Rapa, i sigurt: Luftëtari bën kthesën e madhe në Shkodër

Nov 23, 2017 | 12:24
SHPËRNDAJE

Vetëm nëntë pikë në 11 ndeshje të luajtura deri më tani kanë zhgënjyer totalisht drejtuesit e Luftëtarit. Pas startit me katër pikë në tri ndeshjet e para të kampionatit, u mendua se gjirokastritët do të ishin konstantë në rezultate, por ndodhi e kundërta.

luftetari rrapaj

Edhe pse ndihen të vjedhur nga gjykimi, në kampin bluzi jo pak ia faturojnë momentin e keq formës që kanë treguar lojtarët. I ndërgjegjshëm për momentin jo të mirë është edhe lojtari polivalent i Luftëtarit, Oltion Rapa, i cili ka luajtur thuajse në të gjitha pozicionet nga mbrojtja në mesfushë.

“Jemi të gjithë të zhgënjyer për ecurinë e ekipit, sidomos në ndeshjen e fundit, ku i kishim të gjitha mundësitë për të marrë fitoren dhe të ngjiteshim në tabelë. Por, për fat të keq jemi barazuar në fund nga Laçi”, ka thënë fillimisht Rapa për “Panorama Sport”. Ai është i bindur se Luftëtari do të bëj kthesën e madhe duke filluar nga transferta kundër Vllaznisë. “Ecuria jo e mirë na ka mërzitur jo pak.

Personalisht e ndiej që nuk kam dhënë 100 % tim. Futbolli i tillë është, ka edhe momente të vështira, por iu premtoj tifozëve dhe atyre që e duan Luftëtarin se me këtë grup lojtarësh që kemi, jemi të sigurt se do të fitojmë që në ndeshjen e radhës. E them me bindje se lojtarët që kemi, do i kishin zili çdo skuadër. Me shumë punë dhe të bashkuar, do të marrim rezultate pozitive. Nuk e meriton ky Luftëtar këtë pozitë në tabelë”, ka përfunduar Rapa, i cili luan sezonin e tij të dytë në Superiore dhe të gjashtin me fanellën bluzi.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura