Rama te “Benz” në Gjermani: Investoni në Shqipëri

Apr 25, 2015 | 7:32
SHPËRNDAJE

Në një kohë që me mijëra shqiptarë ndodhen në kampet e pritjes së emigrantëve që kërkojnë azil në Gjermani, Kryeministri Rama ftoi sipërmarrësit gjermanë të investojnë në Shqipëri.

Rama me kreun e Qeverisë së landit të Baden Wurtemberg, Kretschmann

Kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim me investitorë të automobilistikës së Baden Wurttemberg, në “Mercedes-Benz Museum”. Rama i ka ftuar ata të investojnë në Shqipëri të favorizuar nga reformat ekonomike, fiskale dhe administrative, si dhe iniciativat në kuadrin ligjor për lehtësimin e klimës së bërjes biznes dhe investimeve.

Siç njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë, në takim u ftuan investitorët gjermanë që operojnë në këtë sektor për të eksploruar mundësitë e investimeve në Shqipëri, ku sistemi fiskal dhe kostot e punës janë përparësi. Po ashtu u ofrua e gjithë përkrahja e qeverisë shqiptare për suksesin e investimit në Shqipëri.

TAKIMI
I shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, kreu i qeverisë shqiptare u takua me Kryeministrin e qeverisë së Baden Wurttemberg, Winfried Kretschmann, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit dhe ku u mbështet nevoja për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për vlerësimin e tyre.

“Që kur keni marrë detyrën, i nderuar zoti Kryeministër, ju keni çuar në mënyrë vendimtare përpara reformat. Ne jemi të ndërgjegjshëm që rruga që keni marrë nuk është e thjeshtë, por jam i sigurt që durimi dhe të rezistuarit do të shpërblehen. Ne dëshirojmë që me të gjitha fuqitë tona t’ju mbështesim ju”, u shpreh Kretschmann. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se ajo çka Shqipëria mund të përfitojë nga Gjermania është sidomos ekspertiza e nivelit të lartë.

“Ne po shohim dita-ditës, në Shqipëri, përfitimin e të mësuarit prej jush, për shembull nga sistemi dual në arsimin profesional. Vetëm në vitin e parë të adoptimit të këtij sistemi, falë bashkëpunimit me Gjermaninë dhe marrjes së eksperiencës gjermane, ne e kemi parë një rritje 40% të të rinjve që hyjnë në arsimin profesional”, tha Rama në takimin me Winfried Kretschmann. ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura