Rama pakt me kinezët për Rrugën e Arbrit, Korridorin e Kaltër dhe Parkun e Durrësit

Nov 27, 2015 | 8:04
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama mori nga homologu kinez Li Keqiang mbështetje për disa projekte të mëdha ekonomike në Shqipëri.

Rama dhe Li Keqiang patën dje një takim dypalësh ku kanë biseduar për marrëdhëniet dypalëshe Kinë-Shqipëri, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit.

Në kuadër të Samitit Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës në takimin që Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, zhvilloi me kryetarët e qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Samit.

meta-kine

Në një intervistë dhënë nga Pekini, Rama është shprehur se angazhimet kineze në Shqipëri do të fillojnë menjëherë të aktivizohen.

“Morëm disa angazhime konkrete nga ana e Kryeministrit kinez dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe nga ana tjetër firmosëm një marrëveshje të rëndësishme mirëkuptimi me një prej kompanive më të mëdha kineze, ‘Pacifik Construction’, së bashku me qeverinë e Malit të Zi, për të filluar punën për studimin e fizibilitetit dhe financimin e Korridorit të Kaltër, ose siç njihet ndryshe, Korridorit Adriatiko-Jonian, ku do të përfshihet edhe Bosnja dhe Kroacia. Kryeministri i Bosnjës praktikisht dha pëlqimin e tij dhe në dhjetor do të finalizohet edhe përfshirja e Bosnjës në këtë marrëveshje mirëkuptimi”, u shpreh Rama.

Për kreun e qeverisë shqiptare, Samiti i Pekinit ka çuar në një zgjidhje për Rrugën e Arbrit.

“Tjetër moment i bashkëbisedimit ishte finalizimi i negociatave për të filluar punimet në Rrugën e Arbrit, si edhe mbështetja kineze për Parkun Industrial në Zonën e re Ekonomike të Durrësit, për të cilin Kryeministri Li Keqiang u angazhua të nxisë përfshirjen e sa më shumë kompanive kineze në jetësimin e Parkut, ku parashihet krijimi i 30 mijë vendeve të reja pune. Kryeministri Li Keqiang nënvizoi po ashtu se qeveria e Kinës është e gatshme të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri”, është shprehur Rama pas takimit me Kryeministrin kinez.

Mbështetje nga Kina ka marrë edhe për sektorin e bujqësisë. Mekanika bujqësore do të jetë një ndihmë e Kinës për Shqipërinë, ndërsa produktet bujqësore shqiptare do të tërhiqen nga tregu kinez.

“Bujqësia ishte një tjetër sektor ku pala kineze shfaqi interes të veçantë, sidomos sa i përket importit të produkteve shqiptare e posaçërisht vajit të ullirit. Po ashtu, Kryeministri kinez e informoi Kryeministrin Rama për një grant të qeverisë kineze për mekanikën bujqësore, si edhe për gatishmërinë për të mbështetur rimëkëmbjen e infrastrukturës së prodhimit bujqësor”, u shpreh Rama pas takimit me homologun kinez Li Keqiang.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura