Rama paralajmëron Lefter Kokën: Uroj të mos e bëjë më gabimin

Feb 2, 2017 | 7:28
SHPËRNDAJE

Kryeministri, Edi Rama ka bërë një paralajmërim për ministrin e Mjedisit, Lefter Koka pas shkarkimit të Ylli Manjanit. Rama duke komentuar deklaratën e Kokës për kanabizimin e vendit, tha se uronte që gabimi i bërë të mos përsëritej, por nuk foli për falje.

“Nuk i marr seriozisht burrat me kostum që flasin pas pilafit apo edhe gjatë pilafit nëse doni në këtë politikën tonë. Unë sigurisht që di të bëj edhe dallim e qarë mes një ministri që në mënyrë të përsëritur ka shkelur kodin etik të qeverisë, dhe një ministri që ka të drejtën edhe ai të bëjë një gabim”, u shpreh Rama.

“Është një gabim, jam i bindur që nuk do të përsëritet dhe patjetër uroj që bindja ime të provohet në realitet pasi në rastin e ministrit tjetër, mendoj që bëhet fjalë për një anëtar i kabinetit që ka qenë një pjesëtar i kabinetit që ka respektuar skuadrën dhe porcionin e tij në raport me detyrën. Nuk fola për falje, por për të drejtën që çdo njeri ka për të gabuar njëherë.”

Pjesë nga intervista

Nuk ka qenë vetëm Manjani që ka bërë akuza të ashpra për hashashin, implikimin e policisë dhe rrezikun që mund të kenë zgjedhjet nga policia. E kam fjalën për Ministrin Koka, deputetin Vangjel Tavo që ka shprehur këtë shqetësim në mediat shqiptare dhe greke.

Rama: Nuk marr seriozisht burrat me kostum që flasin pas pilafit, por dhe gjatë pilafit në politikën tonë. Di dhe të bëj dallimin mes një Ministri që në mënyrë të përsëritur ka shkelur kodin etik të qeverisë dhe ka shkelur kontratën tonë me publikun dhe të një Ministri që ka të drejtën dhe ai të bëjë një gabim, jam i bindur që nuk do përsëritet dhe uroj që bindja ime të provohet në realitet pasi në rastin e Ministrit tjetër mendoj se bëhet fjalë për një anëtar kabineti që ka qenë gjatë gjithë kryerjes së detyrës një pjestar skuadre që ka respektuar skuadrën, pozicionin e tij në raport me detyrën dhe publikun.

Ministrin Koka e keni falur, keni komunikuar me të pas intervistës në Ora News?

Rama: Nuk fola për falje, fola për drejtën që çdo njeri ka për të gabuar njëherë.

Po deklaratat e Tavos?

Rama: Deputetët janë të lirë të bëjnë deklaratat e tyre, mos kërkoni nga unë që të mbaj qëndrim dhe për deklarata deputetësh. Nuk kanë një kontratë me publikun si anëtarë të kabinetit të kësaj qeveri.

Po një përgjigje për shqetësimet dhe akuzat që ata ngrenë është e nevojshme.

Rama: Publiku kupton shumë mirë se çfarë është politika e konsumit të ditës për ata që merren gjithë ditën me politikë dhe çfarë është politika që punon për publikun, qytetarët, vendin, reformat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura