Rama: Presidenti i Kinës interes për ‘Rrugën e Mëndafshit’

Nov 28, 2015 | 8:47
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama tregoi dje interesin e presidentit kinez Xi Jinping për “Rrugën e Mëndafshit” që nis nga porti i Durrësit. Në një intervistë dhënë seksionit shqip të radios shtetërore kineze, CRI, Rama foli për projektet e diskutuara me kryeministrin kinez Li, kryesisht në infrastrukturë.

Rama dhe presidenti kinez, Xi Jinping
Rama dhe presidenti kinez, Xi Jinping

Sot ju u takuat me presidentin e Republikës Popullore të Kinës, zotin Xi Jinping. Si e vlerësoni këtë takim dhe më gjerë marrëdhëniet aktuale midis dy vendeve tona?

Sapo kemi mbaruar takimin me presidentin, në një takim shumë miqësor, ku ai ka folur për vizionin e këtij organizimi të 16+1 vendeve të përfshira në iniciativën e përbashkët të Kinës me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore për idetë dhe sfidat e përbashkëta, dhe pa dyshim ku ka nënvizuar edhe idenë e rëndësishme të “Rrugës së vjetër të Mëndafshit”. Ka qenë një vizitë e rëndësishme edhe për faktin se kemi mundur të diskutojmë nga afër edhe me kryeministrin për ecurinë e projekteve, por kemi mundur gjithashtu edhe të kontaktojmë dhe firmosim një marrëveshje të rëndësishme mirëkuptimi me qeverinë e Malit të Zi, me “Pacifik Constraction”, që është një grup i madh kinez shumë i interesuar për të financuar projektet infrastrukturore dhe konkretisht edhe projektin e madh të “Korridorit të Kaltër”, si dhe kemi shumë besim se së shpejti me këtë grup do të finalizojmë studimin e fizibilitetit dhe vitin e ardhshëm do të mundim të hapim procesin e ndërtimit të katër akseve të rëndësishme rrugore në Shqipëri.

Kanë kaluar 4 vjet nga fillimi i mekanizmit 16+1 mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Në çfarë drejtimesh mund të përmirësohet ose të forcohet më mirë për t’i shërbyer bashkëpunimit?

Po të shohim ecurinë e këtyre katër viteve, është e qartë se kanë filluar të realizohen konkretisht projekte strategjike brenda këtij mekanizmi ashtu sikundër janë duke ecur projekte të tjera. Sigurisht sa na takon, ne duam që gjërat të ndodhin mundësisht sot, sepse nuk kemi kohë të presim për nesër, por në këtë pikë ne jemi dhe të vetëdijshëm që Kina ka një tjetër koncept për kohën dhe projekton në një kohë shumë më të gjatë, dhe ngjason me proverbin kinez “se nuk ka rëndësi nëse ecën ngadalë, rëndësi ka të ecësh në çdo moment”.

Keni shumë të drejtë. Lidhur me propozimin që na folët, për nismën “një brez një rrugë” e paraqitur nga pala kineze, Shqipëria është një pikë e rëndësishme kyçe tranziti në “Rrugën detare të Mëndafshit”…

Është një pikë e rëndësishme dhe nga kjo anë për fat të mirë që është një pikë e rëndësishme dhe po ashtu ky koncept lidhet me një fazë të re që nënvizoi edhe kryeministri Li, kur foli për një angazhim të ri të vëmendjes në zhvillimin e infrastrukturës portuale të Adriatikut dhe të Balltikut, dhe kuptohet që kjo është e lidhur me këtë projekt të madh afatgjatë. Ne jemi shumë besimplotë, për sa na takon në raportet tona, kjo ide do të ketë ndikimin e vet pozitiv.

Kam frikë se do të keni edhe më shumë punë në këtë drejtim…

Në këtë drejtim ne mezi presim që të fillojmë punë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura