Raporti i DASH dhe rilindja

Sep 16, 2020 | 9:41
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ

Aleksander-Biberaj

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) nxori në pah jo vetëm keqqeverisjen dhe dështimin total të rilindjes në fushën ekonomike, por në përgjithësi situatën e rëndë ekonomike që është krijuar nga kjo qeverisje dhe më gjerë gjendjen e vështirë ekonomike që ka Shqipëria sot pas 30 viteve të një tranzicioni politik, ekonomik dhe social-shoqëror të tmerrshëm, të tejzgjatur dhe totalisht të dështuar. Tranzicion të tillë si i yni nuk ka kaluar asnjë vend tjetër i Europës Juglindore. Raporti citon se duke u nisur nga AND-ja e ekonomisë së tregut të lirë dhe iniciativës së lirë që është prona, në Shqipëri ky problem vazhdon të jetë i pazgjidhur dhe u degradua edhe më keq gjatë këtyre 8 viteve të qeverisjes së rilindjes.

Në fund të këtij mandati qeverisës vihet re edhe një babëzi e paparë për rrëmbimin dhe tjetërsimin e pronave, sidomos në rivierën e Shqipërisë, nga pushtetarë dhe mafiozë të lidhur me politikën. Në një ekonomi modeste si e jona, investimet e huaja direkte do të ishin promotori i zhvillimit dhe rimëkëmbjes ekonomike, i hapjes së vendeve të reja të punë si dhe i zhvillimit teknologjik, gjë që s’ka ndodhur, pasi investimet e huaja janë pothuajse zero. Raporti citon se koncesionet sipas modelit PPP si dhe tenderët e fshehtë apo të drejtpërdrejtë nuk krijojnë kushte për kompanitë e huaja, pasi nuk sigurohet as minimum i konkurrencës së lirë që është edhe leva e Arkimedit për kapitalizmin.

Korrupsioni, burokracia dhe paaftësia janë tipari karakteristik i administratës publike, gjë që ka larguar edhe investimet e huaja. Mungon prodhimi vendas, ekonomia ka më shumë një karakter tregtar/komercial, zhvillimi i turizmit është akoma në nivele të ekonomive private apo familjare, pa pasur investime të mëdha që krijojnë resorte, për të qenë konkurrues me turizmin mesdhetar. Agrobiznesi është premtues, por mungon subvencionimi nga shteti si dhe tregjet, pasi qeveria nuk ka marrë asnjë lloj mase për sinkronizimin dhe rregullimin e komponentëve prodhim-treg-konsum.

Rritja e tejskajshme e borxhit publik dhe deficitit buxhetor, duke rritur shumë edhe marrjen e huave në shifra miliarda euro, kanë rritur shumë risqet dhe pasigurinë për ekonominë. Varfëria dhe papunësia vazhdojnë të jenë plagë të mëdha të shoqërisë, ndërkohë që pagat dhe pensionet më të ulëta në Europë, të parritura edhe gjatë 8 viteve të fundit, nuk mjaftojnë për të pasur një nivel mesatar jetese. Sistemi i tatim-taksave, gjobave dhe akcizave doganore, është më shumë penalizues sesa nxitës dhe promovues për bizneset e vogla apo të mesme. Çdo vit ka rrije taksash, si të atyre lokale, edhe atyre qendrore. Ekonomia është e dominuar nga monopolet dhe oligopolet, duke e bërë atë jo një ekonomi të lirë, konkurrenciale dhe tërheqëse për investitorët, sesa një ekonomi të kontrolluar nga grupet mafioze të lidhura me qeverinë. Shembull tipik është industria e ndërtimit që pastron miliarda euro para të pista në Tiranë dhe qytete e tjera kryesore. Pavarësisht tërmetit dhe pandemisë, qeveria nuk ndihmoi aspak familjet apo bizneset që u dëmtuan, bizneset që falimentuan apo qytetarët që humbën vendet e punës. Menaxhimi i pandemisë nga qeveria mbetet një katastrofe, një kaos i vërtetë.

Si pasojë, ka një polarizim të tejskajshëm të shoqërisë, një pjesë shumë e vogël kanë vënë pasuri pa fund në rrugë, mënyra dhe mjete të dyshimta, ndërkohë që shtresa e mesme po minimizohet dhe rritet në mënyrë të frikshme shtresa e varfër. Në këto kushte, Shqipëria zë vendin e parë për emigracion dhe vetëm gjatë 8 viteve të fundit kanë emigruar më shumë se 600.000 qytetarë në perëndim për një jetë më të mirë. Në vend është vrarë shpresa dhe besimi që Shqipëria bëhet.

Në këto kushte do të zhvillohet edhe fushata e ardhshme elektorale, e cila patjetër do të ketë edhe kostot e veta, për arsye të impaktit politik në zhvillimin ekonomik. Partia Demokratike po punon për një program elektoral sfidues dhe realist, që do të ketë prioritet kryesor daljen nga kriza ekonomike si dhe rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit. Në radhë të parë, vendosja e taksës së sheshtë, lehtësimi i bizneseve të vogla nga sistemi i taksimit, si dhe rishikimi i komplet sistemit të gjobave pasi është një sistem komplet abuziv.

Nxitja e investimeve të huaja direkte, duke hapur tregun, por edhe duke iu krijuar atyre lehtësira për investimet e tyre. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet për të krijuar një ekonomi konkurruese ku të gjitha bizneset dhe individët të kenë shanse të barabarta konkurrimi. Nxitja e prodhimit vendës nëpërmjet subvencionimeve nga buxheti i shtetit, por edhe nëpërmjet një sistemi kreditimi të favorshëm në norma interesi të ulëta, me kolaterale dhe tarifa administrative reale si dhe pa pengesa burokratike. Rritja e pagave dhe pensioneve, punësimi me qëllim rritjen e nivelit ekonomik dhe të mirëqenies, me qëllim që Shqipëria të dalë nga zona e vendeve në zhvillim, për t’u afruar te zona e vendeve të zhvilluara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura