Raporti i agjentit të CIA-s: Mehmeti, agjent i sovjetikëve. Është pesë kokë mbi të tjerët, por Enveri një kokë përmbi të (PJESA II)

Aug 19, 2018 | 20:10
SHPËRNDAJE

Zhvillimet në Shqipëri dhe veçanërisht raportet ndërmjet liderëve kryesorë të regjimit komunist kanë qenë në vëzhgimin e pandërprerë të shërbimeve të fshehta amerikane. Fakti pak i njohur pohohet më së fundi në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s. Studiuesi i shkencave historike dhe bashkëpunëtori i “Panoramës”, Beqir Skreli, që jeton dhe punon në SHBA, ka sjellë nga hulumtimet e tij për gazetën një cikël shkrimesh që kanë në fokus raportet e panjohura të shërbimeve amerikane për profilin e udhëheqësve shqiptarë dhe raportet konfliktuale ndërmjet tyre.

Beqir Skreli
Beqir Skreli

Agjencia Qendrore e Informacionit të SHBA-ve, siç konkludohet në zbulimin e Skrelit, ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes zhvillimet e brendshme për kreun e partisë dhe të shtetit komunist, duke qëmtuar informacione të rregullta për ecurinë e tyre. Ajo, madje, interesohej për shëndetin e tyre, familjet, miqësitë, për karakterin, aftësitë, veset, lidhjet shoqërore, të shkuarën, manitë etj.

Burimet e informacionit kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga emigrantët politikë, agjentët e fshehtë brenda vendit, agjentët e dërguar nga jashtë, vizitorët që ktheheshin nga Shqipëria, gazetarët, shtypin shqiptar dhe të huaj, diplomatët, shërbimet e huaja, sidomos ato jugosllave, greke dhe italiane. Në ciklin që po publikojmë veçohen raportet për mënyrën si CIA vëzhgonte rivalitetin ndërmjet Hoxhës, shefit të Partisë dhe Shehut, kreut të Ekzekutivit shqiptar, që vinte në këtë post nga detyra e ministrit të Brendshëm…

BEQIR SKRELI

Atë që e shikonin të gjithë nga jashtë, shqiptarët nuk e dalluan kurrë! Lufta për popullaritet midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut e ka shoqëruar deri në fund bashkekzistencën e tyre në krye të regjimit komunist në Shqipëri. Ka qenë kjo një nga aspektet më të rëndësishme të luftës për pushtet.

Jo rastësisht, shërbimet inteligjente amerikane, por jo vetëm, e kanë pasur në qendër të vëmendjes këtë çudi shqiptare. Dokumenti i CIA-s, i datës 15 tetor 1951, me titull “Lufta për popullaritet midis Hoxhës dhe Shehut”, bazuar në një “burim me kualifikim të shkëlqyer” thotë: “Sipas një burimi të besueshëm, Enver Hoxha, kreu komunist i Shqipërisë, është përfshirë në një “luftë të ashpër për popullaritet me të preferuarin e ri të Rusisë, gjeneral Mehmet Shehun”.

Arsyeja për këtë luftë, e cila po ndiqet me shumë vëmendje, është unike për një vend satelit të sovjetikëve. Hoxha, themeluesi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, bëri emër si udhëheqës i rezistencës gjatë luftës. Ashtu si edhe Titua, ai ka shumë shokë lufte. Për ambicien e tij personale dhe për të forcuar qeverinë, mbas prishjes së Jugosllavisë me Informbyronë, Hoxha filloi të popullarizonte veten si një Skënderbe i ri, heroi kombëtar shqiptar që mbrojti vendin nga turqit 500 vjet më parë.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Si pasojë e kësaj fushate të suksesshme, gjithmonë e më shumë komunizmi shqiptar po personifikohet më një njeri-Hoxhën. Ndërkohë, Rusia e shikon me dyshim popullaritetin në rritje të Hoxhës sepse në vendet satelite ajo dëshiron ta shpërndajë pushtetin midis shumë udhëheqësve komunistë, të cilët të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Megjithëse Hoxha e spastroi pa mëshirë partinë nga elementët titistë, autoriteti i tij në popull, i ngjashëm me të Titos, është objekt dyshimi për rusët.

Veç kësaj, bashkëpunimi i ngushtë i Hoxhës me jugosllavët gjatë dhe pas luftës, ka shumë të ngjarë të përdoret kundër tij prej rusëve kur ata duan të ngrenë të preferuarin e tyre-Shehun. (Gjatë luftës, dy divizione partizane shqiptare nxorën nga rrethimi forcat e Titos. Pas luftës, hegjemonia jugosllave mbi Shqipërinë ishte fakt i njohur. Ajo dukej në shumë shoqëri zhvillimi të përbashkëta jugosllavo-shqiptare, ekspertët jugosllavë që punonin në Shqipëri dhe më në fund propozimi i Titos për të pasur një monedhë të vetme, dinarin jugosllav). Gjeneral Shehu nuk mbart një barrë të tillë politike nga e kaluara, megjithëse ka mbajtur shumë poste në qeverinë e Hoxhës.

Më pak inteligjent dhe i shkolluar se Hoxha, Shehu mbështetet hapur nga ambasada sovjetike në Tiranë, e cila gjithmonë e më shumë po e konsideron atë si njeri të besuar veçanërisht në çështjet ushtarake. Kjo luftë e brendshme midis Hoxhës dhe Shehut është mbajtur me zgjuarsi fshehur nga populli, i cili s’di gjë fare për të. Në takimin CIA-UDB, 16-17 shkurt 1953, u tha se ambasadori rus Chuvakhin, para eliminimit të Koçi Xoxes, kishte detyruar Enverin të pranonte Mehmet Shehun në Komitetin Qendror, nga i cili qe përjashtuar me iniciativën e Koçit.

Faksimile e raportit të CIA
Faksimile e raportit të CIA

Si shprehje të kësaj lufte për popullaritet në një dokument të CIA-s të 22 dhjetorit 1949 citohet nga “New York Herald Tribune” se, “sipas raporteve prej qarqeve komuniste në Tiranë, në muret e zyrave shtetërore po vendosen fotografitë e Gjeneral Shehut, kurse nga disa ndërtesa janë hequr fotografitë e Gjeneral Hoxhës”. Të bën përshtypje popullarizimi i emrit të Mehmet Shehut prej gazetarit të “New York Times”, Cyrus L. Sulzberger, të njohur për lidhjet e tij me shërbimet e fshehta.

Më 19 dhjetor 1944, kur rangu i Mehmet Shehut ishte më i ulët nga ai i shumë udhëheqësve të tjerë, Sulzberger e quan atë që po ndodhte në Shqipëri “Lëvizje të udhëhequr nga Kryeministri Hoxha dhe Mehmet Shehu”. Pesha që ai i atribuon këtu Mehmet Shehut duket pak e çuditshme po të kujtojmë se në një artikull mbi Shqipërinë, të botuar më 21 korrik 1944, Sulzberger përmend të gjithë krerët shqiptarë të luftës, nga të gjitha krahët e spektrit politik, por jo Mehmet Shehun.

Kur u bë Mehmet Shehu për 4 muaj “Numri 2” kur ishin akoma shumë të fuqishëm, Koçi Xoxja, Nako Spirua, Sejfulla Malëshova etj? Ngritja e Mehmetit në këtë rang në këtë periudhë, duket më tepër dëshirë e Sulzbergerit për ta popullarizuar figurën e Mehmetit sesa pasqyron realitetin e kohës. Më vonë, më 19 janar 1950, ai e cilësonte Mehmet Shehun si “njeriu i fortë i vendit të vogël ballkanik, i shkolluar në Moskë, shefi i Sigurimit të shtetit dhe ndoshta personi më i fuqishëm në vend pa përjashtuar madje as Kryeministrin Enver Hoxha”.

Më 27 mars të po atij viti, ai e quan Mehmetin “Agjenti shqiptar më i besuar i Bashkimit Sovjetik”, “Zoti Shehu është pa dyshim udhëheqësi shqiptar më i besuar”, kurse “Vetë zoti Hoxha nuk është i sigurt për të ardhmen e tij”. Mehmet Shehu, me gjithë përpjekjet e tij dhe përkrahjen e të tjerëve për ta fituar luftën për popullaritet me Enver Hoxhën, e kishte të pamundur.

raporti i cia 2

Në dokumentin e CIAs datë 28 dhjetor 1962, një bashkëpunëtor që i njihte mirë të dy shkruan: “Zakonisht e sidomos këtu në Greqi, (me sa kam kuptuar) mendohet se frenat e situatës në Shqipëri i ka më tepër Mehmet Shehu. Nuk jam i këtij mendimi. Mendoj se frenat e Shqipërisë, edhe në momentet më kritike për të, (1948), i ka pasur Enveri. Opinioni im është ky: Mehmeti është bashkëpunëtori i tij më i ngushtë; dora e djathtë e tij. Diktatori i vërtetë ka qenë dhe mbetet Enveri. Në rast se Mehmet Shehu është pesë kokë përmbi udhëheqësit e tjerë të partisë, nuk pushon, prapë se prapë, të jetë një kokë më poshtë sesa Enveri. Enveri ka qëndruar kurdoherë gjashtë kokë përmbi të tjerët. Tek–tuk, në shtypin e lirë, figuron mendimi se Enveri nuk është njeri me puls, se ka një karakter më tepër të butë e që pëson ndikimin e ndonjë tjetri. Nuk pajtohem as me këtë opinion. Edhe puls ka, edhe karakter ka. Pa asnjë dyshim, Mehmeti është më i egër; temperamenti i tij është më i spikatur. Merita të domosdoshme këto për një udhëheqës në një regjim totalitar. Mirëpo këtu nuk duhet harruar fakti se krahas këtyre meritave, Mehmeti ka edhe të meta të mëdha; është kapriçoz, i rrëmbyer dhe ka kurdoherë nevojë për ndokënd që ta përmbajë. Aq më tepër sepse dëshirat e tij i merr për realitete, sepse udhëhiqet shumë nga pasionet e tij personale, sepse rrëmbehet nga sukseset e çastit. Ndryshe nga Mehmeti, Enveri është më tepër politik, më tepër diplomat, më realist. E tërë jeta e tij tregon se sekretari i parë i sotëm i K.Q. është udhëhequr nga parimi “mat shtatë erë e prit një herë”.

Ndryshe nga Mehmeti që është sanguin, Enveri di të shtrijë këmbët sa është krevati. Nuk i mungon pastaj, as guximi, as pulsi. Enveri nuk ka guximin e një ushtaraku kapadai (siç është Mehmeti), por atë të një diplomati të talentuar që di të bëjë lëshime kur ato janë të domosdoshme dhe të paevitueshme. Ndryshe nga Mehmeti që është ekstremist intransigjent Enveri ka turua (common sense). Pa dyshim, Enveri është njeri shumë i respektuar në parti. Ai është udhëheqës i padiskutueshëm në Shqipëri”. Në një dokument të CIA-s, që mban datën 31 korrik 1956, citohet një burim, i cili ngre lart aftësitë oratorike të Enverit. “Enver Hoxha është i aftë të mbajë fjalime publike me efekt të konsiderueshëm, madje duke i bërë disa edhe të derdhin lot”.

Kush ishte Cyrus L. Sulzberger

Cyrus L. Sulzberger, ishte nipi i pronarit të Neë York Times. Falë inteligjencës dhe kulturës së tij, përpos lidhjeve të shumta me qarqet e larta dhe shërbimet e fshehta, për gati 40 vjet, ka pasur një rol shumë të veçantë si gazetar, mesazher, por edhe si këshilltar. Ndoshta do të ishte e padrejtë mos të përmendim faktin që ishte dhëndër grek dhe i dashuruar me jugosllavët, çfarë ndikonte që mos t’i kishte shumë për zemër shqiptarët.

Ai njihet në Shqipëri për reagimin e ashpër që ka patur Enver Hoxha kundër tij. Sakaq, me rrëzimin e komunizmit Cyrus L. Sulzberger vizitoi për herë të parë Tiranën dhe zhvilloi një bisedë diskrete me Ramiz Alinë, asokohe president I republikës dhe figura numur Një e Partisë në pushtet.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura