Rama shkarkon zv/drejtorin e SHISH, Ylli Alushi. E zëvendëson Helidon Bendo

Apr 28, 2016 | 9:10
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ka shkarkuar zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ Kombëtar, Ylli Alushi, dhe në vend të tij ka emëruar Helidon Bendon.

ylli alushi

Duket se kreu i qeverisë ka gjetur dakordësi me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, për shkarkimin e Alushit dhe emërimin e zv.drejtorit të ri të Shërbimit Informativ, i cili është dekretuar tri ditë më parë dhe ka nisur nga puna. Bazuar në nenin 5, paragrafi 2 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, kreu i shtetit ka bërë dekretimin e numrit dy në këtë shërbim.

“Drejtori e zëvendësdrejtori i tij emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit. Punonjësit e tjerë emërohen e shkarkohen nga Drejtori i SHIK-ut”, thuhet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar. Nuk dihen arsyet që e kanë çuar kryeministrin në shkarkimin e Ylli Alushit, njeriu i cili ka punuar me tre drejtorë të ndryshëm në SHIK. Alushi ka marrë detyrën e zv.drejtorit në 2003- shin, kur SHIK drejtohej nga Kujtim Hysenaj, i cili ndërroi jetë në janar të vitit 2004.

Ylli Alushi drejtoi Shërbimin Informativ Kombëtar për tre muaj, deri në mars 2005, kur në krye të këtij shërbimi u emërua Bahri Shaqiri, i cili u shkarkua nga Kryeministri Berisha në gusht të 2012-s. Ylli Alushi punoi për katër vjet me Visho Ajazi Likën për të marrë pas 13 vitesh si zëvendësdrejtor i këtij shërbimi urdhrin e shkarkimit.

Pavarësisht motivacionit të këtij shkarkimi nga Kryeministri Rama, Alushi njihet si njeri me miqësi të forta brenda së majtës, duke krijuar një balancë në drejtimin e SHISH-it, kur dihet se Visho Ajazi Lika vjen nga e djathta, pozicioni i fundit që ka mbajtur ka qenë zv.ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë. Ylli Alushi ka lindur më datë 29 gusht 1956, në Skrapar.

Ai ka përfunduar studimet e larta në Akademinë Ushtarake, në vitin 1980, ku është titulluar oficer, ndërsa në periudhën 1982-1984 ka mbaruar studimet për Kundërzbulim në Akademinë e Rendit Publik. Në vitin 1999, ai përfundon edhe studimet në Fakultetin e Drejtësisë. Nga viti 1980 deri në vitin 1991, ai ka pasur një karrierë të pasur ushtarake, duke punuar në sektorë të ndryshëm të Ushtrisë.

Në vitin 1991, ai i futet rrugës së shoqërisë civile, duke punuar me Kryqin e Kuq Shqiptar si Shef i Marrëdhënieve me Jashtë. Nga viti 1992 deri në vitin 1996, ai punon në Shërbimin Informativ të Ushtrisë, duke kryer detyra me rëndësi. Nga viti 1996 deri në vitin 2002, ai drejton sektorë të rëndësishëm në Kryqin e Kuq Shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura