Rama po i jep vetes të drejtën të zgjedhë kush jeton e kush vdes

Feb 22, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

akil_krajaAKIL KRAJA

Para ligjit jemi të gjithë të barabartë, ashtu siç shërbimet publike janë universale. Ndaj, vaksinimi me lista e kritere sekrete është antidemokratike, antiligjore, antinjerëzore. Kjo është thjesht një fushatë blerje votash, ose më saktë blerje influencash publike që “personalitetet” t’ia kthejnë nderin e vaksinimit KM-së duke folur mirë për të gjatë fushatës që kemi përpara. Kjo është esenca e një diktature personale, antipod i shtetit të së drejtës. Sot, KM-ja vendos personalisht kush vaksinohet, pra, vendos fjalë për fjalë, kush gëzon të drejtën “të jetojë”. Fuqi ‘divine’ që u njiheshin vetëm perandorëve apo mbretërve që vetëcilësoheshin shëmbëlltyra të Zotit në tokë.

Skenat e transmetuara nga televizionet janë makabre. Bodigardë që ruajnë hyrjen e stadiumit, duke kthyer mbrapsht pensionistë e familjarë të traumatizuar. Qytetarë që gabimisht mendojnë se vaksinimi është një proces popullor, demokratik, njerëzor e me qëllime shëndetësore për të mbrojtur njerëzit më vulnerabël. Skena që dëshmojnë sesa i dhunshëm është arbitrariteti i kësaj vendimmarrjeje të RamaZotit. Një proces i tillë vaksinimi, në diktatura mbrohet nga dhuna e policët, ndërkohë në demokraci mbrohet nga profesionistët e nga mjekët, të cilët janë të vetmit që shoqëria dhe ligjet u njohin të drejtën për të luftuar mbi sfidat shëndetësore “për jetë a vdekje”.

Askush, përpos mjekëve, nuk mund të vendosin mbi këtë dilemë thellësisht morale. As drejtësia, as politika. E thonë ligjet e vendit tonë. Jo më kot, Shqipëria e ka abroguar dënimin me vdekje tash 30 vite. Mjerisht, RamaZot-i sot e riktheu në fuqi atë duke i dënuar me vdekje pleqtë e urtë e popullorë, njerëzit e thjeshtë, të panjohur, taksapaguesit e moshuar, të gjithë qytetarët e përjashtuar nga ky proces jotransparent. Ja ku është gjenocidi, te qasja selektive e tij.

Një krim i dyfishtë, në fakt. Jo vetëm për arbitraritetin e përzgjedhjes se mbi të cilat kritere vendoset kush është “personalitet” e kush jo, por dhe për faktin se vaksinat po paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë. Çka nënkupton që RamaZot-i ka detyrë të respektojë parimet e barazisë së qytetarëve në aksesin në shërbimin publik. Ka për detyrë të respektojë parimet e transparencës dhe të vendimmarrjeve legjitime sipas ligjeve në fuqi. Ka për detyrë të respektojë normat deontologjike dhe procedurat administrativo-mjekësore që zbatohen në Republikën e Shqipërisë në trajtimin e pacientëve. Ai po del mbi ligjet, nuk është aspak filozofi apo politikë. KLSH/SPAK të ndërhyjnë !!!

Si do të ishte mënyra e drejtë? Na mëson bota perëndimore e demokratike me dhjetëra praktika të tilla. Nëse Rama ka dështuar dhe nuk arrin dot të sigurojë vetëm disa qindra vaksina ndërkohë që vendet fqinj kanë tashmë me mijëra, atëherë fare mirë mund të zbatonte kritere të diskutuara publikisht. Bazuar mbi kriterin e moshës, mund të kishte një short krejt rastësor. Praktikë e njohur kjo. Nëse mosha nuk do të ishte kriter, shërbimi mjekësor kombëtar mund të identifikonte krejt lehtësisht pacientët me sëmundje më kronike, kartela mjekësore të avancuara, duke e administruar procesin në mënyrë profesionale e transparente.

Edi Rama ka kaluar cakun e radhës, duke organizuar një proces kriminal në rrafshin njerëzor, një proces diktatorial në rrafshin politik, e një proces antiligjor në rrafshin administrativ. Është një turp për kombin shqiptar që teksa kujtojmë rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, i lejojmë vetes të ngremë buste të reja liderash-zot, të cilët i japin vetes të drejtën të vendosë kush jeton e kush jo. Kjo është esenca maksimale e asaj që përfaqëson një diktaturë personale. Një pushtet politik vendos që vendos mbi gjithçka, jo vetëm kush mund të punësohet në administratë, kush gjyqtar mund të vetohet, kush sipërmarrës mund të fitojë tenderë publikë, cila media mund të kritikojë qeverinë… por së fundmi dhe se cilët qytetarë vaksinohen…

Kjo është mbase dhe arsyeja më ultime, më e pakontestueshme, më fundore, përse më 25 prill duhet ta largojmë këtë individ përgjithnjë nga skena publike kombëtare! RamaZot-i ka dalë nga çdo binar demokratik. Ai është tashmë publikisht Armiku Nr. 1 i kombit shqiptar. Me 25 prill humbet Rama, më 25 prill fiton Shqipëria. Nuk ka rrugë tjetër…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura