Rama: Tani vazhdojmë me 7 ligjet, PD do vazhdojë të rezistojë

Jul 26, 2016 | 13:21
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar faktin se Parlamenti do të vijojë punën për miratimin e shtatë ligjeve që vënë në zbatim ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi.

rama-qesh

Në një status në faqen e tij në Facebook, Rama shkruan se PD megjithatë, do vazhdojë të rezistojë.

“Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota. Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”, shkruan Rama.

Sipas tij “Shqipëria nuk është më ajo që ishte përpara votimit historik të së enjtes së shkuar; jo vetëm në sytë e Ëashingtonit, Berlinit e Brukselit, po edhe në sytë e komunitetit ndërkombëtar të investitorëve, vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re. Votimi i 21 korrikut i ka hapur rrugë një reforme shembullore në drejtësi dhe vetingu me mbështetje ndërkombëtare (parashikuar në kushtetutë) i të gjithë gjykatësve e prokurorëve, i cili do të nisë si një operacion rrënjësor pastrimi nga maja e piramides së korruptuar të gjyqësorit, i ka bërë të marrin frymë lirisht investitorët e mëdhenj. Këtë e konfirmoi sot vetë Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura