Rama sqaron dekorimin e torturuesit të Sami Repishtit dhe At Zef Pllumit

Dec 15, 2015 | 16:52
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ka kërkuar ndjesë ditën e sotme nga Shkodra për dekorimin nga ministria e Mbrojtjes për persekutorin e At Zef Pllumit dhe Sami Repishtin.

Rama tha se lajmi për dekorimin e torturuesit të At Zef Pllumit ka befasuar edhe atë vetë. “U kërkoj ndjesë At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit, profesorit të nderuar, për dekorimin e tortueruesit të tyre.

Unë jam po aq i befasuar nga të gjithë shqiptarët nga ky lajm. E kërkoj ndjesën për të gjithë, jo se kemi gabuar me dashje”, tha Rama.

Sipas Ramës, Ministria e Mbrojtjes ka dekoruar tortueruesin në bazë të statusit të veteranit, i cili është miratuar si listë e përpiluar nga një Komision i Posaçëm, që është ngritur nga qeveria e Berishës.

Rama akuzoi Berishën se ka mbajtur me pension tortueruesin e At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit, Shyqyri Çokut, duke i dhënë statusin e kategorisë së parë të veteranit. Sipas Ramës, Berisha mbajti me pension edhe Nexhmie Hoxhën.

 

Për bunkerin

Rama foli gjithashtu edhe për bunkerin-muze që u dogj nga protestuesit opozitarë më datë 8 dhjetor.

Sipas Ramës, bunkeri nuk është ndërtuar për të evokuar simbolet komuniste, por është pjesë e një projekti, për të treguar të shkuarën lakuriqe të sistemit komunist.

Ai mori shembullin e kampit famëkeq të Aushvicit në Poloni, ku regjimi nazist gjerman shfaroste hebrenjtë.

“Duam ta ekspozojmë lakuriq të shkuarën. Kjo është arsyeja që duhet t’i kishim hapur dosjet. Si mundet që të kriminalizohet një ide. Këtu nuk është fjala bukur apo shëmtuar. Arrihet deri në absurdin që ‘ishte i shëmtuar ndaj bënë mirë që e prishën’.

Kjo është një çmenduri! Në shkretëtirat ku ka marrë në dorë situatën talebanizmi aty e përcakton kultura talebane çdo lloj monumenti dhe vepre që e kemi trashëguar është vepër e djallit dhe… dinamitin. 25 vjet u dogj një gjeneratë, e atyre që ishin bebe kur ndodhi ndryshimi.

Si mundet sot të diskutojmë deri në këtë nivel marrëzie. Që e përcaktojmë raportin estetik nëpërmjet turmës dhe i lejojmë vetes të themi “e mirë se ishte shëmtuar”. Nuk është krijuar për të qenë bukur por për arsyet që thashë.

Është një punë në proces. Kur të mbarojë mund ta gjykoni, kur të mbarojë dhe muzeu. Ajo që mbetet dramë, është kriminalizimi i projektit, i mendimit”, tha Rama.

Për deklaratat për veriorët

Kryeministri Rama foli edhe për sulmet e opozitës, se ai po përçan Shqipërinë sipas rajoneve Veri-Jug. Rama tha se opozita shpif dhe se ai kurrë nuk ka folur me përbuzje për veriorët.

Sipas Ramës, ai ka folur vetëm për një kategori njerëzit që Berisha ‘i mori nga Alpet për t’i bërë pronarë legjitimë tokash në bregdet”.

Sipas tij, këta njerëz kanë dalë pronarë të tokave që kurrë nuk i kanë patur. Janë 50 mijë hektarë tokë në bregdet të zaptuara në mënyrë të paligjshme nga njerëzit e Berishës sipas kryeministrit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura