DEBATI I PLOTE/ Rama përplaset edhe me Blushin. Deputeti: Ke marrë peng partinë. Kryeministri: Turp të vij, flet me gjuhën e Tomës

Mar 3, 2015 | 20:20
SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e djeshme te grupit te PS-se, kreu i qeverisë, Edi Rama ka debatuar dhe me deputetin Ben Blushin.

Rama e Blushi ne mbledhje grupi

Deputeti socialist ka fajësuar kryeministrin Rama për situatën e krijuar në grupin e PS me largimin e Doshit. “Ti duhet të mbash përgjegjësi për këtë situatë, sepse ti nuk u zure me Tomën, as për taksa, as për reforma, as për devijim programi, por për histori banale”, mësohet të jetë shprehur Blushi.

Ne debatin e zbardhur sot nga “Panorama”, gjate mbledhjes pa media te grupit, Blushi ka akzuar Ramen se ka marre peng partine dhe eshte pergjegjes per keqqeverisjen.

DEBATI 

Ben Blushi: Kisha vendosur të mos flisja, por më ngacmoi Kryeministri që foli për reformat. Sa për debatin me Tomën, Duhet të mbash përgjegjësi për këtë situatë sepse asnjë nga deputetët e këtij grupi nuk është përgjegjës për këtë që po ndodh. Ti nuk u zure me Tomën, as për taksa, as për reforma, as për devijim programi, por për histori banale.

Edi Rama: Jo, nuk është kështu.

Ben Blushi
: Po kështu është, sepse pas pas kësaj historie, të gjithë jashtë kësaj salle kanë arsye të besojnë se ne flasim për vrasje, tendera dhe interesa, çka nuk është e vërtetë. Dhe për këtë je fajtor ti dhe vetëm ti. Në një vit e gjysëm ke qeverisur shumë keq dhe prap je ti fajtori i vetëm dhe s’mund të na kërkosh të shohim gotën gjysëm plot, dhe kur ajo është bosh.

Edi Rama: Turp të kesh, po flet me gjuhën e Tomës!

Ben Blushi: Turp të kesh ti, që po mban peng Grupin Parlamentar me raportet me shokët e tu.

Edi Rama: Nuk është e vërtetë, nuk kam mbajtur asnjëherë peng Grupin Parlamentar.

Ben Blushi: Ti ke marrë peng partinë me shokët, me të cilët po ndahesh sot.

Edi Rama: Nuk e kam marrë peng partinë.

Ben Blushi: Je i vetmi kryetar partie, në rruzull, që nuk bën zgjedhje në PS, prej një viti e gjysëm. S’ka asnjë mbledhje asambleje dhe kryesie. Po flas në emër të të gjithë antarëve të grupit, që të kuptojmë se çdo gjë po degradon, ngaqë demokracia brenda partisë është marrë peng. Deputetëve të kësaj partie ju ke vënë një damkë të pamerituar.

Edi Rama: Zgjedhjet i bëra më 23 qershor. Një kryetar partie që merr 1 milion vota për të qeverisur vendin, duhet të konfirmohet nga anëtarësia e partisë?! Ka ku rri kjo gjë?!

Ben Blushi: Jo, jo, nuk është ashtu. Partia, si edhe shteti, funksionon me rregulla dhe dokumente. Por e vërteta është se ti nuk po bën zgjedhje, sepse ke frikë të votohesh nga baza dhe të marrësh vota.

Deputeti Koço Kokëdhima kërkon fjalën, por ndërhyn Gramoz Ruçi

Gramoz Ruçi: Mirë është ta mbyllim këtë mbledhje dhe të reflektojmë për ato që u thanë këtu.

Edi Rama: Unë mendoj që ta mbyllim këtu këtë mbledhje duke qëndruar te kjo situatë. Jam koshient që shumë deputetë kanë shumë për të thënë, por unë jam i gatshëm që të flasim hapur në mbledhjen e ardhshme për të gjitha problematikat që mund të shqetësojnë deputetët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura