Rama u përgjigjet ‘shakaxhinjve të përparimit’ për kullën e stadiumit

Jul 1, 2016 | 18:53
SHPËRNDAJE

Kryeministri, Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve ka folur për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar “Qemal Stafa”. Gjatë fjalës së tij, Rama u fokusua tek ndërtimi i “Arenës Kombëtare”, ku për t’iu përgjigjur kritikave se po ndërtohet biznes dhe jo stadium, ai e ilustroi me shembullin e stadiumit të ri të Bazelit.Arena-Kombetare

“Para pak javësh ose muajsh, u inaugurua stadiumi i Bazelit, me një tjetër strukturë fantastike, me një superkullë në krah si pjesë e strukturës. Kjo është një tjetër përgjigje, se janë shumë përgjigje të mundshme, për stadiumet që kanë brenda trupit të tyre kulla, për të gjithë ata shakaxhinjtë e përparimit që nuk lexojnë, nuk studiojnë, nuk dinë, nuk kuptojnë dhe nisen vetëm nga paragjykime apo gjykime parafabrikate për të sulmuar çdo gjë të re që bëhet këtu. Po nuk ka pikë rëndësie kjo, ne do të vazhdojmë punën siç kemi vazhduar nuk do të shohim dhe nuk do të dëgjojmë as majtas as djathtas, do të ecim drejtë dhe do ta ndërtojmë stadiumin me krenarinë e madhe që po bëjmë diçka me rëndësi të mëdha dhe lartësinë e asaj që bëri kombëtarja për të gjithë ne”, tha Rama.

Stadiumi i Bazelit
Stadiumi i Bazelit

Kryeministri më tej, u shpreh se edhe aktualisht stadiumi “Qemal Stafa” është një qendër biznesi por jo modern. Ai tha se kjo mënyrë do të ndiqet edhe për ndërtimin e stadiumeve të reja të tjera në vend.

“Atyre që u hodhën përpjetë dhe që thoshin po e ktheni stadiumin në qendër biznesi, u them se kjo është një qendër biznesi, por ordinere si një pazar oriental. Nëse do ta ndërtonim bashkë me federatën do të ndërtonim një stadium vetëm për ditë diel dhe që ishte një investim i pamundur për buxhetin e shtetit. Ndërsa me këtë formë nuk nxjerrim nga xhepi asnjë kokërr leku. Kemi bërë gjënë e duhur dhe me të njëjtën skemë të bëjmë mundësisht dhe stadiume të tjera. Kjo është e vetmja rrugë për të ripërtërirë infrastrukturën e futbollit me stadiume bashkëkohore”, tha Rama.

Rama deklaroi se FSHF dhe qeveria ka një problem në administrimin e stadiumit të Shkodrës “Lori Boriçi” që është një investim plotësisht publik. “Stadiumet nuk janë objekte që menaxhohen kollaj. Vetëm mirëmbajtja kërkon 150 milionë lekë në vit të vjetra. Por këtu do të kemi një stadium jo vetëm të ndërtuar, por edhe të menaxhuar”, u shpreh Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura