Rama-Veliaj në Lezhë: Qeveria miraton Kodin e ri të Punës, më shumë garanci për punëtorët

Mar 31, 2015 | 16:33
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj vizituan një nga kompanitë e peshkut në qytetin e Lezhës, e cila thuhet se ka përfituar nga fondi i nxitjes së punësimit.

Në fjalën e tij, Rama tha se projektet e qeverisë në fushën e nxitjes së punësimit kanë dhënë efektet e pritshme për të rritur edhe më tej fondet për këtë qëllim. “Jam shumë i kënaqur por edhe shumë i impresionuar nga gjithçka pamë sot këtu sepse është një aktivitet shumë kuptimplotë i pasionit dhe këmbënguljes së jashtëzakonëshme të një sipërmarje por edhe i bashkëpunimit me qeverinë në funksion të nxitjes së punësimit”, – tha kryeministri Edi Rama.

Rama dhe Veliaj ne Lezhe

Kryeministri bëri të ditur se vitin e parë të qeverisjes socialiste fondi i nxitjes së punësimit u trefishua ndërsa për vitin aktual u dyfishua. Sipas tij, në vitin e parë numri i të punësuarve vetëm nga ky projekt të ishte afro 4 mijë persona, ndërkohë që për vitin aktual ky numër pritet të shkojë në afro 7 mijë të tjerë.

Ndërsa ministri Veliaj bëri të ditur se nesër qeveria do te miratojë Kodin e ri të Punës, i cili do të ofrojë më shumë garanci dhe të drejta për punëtoret.

“Kam kënaqësi shumë të veçantë që te kurorëzojmë në mbledhjen e qeverisë një projekt dy vjeçar, një projekt të vështirë por që besoj me ndihmën e sipërmarrjes dhe sindikatave kemi arritur të prodhojmë Kodin e ri të Punës. Është një nga konceptet më të gjera ligjore dhe më të mira ligjore për të administruar çështjet e punësimit, çështjes së marrjes dhe heqjes nga puna, çështjen e punshimit, çështjen e barrës, çështjen e punës natën, çështjen e punëve të vështira, të sigurisë së shëndetit në punë”, – tha ministri Veliaj. Duke theksuar se ai është një Kod që përputhet me legjislacionet e vëndeve të zhvilluara të Europës, ka bërë të ditur dhe disa elementë që sjellë si risi, siç është e drejta e më shumë orëve pushimi për gratë e kthyera nga lejelindjet si dhe atyre që punojnë në orët e vona të natës. “Kodi i ri i Punës do mbrojë më shumë punëtorët, do ta bëjnë më të lehtë që njerëzit të kenë fleksibilitet. Kodi i ri i Punës në fakt është një nga kodet më moderne. Për gratë që vijnë nga leja e lindjes u garanton dy orë pushim në ditë për sa kohë janë ende duke ushqyer dhe mbajtur një fëmijë. Ata që punojnë në turnet e treta, ka një pagë të veçantë shtesë”, – tha ministri Erion Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura