Rama: Reforma për arsimin e lartë, me çdo kosto politike

Jul 3, 2015 | 13:30
SHPËRNDAJE

Problemet e përbashkëta në arsim dhe rruga drejt zgjidhjes së tyre mblodhën bashkë në Vlorë shtatë ministra të Ballkanit Perëndimor, të cilët ndanë praktikat më të mira arsimore, por edhe vështirësitë në këtë drejtim. Pjesë e këtij ministeriali që për herë të parë mbahet në vendin tonë, ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili prezantoi disa nga reformat arsimore që kërkohen e që do të vijojnë me çdo kosto.

Ministrat e Arsimit dje ne Vlore

“Kemi ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm dhe jam vërtet krenar. Gjetëm një sistem, i cili ishte tërësisht i thyer, universitete të cilat ishin kthyer në fabrika prodhimi diplomash për shitje. Duhet të jemi shumë të qartë për reformat që kërkohen, me çfarëdolloj kostoje politike. Këtë jemi përpjekur ta bëjmë në Shqipëri dhe do ta bëjmë deri në fund të mandatit tonë, pa marrë parasysh votat që do të mund të mbledhin apo nuk do të na jepen”.

Duke u ndalur në reformën e arsimit të lartë, Kryeministri citoi një tjetër arritje, krijimin e një universiteti ku shteti dhe privatët kontribuojnë për një arsim më cilë- sor. “Një tjetër problem është dallimi ose boshllëku i krijuar midis universiteteve private e publike, i cili është parë si i privilegjuar në raport me të parin. Kjo e ka bërë publikun dembel, të korruptuar, jokonkurrent. Ajo që kemi dashur të bëjmë dhe kemi bërë me ligjin e ri, është të kishim një parim të qartë: Nuk ka arsim shtetëror apo privat, por arsim publik që financohet nga shteti. Nuk ka arsim për të nxjerrë përfitime.”

Në vijim të këtij mendimi, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se reformat e deritanishme dhe ato që do të vijnë, synojnë rritjen e cilësisë pa cenuar aspak mundësitë e të rinjve për t’u arsimuar. “Qeveria shqiptare mori përgjegjësinë për ndë- rhyrje të plota dhe të thella në sistemin arsimor, që ishte lënë në inerci e gati-gati në rënie të lirë, duke filluar menjëherë reformat në tërë sistemin për të mos humbur më asnjë ditë.” Ministrja theksoi se në pak vite qeverisje janë ndërmarrë angazhime në gjithë sistemin arsimor parashkollor, parauniversitar dhe atë të lartë.

MARRËVESHJET
Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe perspektiva e integrimit europian ishin dy qëllimet primare të ministerialit, që vijon sot ditën e dytë të punimeve. Ministri maqedonas, Abdilaqim Ademi, ishte i pari që nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit me homologen shqiptare, Nikolla. Në bazë të saj, dy vendet do të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, iniciojnë projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore, do të ofrojnë bursa për studime pasuniversitare e doktorate, shkëmbejnë përvoja, materiale informative, didaktike e të tjera.

Por jo vetëm kaq. Serbia ka iniciuar krijimin e një zyre rajonale të këtij forumi përfaqësues në Beograd, të cilën Shqipëria e nënshkroi që dje. Nga kjo, vendi ynë do të jetë pjesë e masave që vendet pjesëmarrëse do të ndërmarrin bashkërisht. Në përshtatje me zhvillimet e shpejta globale, kjo platformë mbështet reformat kombëtare arsimore, duke zhvilluar paralelisht edhe trajnime të vazhdueshme të institucioneve hartuese të politikave arsimore, përshtatjes së njohurive sipas asaj çfarë kërkon tregu i punës dhe bashkërendimi i tyre në një linjë me zhvillimin arsimor europian. Edhe dita e nesërme pritet të sjellë të tjera marrëveshje bashkëpunimi, të cilat do të konkretizohen në kohë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura