POLEMIKA/”Rama po të ishte i lirë do pranonte se gaboi me Luljeta Bozon”- Pëllumb Kulla replikon me Fatos Tarifën: Ka lindur në shtëpinë e sekretarit personal të Enverit

Mar 20, 2021 | 14:04
SHPËRNDAJE

Rama pellumb kulla Fatos Tarifa, luljeta bozoRegjisori i njohur, Pëllumb Kulla ka reaguar pas pohimeve të kandidates së PS-së, Luljeta Bozo, e cila bëri bujë me pohimet për komunizmin dhe Enver Hoxhën dhe gjerat e mira që kishte ai sistem.

Në një analizë për Gazetën “Tema”,  Pëllumb Kulla thekson se Kryeministri Rama duhet të dilte publikisht pas pohimeve të Luljeta Bozos dhe të pranonte se kishte gabuar me zgjedhjen e saj!

Ndërkohë që replikën e tij, Pëllumb Kulla e ka vijuar me Fatos Tarifën, që sipas tij doli në mbrojtje të zonjës Bozo gjë që për analistin: “nxiton ta mbështesë inxhinjeren e moshuar, por dua t’i kujtoj atij, se nuk kemi asnjë faj teksa nuk zgjedhim se ku i hapim sytë kur vijmë në këtë jetë, dhe zotëria i ka hapur të tijtë bash në shtëpinë e sekretarit personal të diktatorit!”

Ndërkohë që profesori Fatos Tarifa në një shkrim për gazetën Dita ka dalë në mbrojtje të inxhinieres, Luljeta Bozo, teksa ka replikuar me studiuesen Jonila Godole. “Znj. Godole, janë qytetarët e Tiranës ata që do të vendosin, me votën e tyre të lirë, nëse duan ose jo që në parlamentin e vendit ata t’i përfaqësojë znj. Luljeta Bozo. Mos i kërkoni Partisë Socialiste, që si dikur Partia e Punës, t’i mbyllë gojën këtij njeriu të lirë dhe të mbajë qëndrim ndaj saj. Ky nuk është një mentalitet demokratik; ai ngjan si dy pika uji me mentalitetin komunist”, thekson Tarifa.

Nga Pëllumb Kulla*

Nuk mund të mos ishte një Tarifë që të dilte mbrojtës në qortimin që po i bëhet nostalgjisë enveriane të zonjës Luljeta Bozo, e cila ca ditë më parë tha se jeta e shqiptarëve nën diktaturën e Enver Hoxhës kishte më shumë të mira se sa të liga!

Zonja që kryeson kandidaturat socialiste në Tiranë nuk u mjaftua p.sh të thoshte se ajo kohë kishte edhe të mira, gjë që mund ta them edhe unë. Ajo i vuri në balancë. Dhe të mirat sipas saj, predominonin ku e ku!

Të gjithë kemi nostalgji për vitet e rinisë por unë ndryshe nga zonja Bozo nuk ia atribuoj atë të mirë Enverit. Zoti Fatos Tarifa nxiton ta mbështesë inxhinjeren e moshuar, por dua t’i kujtoj atij, se nuk kemi asnjë faj teksa nuk zgjedhim se ku i hapim sytë kur vijmë në këtë jetë, dhe zotëria i ka hapur të tijtë bash në shtëpinë e sekretarit personal të diktatorit!

Jo, jo, më ruajttë Zoti që detyrohem të përdor silin enverian të fajësimit të bebeve për shkak të prindërve. Bile nxitoj të them se me aq njohje sa kam me zotin Fatos, ruaj respektin që i takon. Vetëm nënvizoj, ama, se nuk duhet të ishte ai mbrojtësi më i mirë i zonjës kandidate.

Ai bile hartoi në ndihmë të saj listën e të mirave, mposhtjen e analfabetizmit të trashëguar, industrializimin e vendit…

Të dy me zonjën që na ndolli në këtë debat mendojnë se ato janë më me peshë, se përdhosja e virtuteve më të mira të shqiptarëve; zëvendësimi i besës me pabesinë, që po e trashëgojmë dhe në këtë tranzicion të pështirë; ndarja në klasa dhe lufta e pabarabartë mes tyre; gojëkyçja e detyruar; gjenocidi, burgjet, internimet dhe telat me gjemba, me të cilët rrethuan literalisht tërë territorin e republikës…

Ose së paku le të përmendin vetëm emrin e një vendi fatzi, që në atë vit të shembjes të regjimeve diktatorialë në kontinent, renditej më poshtë se Shqipëria!

Jo shumë! Vetëm një! Dhe do t’ua quaja “të mirë” dhe do të më mjaftonte të bashkohesha me Tarifën dhe zonjën Bozo.

Dua ta citoj profesorin, për të prishur syrin e keq dhe për të treguar se megjithatë e gjej njëzë të vërtetë në diskurin e tij:

“Sot jetojmë, në një shoqëri të lirë,” shkruan zoti Tarifa, “në të cilën njerëzit, nuk mund të pengohen më të shprehin hapur bindjet dhe mendimet e tyre dhe nuk dënohen nëse e bëjnë këtë. Ky është mësimi i parë dhe më i rëndësishmi që demokracia na ka mësuar.”

Zonja Bozo është e lirë thotë se për të ajo kohë pat më shumë të mira dhe ajo ishte më e lumtur atëherë, se sa sot kur e caktojnë të jetë në vendin më të lartë të vlerësimit dhe në krye të listës së njerëzve që me siguri do të hyjnë triumfalisht në portat e kuvendit të shqiptarëve.

Por edhe unë jam po aq i lire, të them, se ajo zonjë na zhgënjeu. Kërkoj lejen ta quaj të papërshtatshme dhe rrjedhimisht as të aftë për të përfaqësuar shqiptarë të shumtë në parlamentin e tyre.

Ajo nuk gënjen që ka parë shumë të mira, por nuk duhet ta thoshte këtë pohim të sinqertë, aq më tepër që nuk ia kërkoi njeri(!), që të mos rrezikonte fushatën ku është thirrur. Sepse janë të shumtë shqiptarët që nuk mendojnë si ajo dhe këtë ajo sëpaku duhet ta dinte.

Thonë se ajo ka merita të shumta në fushën e saj është një zonjë me dinjitet dhe prandaj e meritoi apelin që të përfaqësojë. Më vjen mire, por më duket se ajo nuk përfaqëson dot.

Unë jam i lirë të them se kryetari i maxhorancës nuk është aq i lirë, saç jemi unë dhe zonja Bozo, që po themi ca gjera që nuk duhen thënë. Po të qe i lirë zoti Rama, do të duhej të thoshte se ka gabuar në këtë zgjedhje, ashtu si pat gabuar edhe më shumë në zgjedhjen e njeriut që po përdhos qyrkun e të parit të vendit.

Unë jam i lirë të them se megjithatë do të votoj pa asnjë lëkundje për socialistët dhe për zotin Rama. E di që mund të duket një paradoks por ja, ai truall po mban mbi shpinë mijëra paradokse kësisoj. Dhe ky nuk i imi është i vetmi.

Unë e çmoj mjaft të parin e socialistëve, ka patur të parreshtur simpatinë time dhe jam shprehur hapur si për anët e mira ashtu dhe për ato të këqijat që shikoj në rrugëtimin e tij. E vlerësoj punën e tij të palodhur, përballimin mbinjerëzor të dy fatkeqësive natyrore të viteve të fundit.

Se jam i lirë të them që dhe në këtë hapësirë tridhjetëvjeçare kur ne vuajtëm zbatimin e projektit katovician të R. Alisë, ku edhe Rama mori me vonesë njërin nga rolet kryesorë me të cilin u gjend mes të ngarkuarve të vërtetë, dhe ka edhe ai përgjegjësitë e tij.

Duke thënë që votoj për Ramën, janë të shumtë ata që do nxitonin të më kujtojnë, se unë duhet të isha i prirur diku tjetër.

Jo, miqtë e mij, jam prirur drejt. Dhe ata që përdorin akoma termat demokrat, socialist, legalist, republikan, i djathtë dhe i majtë, duhet më në fund të ishin lodhur me këto terma të paqëndrueshme dreqi ta marrë!

Por nuk qenka lodhur as profesor Tarifa, që përdor termin antikomunist! Në atë vend nuk ka antikomunistë, more zotëri, se nuk ka pasur kurrë komunistë! Përdore, diç Zotin, cilësorin enverist, që të pranosh se artikullin tënd ti nuk e kishe kundër kujt tjetër, veçse kundër antienveristëve!

Enveri nuk ka qenë as i majtë dhe as i djathtë. Ai ishte thjesht i envertë. Enver Hoxhës o profesor, nuk i gjen të dytë në histori. Ai ishte një burrë shteti përherë shtatzënë. Dhe deri sa mbylli sytë nuk pushoi së pjelluri tradhtarët e vet.

Dhe lere pastaj që këtij përcaktimit tim metaforik, nuk i hyjnë dot ta kundërshtojnë as Tarifat, as Bozot, as Kapot, as Gjonat, as Neshot, as Ballukët dhe janë me mijëra e qindramijëra gojërat e qepura në të gjitha partitë. Megjithë lirinë, që kjo demokraci ua dha të shqepen!

Dhe unë tani nuk e them dot se në cilën parcelë të politikës shqiptare ka më shumë enveristë, apo më shumë hajdutë të pandëshkuar.

Tre katër vjet para viteve ‘90 kur do të vendosnit të përmbysnit parajsën tuaj dhe të zonjës Bozo, për një hile që nuk i kalonte dhjetëmijë dollarët, pat qenë pushkatuar artisti Gaspër Çurçija!

Kjo bandë karkalecash që delegoi pastaj Hoxhalia në arat me grurë të Shqipërisë, si akt të parë ligjor hoqi dënimin me vdekje, sikurse veprohet me vënien e sigurecës një arme, që të mos të të vrasë kurrë.

Banditët firmosën solemnisht aktin, u siguruan nga pushkatimi që i bënë Çurçisë, përveshën mëngët dhe filluan kusarinë legjendare të tranzicionit.

U zgjata në kuadrin e një fushate për t’i shpjeguar “antikomunistëve të mi” preferencën për të votuar, siç janë të ftuar dhe të detyruar gjithë shqiptarët e pakënaqur në këto përplasje elektorale. Se edhe tema e lumturisë së kryekandidates së Ramës, në këtë atmosferë u ndez.

Pra pa ekuivok unë paradoksalisht do të votoj për ju zonja Bozo, sepse në atë organizatë politike megjithë mëkatet që i faturohen njoh dhe shoh plot individë, burra dhe gra, që kanë ambicie të bukur dhe mund të bëjnë diçka për këtë vend!

Në listat e zotit Rama ka individë që fajësohen për përvetësime dhe akte korruptive dhe unë do t’i dënoja megjithë ashkun e shpirtit, po të mos ishin fantazi të pavërtetuara publikisht, siç të tmerrojnë ca kandidatë në listat përballë të cilëve nuk u listohen aspak si fantazira, tmerret me vjedhet e thesarëve dhe bankës qendrore, katastrofa e Gërdecit dhe fishekët kinezë në kartonët shqiptarë, vrasje dhe zhdukje makabre, dhe sidomos-sidomos, ata vite të përcjelljes së përditëshme të karburantit në cisternat tejembanë Jugosllavisë, në shkelje të embargos të OKB-së. Dhe kjo përbën pabesinë më të madhe. Kombëtare në radhë të parë! Pa lere atë kombëtare!

Ja një kandidat i tillë është përballë Edi Ramës. Më thoni o “antikomunistët e mi” cilin nga këta të dy të votoj?

Pastaj me shpresën se zonja në fjalë do të ribjerë në mendime, e ftoj atë të sjellë në sytë e mendjes tragetët biblike, me ata njerëz që po arratiseshin nga një vend, ku patën patur shumë e shumë të mira! Dhe bile na i kanë lënë edhe trashëgim!/ *Shkruar për TemA
**********************************************************************

Kundër “antikomunizmit me fytyrë bolshevike” (dhe me respekt për kolegen time Luljeta Bozo)

 Prof. Fatos Tarifa

Znj. Jonila Godole, Drejtuese e një organizate joqeveritare, siç është Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, botoi pardje në gazetën Panorama një koment të gjatë ndaj një interviste që ka dhënë Prof. Luljeta Bozo, inxhiniere veterane e njohur, anëtare e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe, së fundmi, e para në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës për zgjedhjet legjislative të prillit të këtij vitit. Zonja Godole i kërkon Patisë Socialiste që të mbajë një qëndrim zyrtar, pra të distancohet nga kjo deklaratë e znj. Bozo, në të cilën, kjo e fundit ka vënë në dukje një sërë zhvillimesh në sistemin e socializmit shtetëror, të cilat, sipas saj, kanë qenë arritje të pamohueshme të atij sistemi.

Me këtë rast, dëshiroj t’i drejtohem znj. Godole me këtë mesazh:

Ju, znj. Godole, mund të keni të drejtë për ato çfarë thoni se kanë ndodhur gjatë periudhës së socializmit shtetëror në Shqipëri (ai sistem nuk u bë kurrë një sistem komunist), për shkeljet brutale të të drejtave të njeriut dhe për krimet e tij, por unë kam këto objeksione kritike ndaj reagimit tuaj:

(1) Nëse znj. Bozo flet për arritjet e atij sistemi në industrializimin dhe në zhvillimin ekonomik, kulturor e shoqëror të vendit (për aq sa Shqipëria u zhvillua në ato 45 vite), edhe pse si një ekonomi autarkike, a nuk ka të drejte ajo, ashtu si dhe kushdo tjetër, që ka qenë pjesëmarës dhe kontribues në atë sistem dhe në ato arritje, të cilat vështirë se mund të mohohen thjesht me slogane antikomunistë, që ta pohoje këtë?

Unë vetë, ashtu si me mijëra të rinj të tjerë në atë kohë, nxënës të shkollave të mesme ose studentë të Universitetit të Tiranës, kemi punuar për tarracimin e kodrave të bregdetit të jugut, ose për ndërtimin e hekurudhave, që i binin kryq e tërthor vendit. Në ato “aksione të rinisë”, është e vërtetë se shumica prej nesh nuk kanë shkuar me dëshirën e tyre, por kemi qenë të detyruar prej sistemit arsimor të kohës, veçse sot, kur udhëtoj në rivierën tonë të jugut dhe shoh se si janë shkatërruar të gjitha ato taraca që ndërtuam në atë kohë dhe ato qindra mijë pemë frutore që mbollëm në to—në Jonufër, në Lukovë, në Ksamil— dhe, po kështu, kur udhëtoj nga Librazhdi në Prrenjas dhe nuk shoh më asnjë tren që të udhëtojë mbi ato shina që vumë ne, të rinjtë e asaj kohe, më dhemb në shpirt.

Më dhembin në shpirt jo “vuajtjet” që kemi hequr kur hapnim taraca ose shtronim binarët e hekurudhave, sepse, veç lodhjes së punës—e cila vërtet nuk qe vullnetare dhe as lehtë—në ato aksione kishim edhe “fun”, shumë “fun”, pasi aksionet (deri diku dhe zboret), për ne, të rinjtë e shkollave në atë kohë, ishin të vetmet mundësi për t’u larguar nga shtëpitë tona për javë të tëra, për t’u argëtuar e përjetuar të lirë—relativisht të lirë—shumë kënaqësi të moshës.

Arsyeja pse më dhemb në shpirt është shkatërrimi që pësuan të gjitha këto pasuri të mëdha kombëtare nga ata që, në emër të luftës kundër komunizmit, shkatërruan çdo vlerë materiale, çdo vlerë kulturore dhe çdo vlerë shpirtërore që u krijua në atë sistem, ose që lidhej me atë sistem, nga ata që, të pangopur nga shkatërrimi, edhe sot e kësaj dite duan të mohojnë e të ndalojnë madje edhe prodhimet e kinematografisë së asaj periudhe.

Kjo duhet të na dhembë dhe jo të anatemojmë një specialiste të nderuar, një qytetare të dalluar dhe një shkencëtare të spikatur për shkak se ajo i pranon arritjet e asaj periudhe dhe flet hapur, pa frikë për to.

Unë vetë, në mëse një rast, kam argumentuar se, per ironi te fatit, duam ose s’duam ta pranojne shume nga, periudha e modernitetit në Shqipëri nisi me dy shekuj vonesë, pas Luftës se Dytë Botërore, nëse me modernitet kuptojmë këto tri gjera, siç pranohet gjerësisht në sociologji dhe në teoritë mbi zhvillimin: (a) industrializimin e një vendi, (b) urbanizimin e tij dhe (c) arsimimin bazik masiv të popullsisë së tij—edhe nëse këto arrihen me metoda autoritariste, komuniste ose jo të tilla, siç ka ndodhur në shumë vende të botës.

(2) A nuk mendoni ju, znj. Godole, se me qëndrimin tuaj ju perserisni të njejtën gjë dhe përdorni të njëjtën metodë si komunistët e dikurshëm, të cilët nuk i lejonin askujt të thoshte një fjalë të mirë për monarkinë, për mbretin Zog dhe për politikat e tij?

Terminologjia ndryshon, por, në thelb, është e njëjta mendësi. Qëndrimin tuaj dhe të kujtdo tjetër që mendon si ju, Adam Michnik, njëri prej simboleve më të shquar të përpjekjeve për mbrotjen e të drejtave të njeriut, e konsideron si “zëvendësim të ortodoksive të komunizmit me ortodoksi të një lloji tjetër”, ose një “anti-komunizëm me fytyrë bolshevike”.

(3) Unë mendoj se, ne, si shoqëri, duhet të ndihemi mirë që, më në fund, mund të kemi në parlamentin e këtij vendi njerëz, të cilët “speak their mind”, pra që nuk janë ushtarë të regjimentuar të kryetarëve të partive të tyre, por kanë integritet moral dhe kurajën të thonë atë çfarë me ndergjegjen e tyre (jo prej frikës së të tjerëve) mendojnë dhe besojnë.

Kur Sekretari amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën, në qershor të vitit 1991, mesazhi që ai solli për të gjithë ne, në fjalën e tij para popullit të kryeqytetit, ishte ky: “Më në fund ju jeni të lirë të mendoni siç dëshironi ju vetë. Më në fund ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund ju jeni të lirë t’i zgjidhni vetë ata që doni t’ju drejtojnë”.

Znj. Godole, ajo çfarë ka bërë Prof. Bozo me intervistën e saj është pikërisht ajo çfarë James Baker priste 30 vite më parë nga të gjithë ne, shqiptarët—lirinë për të menduar siç duam; lirinë për të thënë atë që mendojmë; lirinë për t’i zgjedhur vetë ata që duam të na drejtojnë.

Znj. Godole, janë qytetarët e Tiranës ata që do të vendosin, me votën e tyre të lirë, nëse duan ose jo që në parlamentin e vendit ata t’i përfaqësojë znj. Luljeta Bozo. Mos i kërkoni Partisë Socialiste, që si dikur Partia e Punës, t’i mbyllë gojën këtij njeriu të lirë dhe të mbajë qëndrim ndaj saj. Ky nuk është një mentalitet demokratik; ai ngjan si dy pika uji me mentalitetin komunist.

Sot jetojmë në një shoqëri të hapur, në një shoqëri të lirë, në të cilën njerëzit nuk mund të pengohen më të shprehin hapur bindjet dhe mendimet e tyre dhe nuk mund të dënohen nëse e bëjnë këtë. Ky është mësimi i parë—dhe më i rëndësishëm që demokracia na ka mësuar.

Dhe një shoqëri e hapur dhe e lirë nuk mund të jetë veçse një komunitet individësh me mendje të hapur e të lirë./ DITA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura