Albpetrol del në treg, Rama: E shesim këtë vit

Mar 18, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kompania shtetërore e prodhimit të naftës në vend, Albpetrol, këtë vit do të dalë për privatizim. Këtë fakt e ka konfirmuar dje Kryeministri Edi Rama gjatë një samiti ndërkombëtar të mbajtur në Tiranë me fokus naftën dhe gazin. Kreu i qeverisë tha se tashmë po përgatitet terreni i duhur për këtë privatizim dhe gjithë kjo po bëhet me konsulencë ndërkombëtare.

Rama gjatë fjalës në samit

“Ky do të jetë edhe viti i përfundimit të një procesi të stërzgjatur privatizimi të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentet e privatizimit, me asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare. Por ky privatizim do të jetë rezultat i një ndryshimi radikal në qasje ndaj të ardhmes së kësaj shoqërie. Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që sot i gëzon Albpetroli, si inerci e një të shkuare shumë të largët”, tha Rama.

Ai konfirmoi se kompania do të trajtohet e ndarë nga blloqet e lira të naftës, të cilat do t’u kalojnë investitorëve përmes procedurave konkurruese, ashtu si vetë kompania. “Albpetrol-i është një atavizëm i një kohe të shkuar dhe një hibrid që nuk mund t’i rezistojë sfidës së kohës që vjen. Por pa dyshim që, sidoqoftë, mbetet një aset i vlefshëm.

Ne do të sigurojmë që të gjithë aktorët seriozë të sektorit, që do të shprehin interes, të kenë një proces transparent përmes një gare të hapur dhe konkurruese, ku do të ftohen të gjithë të interesuarit”, tha kreu i qeverisë.

BLLOQET E LIRA

Në samitin për naftën dhe gazin, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, bëri me dije se tashmë po bëhet gati procedura për dhënien me konkurrim tek investitorët të tri blloqeve të para të lira që janë zona naftëmbajtëse.

Këto zona, sipas tij, do të jepen me procedura transparente dhe të orientuara tek investitorët seriozë, duke shmangur kështu dështimet që kanë ndodhur në të shkuarën.

Një fakt të tillë e konfirmoi edhe Rama, duke shprehur se qeveria do të kryejë sizmikën e blloqeve të lira detare, me qëllim përgatitjen e bazës së nevojshme të të dhënave për të filluar organizimin e procedurave për dhënien e blloqeve të lira edhe në det. Në total numri i blloqeve arrin në 13.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura