Rama zbut portretin kriminal të Serbisë

Nov 26, 2020 | 9:15
SHPËRNDAJE

KLEVIS BALLIU

klevis-balliu

Sjellja politike ndërko mbëtare e Edi Ramës, duke mos pasur asnjëherë busull çështjen kombëtare, është karakterizuar nga një aksion dhe qasje adoleshente. Çdo vend ka prioritetet e veta në politikën e jashtme, ku sigurisht përcaktohen nga historiku i marrëdhënieve dhe interesat mes tyre.

Në këtë pikëpamje, Rama nuk ka bërë kurrfarë kujdesi që të ketë një profil të caktuar. Ai ka një sjellje prej shefi OJQ totalisht majtiste, pa pasur parasysh qëndrimet strategjike për vendin. Ai dhe sjellja e tij prej trendi në arenën ndërkombëtare ndaj Gjermanisë, Francës etj., i ka hequr seriozitetin vetë Kryeministrit dhe fatkeqësisht edhe vendit. Në politikën e jashtme dhe diplomaci, protokollet janë shumëvjeçare dhe madje deri shekullore, ndaj ato përbëjnë logjikën e sjelljes dhe të politikës.

Ky i ka shkelur ato me mendjelehtësi që nga detajet e deri te përmbajtja, që do të thotë ka shkelur që nga protokolli i veshjes e deri te kumti. Zëvendësimi i kulturës dhe informacionit, serioziteti i tezave dhe rrugëzgjidhjet në tavolinat e bisedimeve, Rama i ka zëvendësuar me një mendjelehtësi, batuta, barsoleta dhe qëndrimesh shkollateske. E gjithë kjo ka krijuar një portret jo serioz të Edi Ramës, por edhe vetë Shqipërisë në arenën rajonale dhe Europiane.

Dëmi është i pallogaritshëm dhe kurrë nuk është analizuar prej tij. E gjithë kjo filozofi dhe arsye më të thella se kaq, e kanë çuar Ramën veçanërisht drejt një qëndrimi jo rrallëherë skandaloz ndaj Serbisë. Shumësia e teksteve dhe e fakteve në raportet dypalëshe e tregojnë Ramën një Kryeministër me qëndrim të papërgjegjshëm në raport me specifikën e marrëdhënien me Serbinë. Serbia, një shtet me një background historik raportesh dypalëshe kriminale me shqiptarët, meriton një qëndrim krejt tjetër. Rama nuk duket se ka ndonjë dhimbje për raportet e Serbisë më në veçanti me Kosovën, qëkurse i dha Bregoviçit çelësin e qytetit kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Por ai është thelluar në këtë drejtim, Rama vendosi ministër të Jashtëm një qytetar nga Kosova, i cili dështoi në mënyrë më qesharake dhe u shndërrua në një kukull pa vlerë, duke dëmtuar thellësisht opinionin ndërkombëtar për Kosovën. Janë këto akte të papërgjegjshme që hoqën “kamerën” ndërkombëtare nga krimi serb në subjektet anësore brenda shqiptarëve. Nga ana tjetër, Rama me përdorimin e termave si ai që e ka mik Vuçiçin, term i palejueshëm përballë gjendjes Shqipëri-Serbi, Kosovë-Serbi. Pasi nuk duhet harruar se Vuçiçi është një nga oficerët e “Aushvicit” Millosheviçian.

SI MUND TË THUASH QË E KE MIK?

Duke përdorur kontekste, si letra për futbollistin serb ultranacionalist e deri te fotografitë dhe komportimi vizual i takimeve me Vuçiçin, e çojnë perceptimin në një zbutje të krimit serb. Për të ardhur pastaj te ngjarja më e rëndë, te konflikti dhe padia ndaj Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që është përfaqësues i luftës së Kosovës dhe dhimbjes që shkaktoi krimi serb. Për të ardhur pastaj te plani për ndarjen e Kosovës e deri te skenari i shpifjes për liderin e opozitës; të gjitha këto me qëllim që të zbutet apo më saktë të fshihet profili kriminal i Serbisë dhe konflikti të kalojë mes shqiptarësh. E gjithë kjo sjellje kërkon një hetim serioz institucional dhe duhet të mobilizojë partinë që përfaqëson Rama dhe vetë ministrat, që ky njeri ta flakte këtë busull dhe të merrte atë të një orientimi të përgjegjshëm, të saktë dhe në mbrojtje të interesit kombëtar dhe të përgjegjësisë që i takon shtetit amë, Shqipërisë, që është në NATO dhe të buronte prej këtej një qëndrim i dallueshëm ndaj botës serbo-ruso e më gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura