Shqipërinë si të vështirë për shkak të korrupsionit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, thotë se ky raport nuk duhet të kalojë me neglizhencë apo mungesë vullneti nga qeveria për të reflektuar por ajo duhet të marrë angazhime dhe veprime konkrete për të sjellë përmirësime.

Preçi thekson se gjetjet kanë të përbashkët zbatimin e dobët të ligjit, janë të vyera në rast se do të ketë vullnet politik për të marrë vendimet e duhura, ndonëse shprehet se nuk sheh ekspertizë apo kapacitete nga kjo qeveri të reflektuar. Sipas tij, klima e biznesit është rezerva kryesore për një zhvillim më të shpejt ekonomik dhe kjo qeveri nuk e ka krijuar.

Pak ditë më parë, DASH-i publikoi raportin për klimën e biznesit në Shqipëri, ku thekson qartë që korrupsioni endemik dhe praktika e dhënies së kontratave koncesionare me PPP kanë kufizuar konkurrencën. Cili është opinion juaj për gjetjet e këtij raporti?

Së pari, dua të tërheq vëmendjen për kulturën e komunikimit që kemi në Shqipëri që referojmë raporte periodike apo specifike dhe analiza që burojnë nga institucionet ndërkombëtare. E vërteta është që pas vitit 2000, institucionet shqiptare janë konsoliduar në përgatitjen e të dhënave statistikore, kanë adoptuar një kuadër ligjor bashkëkohor sa i përket metodologjive që ndiqen.

Këto të dhëna, pavarësisht se fuqinë ndikuese e kanë për shkak të publikimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është fakt i njohur që ato burojnë nga institucionet relevante shqiptare. Nuk ka asgjë të re në raportin e fundit të DASH-it, përveç faktit që për një vëzhgues të kujdesshëm të zhvillimeve dhe politikave publike që ndiqen të kuadrit ligjor të bën përshtypje mungesa e reflektimit. Kjo sepse ato gjetje dhe konstatime që jepen në këtë raport mund t’i gjesh edhe në raportin e 15 apo 2 viteve përpara.

Kjo do të thotë që problematika mbetet konstante. Pesha specifike e aktorëve që analizohen në klimën e biznesit, si sundimi i ligjit, korrupsioni, të drejtat e pronave etj., ndryshojnë midis tyre, pasi në periudha të caktuara ka pasur përparësi një problematikë e caktuar, e cila përgjithësisht ka ruajtur një hierarki. Është ruajtur një hierarki e problematikave që ndesh ekonomia shqiptare. Kur them hierarki e kam fjalën për korrupsionin, konkurrencën e pandershme, dorën e zgjatur të qeverisë në jetën e biznesit, prokurimet klienteliste në shkeljet të ligjit etj.

Të përbashkët raportet kanë zbatimin e dobët të ligjit, ku vihet re një mungesë vullneti e qeverisë për të reflektuar. Edhe në rastet kur konstatimet kanë qenë shumë flagrante dhe reflektimet kanë qenë të domosdoshme janë kryesisht në karakterin formal. Përgatiten akte ligjore dhe nxirren akte nënligjore por mungon me ose pa vetëdije vëmendja për zbatimin e tyre. Problematika nuk është e re në këtë raport, por dua të theksoj që duhet rritje e vëmendjes për reflektimin e tyre.

Raporti i DASH është një ndihmesë e vyer nëse do të kishte vullnet politik për vendimmarrjet e duhura që çojnë në përmirësimin e klimës së biznesit. Kujtojmë që për shkak të nivelit alarmant të borxhit publik, zhvillimeve ndërkombëtare aspak të favorshme vetëm rritja e pranisë së kapitalit të huaj dhe përdorimi me efeciencë në ekonomi i kapitalit vendas mund të çojë një përshpejtim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe frenim të polarizimit të shoqërisë së sotme shqiptare. Klima e biznesit mbetet rezerva kryesore për të pasur një zhvillim më të shpejt ekonomik.

Raporti i DASH-it thekson që disa biznese amerikane nuk janë lejuar ta ushtrojnë të lirë aktivitetin e tyre në bazë edhe të marrëveshjeve të nënshkruara në 2020, ku një kompani e ka dërguar çështjen edhe në arbitrazh. Për ju si ekspert i ekonomisë, sa ndikon kjo sjellje në qasjen e investitorëve të huaj ndaj vendit tone?

Ne duhet të kuptojmë që investitori i huaj nuk ka asnjë ndjenjë patriotizmi apo vëmendje të veçantë për një vend të caktuar. Ai ka vetëm një motor që është norma e fitimit. Investitori për të njëjtën shumë parash të investuara shkon atje ku fiton më shumë. Ne duhet të kuptojmë që ai planifikon për 10-20 vite dhe e shikon Shqipërinë dhe rajonin se si do të ecë në kontekstin e zhvillimeve rajonale.

Ai niset nga numri i konsumatorëve dhe fuqia blerëse e tyre për mallin apo shërbimin që ofron përmes investimit të tij. Por, çështje që lidhen me zbatimin e detyrimeve kontraktuale, rregullat e prokurimit, konkurrencën janë parakushte për ata, pasi nuk jemi në vendet afrikane ku vetëm marrëveshja me udhëheqësit apo me qeveritarët të jep mundësinë për t’u futur në atë ekonominë kombëtare.

Kuptohet që marrëveshja me zyrtarët ka kosto korrupsioni. Natyrisht që ju mund të thoni që edhe qeveria po bën marrëveshje për portin e Durrësit e disa të tjera, por ky është dyshim i bazuar për vendimmarrje jo në interesin e ekonomisë kombëtare dhe interesa të forta korruptive të individëve të veçantë që qëndrojnë mbas tyre.

Ky raport tërheq vëmendjen për investime që vetë investitorët me origjinë nga SHBA-ja kanë hasur në Shqipëri. E konsideroj një ndihmesë të vyer nëse do të ketë vullnet politik për të reflektuar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për investitorët që vijnë nga vende të tjera, duke përjashtuar kompanitë guaskë apo offshore apo kompani pas të cilave qëndrojnë po zyrtarët e lartë shqiptarë.

Pas gjithë këtyre raporteve që duket se i kanë nxirë qeveritë në aspektin e korrupsionit për vite me radhë, a mendoni se qeveria aktuale do të reflektojë për qasjen e saj ndaj biznesit për minimizimin e korrupsionit kur Reforma në Drejtësi po ecën dhe SPAK ka zhvilluar disa aksione për disa afera korruptive?

Me keqardhje konstatoj që sa më shumë kalon koha, tani në mandatin e tretë, qeveria aktuale është e shkëputur nga realiteti ekonomik dhe shoqëror i biznesit. Mjaftojnë të kujtojmë që nga 2010 deri në 2020 janë pakësuar me një të katërtën numri i lopëve, deleve dhe dhive, sipërfaqeve të mbjella dhe nuk ka asnjë politikë që e promovon apo mbështet prodhimin vendas baza e të cilit është furnizimit të tregut vendas dhe eksportet.

Ky raport do të kalojë si ato të tjerat, me disa angazhime propagandistike dhe do vazhdojë të numërojë “share” dhe “like” që u bëhen qeverisë dhe qeveritarëve. Nuk shoh as kapacitete, ekspertizë dhe aftësi as studim të përvojave të vendeve të tjera ku Sri Lanka është shembulli më i keq për të mos u ndjekur nga Shqipëria.

Shoh vazhdim me arrogancë i disa programeve qeveritare si ai famëkeq 1 miliardë që tani ka shkuar 2 miliardë dhe do ta paguajnë brezat që vijnë. Përtej mungesës së ekspertizës unë shoh edhe mungesë vullneti dhe vazhdim arrogant i kursit aktual.

A është korrupsioni faktori kryesor që ka ndaluar investimet e huaja në Shqipëri dhe nxit largimin e shqiptarëve?

Kinezërimi i biznesit me origjinë nga vendet e BE, arabizmi i disa aseteve të rëndësishme si portet dhe aeroportet, turqizmi i disa bizneseve të tjera nuk janë tregues i fuqizimit ekonomik të Shqipërisë, por tregues të përkeqësimit të klimës së biznesit në tërësi. Qytetarët shqiptarë deri përpara 10 vitesh largoheshin tërësisht për shkak të mungesë së mundësive bazë për të siguruar mjetet e domosdoshme të jetesës. Kjo qeveri kur ishte në opozitë premtoi 300 mijë vende pune, por i hapi ato që nga Gjermania deri në Angli.

Ndërsa këto 10 vitet e fundit flitet edhe për cilësi të keqe të jetesës. Në kushtet kur arsimi është shndërruar në biznes dhe shëndetësia, pandemia e provoi këtë, në mjet përfitimi të disa oligarkëve apo individëve që janë klientë të përhershëm të qeverisë, detyrimisht që besimi i publikut ndaj institucioneve është përkeqësuar. Besimi i biznesit ndaj qeverisë lidhet me korruptimin dhe sponsorizim në fushata elektorale bashkëjetesën me politikanë të rëndësishëm që u krijojnë mundësi pasurimi, por në dëm të biznesit në tërësi dhe konsumatorëve.

Për këto arsye Shqipëria është bërë e pajetueshme jo vetëm për të më varfrit e saj, por edhe për një pjesë të klasës së mesme, e cila vazhdon të jenë nën goditjet e taksave. Pajtohem me konkluzionin që përkeqësimi i klimës së biznesit ka çuar jo vetëm në pamundësimin e bizneseve nga vendet e BE-së dhe SHBA-së, por edhe braktisjen e vendit nga një numër qytetarësh së bashku me kapitalet që ato kishin. Kjo situatë, për shkak edhe të zhvillimeve të tjera ka sjellë tkurrjen e konsumit dhe sjellë pasoja në vend. Mendoj që stagflacioni, një kombinim i rritjes ekonomike minimale me një inflacion të lartë dyshifror është te dera si kërcënimi më i afërt.

Shpresoj që njerëz të arsyeshëm në radhët e qeverisë dhe stafet e tyre ta lexojnë me vëmendje raportin e DASH dhe të mundohen t’i shndërrojnë në plan veprimi aq sa të jetë e mundur të këtyre vërejtjeve. Por, pa hequr dorë nga kursi agresiv i financimit të kontratave të PPP-ve, nga ndërhyrja shtetërore në procesin e prokurimit thjeshtë për interesa elektorale dhe pasurimin e elitës politike drejtuese, në interferencat në gjyqësor, sepse Reforma në Drejtësi është fjalë e madhe, por deri tani kemi arritur që partizanë të njërës palë ti zëvendësojmë me partizanë të palës tjetër. Përveç faktit që askush nuk është i paprekshëm nga drejtimi i institucioneve gjyqësore nuk kemi realisht një produkt për qytetarin që çon në shërbime më të ligjshme, cilësore dhe lira për qytetarin, për të mos thënë që ndodh edhe reagimi i kundërt.

Si e vlerësoni vendimin e qeverisë për mbështetje me 30 mijë lekë për fermerët për çdo një hektar grurë?

Nuk është kurrë vonë për të mbështetur ata që punojnë. Është shumë minimale, por pozitive që ka kapërcyer disa kushte që conte në mbështetjen e atyre që janë mbështetur gjithmonë nga qeveritë. Mendoj që ka nevojë për asnjë analizë të plotë të zinxhirit të vlerave, që nga fara e fidanët te kafshët e racës deri te produkti përfundimtar në tregun e brendshëm dhe eksport.

Kjo analizë do të mundësonte për të kuptuar jo thjesht informalitet që është, por për të kuptuar se ku duhet të ndërdyrë nga entet shtetërore. Ku duhet inkurajuar rritja e shkallës së përpunimit në vend të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe ndërhyrë për të mbrojtur konsumatorin. Ka nevojë për një rishikim integral dhe mbi bazën e tij duhet të ofrohet shumë më tepër. Minimalisht në mesataren e vendeve të rajonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura