Rama: S’ka më aforfe, do të ulim çmimin e dritave

May 26, 2016 | 7:00
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama garantoi dje se çmimi i energjisë do të shkojë drejt uljes. Gjatë inaugurimit të qendrës Dispeçer për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, kryeministri kujtoi edhe përmbushjen e premtimit të programit elektoral për uljen e TVSH-së në faturat e familjarëve.

rama,-gjiknuri-e-felaj-dje-ne-parlament

“Jemi krenarë që reformën në energji e bëmë, pa e rritur çmimin e energjisë. Ky fakt është i konstatuar botërisht nga organizma ndërkombëtarë, i konstatuar publikisht edhe nga ERE, në një analizë profesionale të qartë. Nuk është rritur çmimi i energjisë, përkundrazi, ka pësuar një ulje të lehtë. Por a mjafton? Nuk mjafton. A jemi të kënaqur? Absolutisht jo. Ne duam të shkojmë më tutje. Duam të shkojmë drejt uljes së mëtejshme të çmimit dhe drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë së konsumatorëve familjarë”, deklaroi kryeministri.

Përmes batutave, Kryeministri Rama tha se ai dhe ministri i Energjetikës, Gjiknuri, janë të pakënaqur nga reformat, madje shtoi se ai ishte i pari që dëshironte t’i përmbushte të gjitha premtimet njëherësh, por kjo është e pamundur.

“Të gjithë duhet ta dinë se unë si kryeministër i vendit jam njeriu më i pakënaqur sot, për arsyen e thjeshtë sepse unë jam i vetëdijshëm për padurimin e njerëzve. Pas meje, ministri i Energjetikës është i dyti njeri më i pakënaqur në Shqipëri për situatën ku jemi. Jo sepse nuk kemi bërë shumë, por sepse e dimë shumë mirë që kemi shumë për të bërë dhe jemi shumë të vetëdijshëm si askush tjetër që njerëzit kanë plotësisht të drejtë, që çdo ditë të presin më shumë. Të gjithë duhet ta kuptojmë se, nëse ka një njeri në këtë vend, që është i dëshiruar më shumë se kushdo tjetër që këto gjëra të bëhen menjëherë, sa hap e mbyll sytë, ky jam unë. Por kjo nuk është e mundur. Kush thotë të kundërtën, bën shaka”, u shpreh Rama.

Kryeministri informoi se lëshimi i faturave aforfe do të marrë fund në muajin qershor, ndërsa dëmtuesit e sahatit do të ndëshkohen. “Kemi shumë për të bërë dhe mezi pres që brenda qershorit t’u japim shqiptarëve një lajm që e kanë pritur 25 vjet. Do të paguajnë atë që konsumojnë dhe faturat aforfe nuk do të ekzistojnë më. Është një lajm me rëndësi të madhe, jo thjesht ekonomike, por mbi të gjitha me një rëndësi të madhe për barazinë përpara ligjit dhe detyrimeve të secilit”, nënvizoi Rama.

Duke folur për atë çka është bërë deri tani për reformën në energji, Rama foli edhe për aktmarrëveshjet e faljeve të kamatëvonesave. “Është sukses i përbashkët i gjithë atyre pensionistëve, i gjithë atyre invalidëve, i gjithë atyre familjeve në nevojë, i gjithë atyre prindërve aspak të pasur, që kurrë nuk i bënë bisht faturës së energjisë, por është edhe sukses i përbashkët me ata 320 mijë konsumatorë që pranuan të nënshkruajnë marrëveshjen e re dhe të shlyejnë hap pas hapi detyrimet e tyre të prapambetura”, përfundoi Rama.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura