Raportet Kosovë-Serbi përcaktuese të rolit të Listës Serbe

Feb 24, 2020 | 23:25
SHPËRNDAJE

Lista Serbe është subjekti i vetëm politik, i cili përmes dhjetë ulëseve në Kuvendin e Kosovës dhe dy ministrive në Qeverinë e Kosovës, do të përfaqësojë komunitetin serb të Kosovës në institucionet e larta të vendit, por pa ndonjë fuqi për të ndikuar në politikat e qeverisë aktuale, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

8CA2F7F9-1A05-4082-B24F-1376F5E5D536_w1023_r1_s

Përderisa në mandatin e kaluar legjislativ, Lista Serbe kishte braktisur shumicën dhe kishte kaluar në opozitë, ajo kishte mbajtur pozitat e zëvendëskryeministrit dhe dy ministrave në ekzekutiv.

Në mandatin aktual, Lista Serbe nuk është pjesë e koalicionit qeverisës, por bazuar në kërkesat kushtetuese ajo ka marrë dy nga 15 ministritë në qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që roli i Listës Serbe, qoftë për krijimin e qeverisë kaluar të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, qoftë për krijimin e qeverisë së tanishme të kryeministrit Kurti, ka qenë konstruktiv, pavarësisht perceptimit negativ të krijuar në opinion. Sipas tij, Lista Serbe i mbron interesat e komunitetit serb në Kosovë dhe pavarësisht qëndrimit të saj të hapur kundër pavarësisë së Kosovës, ky subjekt politik e pranon realitetin ekzistues në vend.

“E keqja është se edhe herën e fundit, për atë se a do të marrë pjesë ose jo (Lista Serbe) në Qeverinë e Kosovës, komunikatën ose lajmin e dha kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq. Do të thotë, Lista Serbe tregon se e zbaton politikën e Beogradit në Kosovë, që duket një lloj absurdi sepse është politikë e një shteti tjetër në një shtet tjetër. Mirëpo, pikërisht edhe Kosova po bisedon me Beogradin në Bruksel për rregullimin e çështjeve të brendshme në shumë fusha, duke përfshirë edhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë”, tha Tahiri.
Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që roli i Listës Serbe në institucionet e Kosovës deri më tash ka qenë i varur kryesisht nga ajo se çfarë sinjalesh ka marrë nga Beogradi zyrtar. Por, sipas tij, marrë parasysh presionet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, që po i bëhen Prishtinës zyrtare për të larguar tarifën prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë, por edhe sinjalet që pas heqjes eventuale të kësaj takse presioni do të bie mbi Beogradin zyrtar për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, roli i Listës Serbe do të përshtatet në përputhje me rrethanat, në të cilat do të jetë vetë Beogradi.

“Çfarëdo që të jetë politika dhe çfarëdo që të jetë presioni mbi (presidentin e Serbisë, Aleksandar) Vuçiqin, ashtu do të sillet edhe Lista Serbe. Kjo e fundit nuk do të funksionojë e pavarur. Lista Serbe nuk është e aftë që të sjellë vetë vendime, prandaj roli i saj në Qeverinë e Kosovës do të varet në shumëçka, sikurse edhe deri më tash, se si do t’i marrin sinjalet nga Beogradi. Mendoj që në periudhën e ardhshme do të sillen vendime mjaft të rëndësishme, por Lista Serbe do të jetë mbështetëse vetëm për atë që e thotë Beogradi”, tha Nojkiq.

Zyrtarët e Listës Serbe, të cilët Radio Evropa e Lirë është përpjekur t’i kontaktojë për të marrë mendimin lidhur me rolin e tyre në institucionet e larta, nuk kanë qenë të qasshëm.

Politologu Tahiri shpreh mendimin që Lista Serbe do të vazhdojë punën në kuvend, por edhe në qeveri, përmes dy ministrive, ku do të merret me shpenzimin e buxhetit të paraparë për to dhe me projektet e caktuar, si dheme punësimin e stafit të tyre.

“Do të thotë, janë administratë, sido administratë tjetër, por pa ndonjë fuqi politike që do të ndikonte në avancimin ose në realizimin e të drejtave të komunitetit apo në përparimin e Kosovës në proceset demokratike”, u shpreh Tahiri.

Por, Nojkiq vlerëson që Lista Serbe do të pranojë, që dy ministrat e saj të punojnë si një ekip me kabinetin e ministrave të qeverisë së kryeministrit Kurti, për realizimin e programit qeverisës, në rast se këtë ua kërkon Beogradi zyrtar.

“Mendoj që Lista Serbe do ta pranojë këtë, por e gjithë kjo varet nga ajo se a do të hiqet tarifa ndaj mallrave të Serbisë. Në qoftë se kjo ndodhë, Lista Serbe do t’i pranojë të gjitha, sepse një urdhër të tillë do ta marrë nga Beogradi”, vlerësoi Nojkiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë që prania e Listës Serbe ne Qeverinë e Kosovës është kërkesë kushtetuese, por ajo nuk është pjesë e koalicionit qeverisës. Megjithatë, ai ka theksuar se pret që i gjithë kabineti qeveritar të funksionojë si një ekip i vetëm dhe me një program qeverisës, si dhe ka shfaqur shpresën që edhe Lista Serbe, të veprojë në kuadër të këtij programi, për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve në Kosovë, e sidomos të atyre të komunitetit serb, votat e të cilëve i ka marrë Lista Serbe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura