Raporti i Amnesty International për Shqipërinë: Gjatë pandemisë dhuna në familje u shtua. Kryeministri Rama kërcënoi me…

Apr 7, 2021 | 23:38
SHPËRNDAJE

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI) sapo ka publikuar raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit të fundit në 149 vende të botës.

sfds

Organizata arrin në përfundimin se gjatë 2020, pandemia dhe masat e marra për të vënë nën kontroll sëmundjen nxorën në pah me ngjyra të forta dhe në disa raste përkeqësuan edhe më shumë pabarazitë ekzistuese dhe tendencat për keqtrajtimin e grupeve të caktuara të popullatës.

Në kapitujt për Shqipërinë dhe Kosovën, AI nënvizon se problemi i dhunës në familje vazhdoi në këto vende, madje u thellua gjatë kohëzgjatjes së masave më të forta izoluese. Po ashtu, organizata ngre shqetësime të tjera, ndër to lidhur me lirinë e operimit të medias, kërcënimin e gazetarëve, si dhe diskriminimin e grupimeve pakicë të vërejtura në të dyja vendet.

SHQIPËRIA 2020

Përmbledhje: Dhuna në familje shënoi rritje gjatë periudhës së kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë. Kryeministri Edi Rama kërcënoi se do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme për të mbyllur grupe mediatike të cilat i akuzoi se po “përhapin panik” për COVID-19. Po ashtu, grupime tradicionalisht të mënjanuara dhe diskriminuara, si romët dhe komuniteti LGBTI vazhduan të ndeshen me keqtrajtim.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave

Raporti vëren se dhuna me bazë gjinore u keqësua. AI citon një organizatë joqeveritare që ka regjistruar rritje të telefonatave në linjën kombëtare për gratë e vajzat e keqtrajtuara në periudhën mars-maj të vitit 2020.

Raporti përmend edhe revoltimin publik të shprehur në lidhje me keqtrajtimin e një 15-vjeçareje nga roja e shkollës dhe tre persona të tjerë në qershor si dhe protestat në Tiranë me thirrjet për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore.

Liria e Fjalës

Raporti veçon ndër problemet në këtë kategori kërcënimet e Kryeministrit Rama për të mbyllur grupe mediatike që i akuzonte për “përhapje paniku” lidhur me pandeminë. Gjithashtu, Amnesty International nënvizon edhe faktin që autoritetet tërhoqën ligjin kundër shpifjes që kishte shkaktuar reagime dhe polemika të forta si kërcënim ndaj lirisë së medias.

Refugjatët, azil-kërkuesit dhe migrantët

Amnesty International përmend në raport shqetësimet e ngritura nga Raportuesi i OKB-së dhe Ombudsmani për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në rastin e ekstradimit të shtetasit turk, Harun Çelik, që kishte kërkuar azil në Shqipëri, pasi i trembej persekutimit si gulenist nga autoritetet turke.

Diskriminimi

Viti 2020 regjistroi edhe protesta të pakicës rome pasi nuk kishte përfituar nga ndihma emergjente e qeverisë, sepse kjo ndihmë nuk mbulonte punonjësit e sektorit informal.

Parlamenti, vëren raporti, miratoi një amendament ligjor duke zgjeruar ndjeshëm grupet që do të gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi.

Të drejtat e grupit LGBTI

Ky grupim, sipas raportit, vazhdon të jetë objekt i diskriminimit, përfshirë mos njohjen e përfitimeve martesore apo të bashkëjetesës për çifte të së njëjtës gjini.

Përdorimi i forcës së tepruar

Raporti dënon përdorimin e “forcës jo proporcionale nga policia” ndaj protetuesve që kishin dalë për të kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020. Po ashtu AI veçon rastin e dy gazetarëve të sharë dhe sulmuar fizikisht nga policia, ndërkohë që ata po mbulonin protestat, një prej të cilëve u ndalua për pak kohë.

Amnesty International përmend edhe protestat, në disa raste të shoqëruara me përleshje, që pasuan vdekjen e 25-vjeçarit të qëlluar nga policia pasi kishte shkelur orën policore të vënë në kuadër të masave të pandemisë. Këshilli i Evropës u bëri më pas thirrje autoriteteve të Shqipërisë të anulojnë ndalimin e përgjithshëm, pa cilësim të lirisë së grumbullimit.

KOSOVA 2020

Përmbledhje: Në kapitullin për Kosovën, raporti vëren ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj një numër figurash politike, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. AI po ashtu nënvizon me zhgënjim se shumë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës nuk po aplikojnë për përfitimet e statusit të të mbijetuarve si rezultat i stigmës që shoqërohet me këtë status në shoqëri. Gjatë vitit të mbuluar nga raporti, AI përmend shtim të rasteve të dhunës në familje si dhe vazhdim të diskriminimit ndaj romëve.

E vërteta, drejtësia dhe dëmshpërblimet

Amnesty International vëren hapjen e procedurave gjyqësore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë. Organizata vlerëson faktin që në procedura u lejuan të marrin pjesë dhe të kualifikohen për dëmshpërblime viktimat e akteve nën gjykim. AI përmend në raport akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe politikanëve të tjerë, ndër ta Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, lidhur me krime të kryera gjatë periudhës së luftës, përfshirë vrasjen e 100 civilëve – grup i përbërë nga shqiptarë të Kosovës, serbë dhe romë.

Organizata ngre shqetësim për nxjerrjen e dokumenteve sekrete që përbanin identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, gjë që u pasua me ngritjen e akuzave ndaj dy zyrtarëve të Kosovës për kërcënim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

AI ndalet në raport dhe në vendimin e gjykatës së apelit për të përgjysmuar dënimin ndaj ish-komandantit serb, Darko Tashiç i shpallur fajtor për krime të luftës në Krushë të Madhe.

Të Zhdukurit

Amnesty International përsërit në raportin e 2020 mungesën e përparimit në ndriçimin e fatit të 1,643 të zhdukurve, megjithë thirrjet e familjarëve që qeveria e Kosovës dhe ajo serbe të hapin arkivat për të ndihmuar në identifikimin e trupave.

Dhuna me Bazë Gjinore

Raporti i fundit i AI arrin në përfundimin se një numër shumë i vogël grash kanë paraqitur kërkesë për të përfituar nga statusi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës që i kualifikon ato për pension mujor. Orgnizata shprehet se megjithëse mijëra gra kanë kërkuar ndihmë psikologjike si pasojë e dhunës seksuale, shumë nga viktimat mbeten të ndrojtura nga stigmatizimi që shoqëron daljen publikisht si objekt i dhunës seksuale.

Raporti gjithashtu përmend ngritjen e akuzave ndaj një ish-polici serb të Kosovës për përdhunimin në maj 1999 të një 16-vjeçareje në Mitrovicë.

Liria e Shprehjes

Gazetarët investigativë vazhdojnë të ndeshen me kërcënime dhe sulme, deklaron në raport Amnesty International, duke sjellë si shembull kërcënimet dhe padinë e ngritur ndaj gazetares Jeta Xharra nga zyrtarë të lartë qeveritarë, si dhe të shtënat me armë ndaj makinës së gazetarit Shkumbin Kajtazi para banesës së tij në Mitrovicë, ndërkohë që ish-Kryeministri Ramush Haradinaj u është referuar gazetarëve me termin “mercenarë”.

E drejta për Jetë të Shëndetshme

Organizata veçon nën këtë paragraf thirrjet e zyrtarit të OKB-së për substancat toksike që strukturat e Kombeve të Bashkuara “t’u kërkojnë ndjesë pakicave rome, ashkalie dhe egjiptase për ekspozimin ndaj niveleve të rrezikshme të plumbit gjatë kohës që qëndruan në kampet e refugjatëve të administruara nga OKB-ja”.

Sipas raportit të vjetshëm të një OJQ-je, këto grupe pakicë ishin gjithashtu të marxhinalizuara edhe në qasjen ndaj testeve për COVID-in.

Dhuna ndaj Grave e Vajzave

Dhuna në familje shënoi rritje prej 36% në mars 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në dhjetor, shtatë gra kishin humbur jetën nga dhuna në duart e bashkëshortit apo partnerit.

Në qershor 2020, Luljeta Alija paraqiti padi për diskriminim kundër policisë së Prishtinës pasi nuk ishte pranuar ankesa e saj se bashkëshorti kishte shkelur urdhrin e gjykatës për mbrojtjen e saj, të nxjerrë si rezultat i dhunës që ai kishte ushtruar mbi zonjën Alija. Sipas padisë, policia nuk e kishte pranuar ankesën pasi zonja Alija “nuk ishte e veshur si duhet”. /VOA/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura